Myqerem Tafaj: Kamza, bashki prioritare në buxhetin e qeverisë

Kamëz - kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Xhelal Mziu merr mbështetjen e rinisë dhe të intelektualëve
Ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj premtoi rritjen e investimeve për Kamzën gjatë mandatit të dytë të kryebashkiakut demokrat Xhelal Mziu. Në çelje të fushatës elektorale të kandidatit të “Aleancës për Qytetarin” me të rinjtë dhe të rejat e Kamzës, ministri Tafaj tha se “duke u nisur nga zhvillimi i shpejtë dhe progresi i jashtëzakonshëm që ka bërë qyteti i Kamzës dhe nga puna e shkëlqyer që ka bërë kryetari i bashkisë Mziu në krye të Bashkisë së Kamzës, në krye të Degës Demokratike këtu në Kamëz, e rikandiduam atë për të vazhduar mandatin e tij si kryetar Bashkie”.
“Fitorja e padiskutueshme e Mziu, sipas kreut të MASH, mbështetet edhe faktin se Partia Demokratike e Kamzës është një ndër strukturat më të fuqishme të Partisë Demokratike në gjithë Shqipërinë. “Kamza nuk është më një bashki e harruar siç ndodhi gjatë viteve të qeverisjes së majtë deri në vitin 2005. Bashkia e Kamzës është e para në listën e investimeve të qeverisë Berisha dhe do të jetë e tillë edhe në vitet e ardhshme”, deklaroi ministri Tafaj.
Ai tha se Kamza po bëhet çdo ditë një qytet modern. Kjo sipas tij për faktin se Kamza po zhvillon një infrastrukturë të një qyteti të ri dhe po bëhet një qytet i standardeve më të përparuar. “Fushata jonë ka një moto ‘Alenaca për Qytetarin’. Projektet e Xhelal Mziut do të jenë projektet e çdo familjeje që banon dhe jeton në Kamëz, do të jenë projektet për të gjithë burrat dhe gratë e Kamzës, do të jenë projektet për të moshuarit e Kmamzës, do të jenë projekte për çdo banorë”, tha Tafaj.