E Shtunë, 31 Tetor 2026

I vë flakën me benzinë kushëririt të sëmurë



LAç - Djeg me benzinë djalin e dajës me të meta mendore. Altin çoku, 26 vjeç, u arrestua pasi u identifikua si autor i kësaj ngjarjeje të rëndë, ku mbeti i plagosur 16-vjeçari T. Gega. Sipas policisë, ngjarja është pranuar nga vetë autori, i cili e ka justifikuar gjithçka me faktin se i dëmtuari i kishte ngacmuar vajzën e xhaxhait. Policia është sinjalizuar për ngjarjen nga urgjenca e spitalit të Laçit. Ndonëse me probleme mendore, Gega ka mundur të tregojë se djali i hallës i kishte vënë atij zjarrin, duke e spërkatur me benzinë. Më pas, arrestimi i Altin çokut bëri të mundur zbardhjen e rrethanave të krimit. Sipas policisë, ngjarja ndodhi në orën 22:30 të së mërkurës, në lagjen nr.2 në Laç. çoku rrëfeu për grupin e hetimit se pasi e kishte marrë djalin e dajës së tij nga banesa, e kishte futur atë në anë të një pallati, ku nuk kishte njerëz, dhe e kishte spërkatur me benzinë. Më pas i kishte vënë zjarrin. Para se t'i vinte flakën, ai e kishte pyetur kushëririn e tij për marrëdhënien me vajzën e xhaxhait të tij. Pasi 16-vjeçari i kishte pohuar atij se e kishte ngacmuar vajzën, Altin çoku është irrituar, duke i hedhur menjëherë benzinë. Ulërimat e 16-vjeçarit kanë bërë që të dalin banorët e pallatit, të cilët me batanije mundën të shuajnë flakët. Më pas i plagosuri u dërgua menjëherë në spitalin e Laçit nga ku po merr trajtimin mjekësor. Blutë mbërritën në vendin e ngjarjes dhe kryen ekspertizën përkatëse. Ata gjetën edhe shishen e benzinës që ishte përdorur, e cila do t'i nënshtrohet ekspertizës shkencore për të evidentuar gjurmët e gishtërinjve. Sipas burimeve, i lënduari do të merret sërish në pyetje në praninë e një eksperti psikolog për të shpjeguar ngjarjen. r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›