E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërcënimet me jetë, familja e Klodit të Big Brother braktis shtëpinë në Lezhë



Nuk mjaftoi vetëm prezenca e ambasadorit amerikan dhe atij holandez, në spektaklin e së shtunës, "Big Brother", për të ndërgjegjësuar shqiptarët në lidhje me homoseksualizmin. Sot paradite, ambasadori amerikan, Xhon Uithers, dhe ai gjerman, Bernhard Boshard, shoqëruar nga e ëma e Klodian çelës, djalit që pranoi homoseksualizmin e tij para kamerave të BB, përfaqësues të Qeverisë dhe pushtetit vendor, drejtori i përgjithshëm i policisë, Hysni Burgaj, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile e përfaqësues organizatash joqeveritare, që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut, do të shkojnë në Lezhë. Pikërisht në vendlindjen e Klodit, ku deklarata e tij ka bërë të ndizen gjakrat dhe të zhvillohen protesta. Madje mësohet se familjarët e Klodit, të cilët ende jetojnë në Lezhë, kanë marrë edhe kërcënime me jetë. Kjo është edhe arsyeja pse dy diplomatët do të shkojnë në qytetin veriperëndimor, ku edhe do të japin një deklaratë publike, do të komunikojnë me banorët mbi nevojën e tolerancës dhe të pranimit të homoseksualizmit si një realitet, që tashmë ekziston edhe në Shqipëri. Fillimisht u duk se çështja "Klodi" po përdorej dhe mediatizohej për të folur sa më shumë mbi këtë temë, por duket se situata ka marrë përmasa serioze, përderisa përfaqësuesit e dy shteteve me peshë përfshihen në këtë çështje.
Probleme në familje
Deklarata e Klodit u ka sjellë jo pak probleme familjarëve të tij. Ata jo vetëm janë nën ndjekjen e vazhdueshme të mediave, por edhe u janë nënshtruar kërcënimeve të hapura. Vetë e ëma e Klodit, znj. Lumturi, është shprehur tepër e shqetësuar për shkak të këtyre kërcënimeve që i janë bërë familjes së saj. Ndonëse ajo, së bashku me të bijën janë larguar prej disa vitesh nga Lezha, vazhdojnë të kenë në këtë qytet shtëpinë, por edhe njerëz të afërm, të cilët do të donin t'i vizitonin herë pas here. Por pas zhvillimeve të fundit, duket se kjo nuk është edhe aq e thjeshtë. Kjo situatë ka prishur qetësinë e jetës së tyre dhe nuk e dinë se deri kur do të zgjasë ky makth. Menjëherë pas leximit të letrës në një nga të shtunat e "Big Brother", ajo e dinte se çfarë e priste më tej, ndonëse ende nuk ishte përballur me reagimet e njerëzve. Në një intervistë dhënë për "Panorama plus", ajo thotë se "akoma nuk jam përballur me askënd, por duke ditur se në çfarë ambienti jetojmë, çfarë opinioni na rrethon, pak a shumë e imagjinoj reagimin". Ndonëse e çuditur me lajmin që i dha i biri, të cilin siç thotë, nuk e dinte veç ajo, pasi fëmijët e kishin mësuar me kohë, shprehet se do ta mbështesë edhe më shumë të birin. "Ai nuk ka sjelljen e atij që është çliruar, pasi ka thënë një të fshehtë që e mundonte. Mbase tani ka ardhur momenti që unë t'u kthej borxhin e gjithë atyre viteve që ai është përkujdesur për mua në mënyrë të jashtëzakonshme. Unë duhet ta mbështes, por sikleti i tij qëndron te fakti se ai nuk e di këtë, prandaj edhe vuajtja e tij vazhdon", - është shprehur e ëma e Klodit. Sipas saj, të birin e mundon më së shumti ajo që do t'i ndodhë familjes së tij. "Ai thjesht mendon për mua, për paragjykimet me të cilat do të përballen familjarët e tij. Ju e keni parë që te koka e krevatit Klodi ka të shkruar 'mami të dua shumë'. Qetësia ime është shumë e rëndësishme për të". Ajo gjithashtu nuk e fshehu që dikur mendonte që i biri të krijonte familje, të martohej, madje edhe shpesh e ngacmonte mbi këtë temë dhe ai i përgjigjej se ende nuk kishte gjetur njeriun e duhur.
Shpërngulja
Dje në një njoftim dërguar nga LGTB Pro Shqipëria (që punon për respektimin e të drejtave të minoriteteve seksuale) thuhet se "është vënë në dijeni se familja e Klodian çelës, djalit që deklaroi hapur homoseksualizmin e tij në programin televiziv 'Big Brother', për shkak të kërcënimeve të hapura ndaj jetës së tyre, është shpërngulur nga qyteti i Lezhës në një destinacion që mbetet i fshehtë". Sipas LGTB Pro Shqipëria, shpërngulja e një familjeje të nderuar shqiptare, për shkak të deklarimit të hapur të homoseksualizmit të një individi, është një shfaqe ekstreme dhe e hapur, se të drejtat e njeriut në Shqipëri, dinjiteti dhe vlerat njerëzore, nuk mbrohen, respektohen dhe garantohen". Më tej, ata i bëjnë thirrje çdo individi që beson te demokracia, të drejtat e njeriut dhe te fakti se që të gjithë jemi të ndryshëm, por të barabartë, të dalë publikisht në mbrojtje të jetës së familjes së Klodit.
Vizita e sotshme, ndoshta nuk do të ndryshojë shumë në qëndrimin e lezhjanëve karshi Klodit dhe familjarëve të tij (ndonëse këta të fundit nuk kanë lidhje me preferencat dhe zgjedhjet seksuale të të afërmit të tyre). Nga një forum intelektualësh lezhjanë, zhvilluar nga gazeta "Panorama", dukej qartë që me gjithë tolerancën e treguar dhe dëshirën për ta pranuar individin ashtu siç është, nuk është e lehtë ta pranosh një fakt të tillë. Në një vend, ku familja dhe trashëgimia është ngritur në kult, nuk mund të kuptohet homoseksualiteti, aq më tepër, kur në këtë mes hyjnë edhe parimet fetare, të cilat e dënojnë një gjë të tillë. Megjithatë dukej se ky ishte momenti për të folur për këtë realitet, i cili ka ekzistuar në Shqipëri, ndonëse në heshtje. "Big Brother" duket se e ka pasur Klodin si asin nën mëngë, për të tërhequr më shumë audiencë, për të prodhuar lajm dhe debate.

Shtatzënia e gënjeshtërt e Domenikës
Këtë vit "Big Brother" kishte zgjedhur Domenikën për të luajtur lojën e 1 prillit, ditës së gënjeshtrave. Gjatë gjithë pasdites së 31 marsit dhe 1 prillit, Domenika dhe Seldi janë sjellë si të shqetësuar, pasi vajza kishte mësuar se ishte shtatzënë. Këtë shqetësim e ndanë edhe banorët e tjerë të shtëpisë, të cilët mundoheshin t'u jepnin këshilla e t'i përkrahnin. çka linte të dyshoje se kjo ishte thjesht një lojë, që nuk lidhej thjesht me 1 prillin, por edhe me mënyrën e organizmit të lojës. Së pari, Domenika merr zarfin me rezultatin e analizave nga dhoma e rrëfimeve, çka nuk do të ishte e nevojshme në një rast normal, pasi me një test të thjeshtë, vajza mund të mësonte përgjigjen. Pastaj nguti i Seldit për të ndarë këtë "problem" me banorët e shtëpisë do të ishte jo normal në një rast të zakonshëm. Ishte e qartë që dy të rinjtë donin të shihnin reagimet e banorëve të tjerë të familjes. Ka shumë mundësi që disa syresh të mos e kenë "ngrënë" gënjeshtrën e BB. Madje edhe publiku nuk e ka marrë seriozisht këtë ngjarje, duke e lidhur me 1 prillin, por edhe me përpjekjet për ta bërë ca më interesante lojën e banorëve dhe për të tërhequr vëmendjen e shikuesit. Gjithsesi, dje pasdite vajza nuk e ka vazhduar më lojën dhe duke nxjerrë një jastëk nga bluza ka thënë se ishte gënjeshtër 1 prilli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›