“Përgjysmim të taksave vendore, brenda 3-mujorit të parë të marrjes së mandatit”
Kandidati demokrat për bashkinë e Durrësit Ferdinand Xhaferaj, zhvillon takime me përfaqësues të biznesit të vogël përgjatë rrugës “Aleksandër Goga”
Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, zhvilloi një takim dje pasdite biznesin e vogël përgjatë rrugës “Aleksandër Goga”. Gjatë takimit, bizneset e vogla të zonës kërkuan uljen e taksave vendore, si një mundësi për të vijuar dhe zgjeruar aktivitetin e tyre. Në të njëjtën kohë, kandidati Xhaferaj bëri të ditur edhe pjesë të programit të tij që ka të bëjë me marrëdhëniet me biznesin, me politikat e nxitjes së tij, etj.
Në këtë kuadër, ai premtoi se “do të përgjysmojë taksat vendore.”
“Brenda 3-mujorit të parë të mandatit tim, tha kandidati demokrat Xhaferaj, do të përgjysmohen taksat e biznesit të vogël, në mënyrë që kjo kategori biznesi të ecë para dhe të krijojë më shumë mundësi punësimi”.
Më pas, kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për Bashkinë e Durrësit, i shoqëruar edhe nga deputeti demokrat Gazmend Oketa, zhvilloi një bashkëbisedim me një pjesë të banorëve të lagjes nr. 5 të qytetit. Fillimisht, deputeti Oketa bëri një përmbledhje të aktivitetit politik të kandidatit Xhaferaj, duke e cilësuar si “një mik i mirë dhe një qytetar i devotshëm i qytetit të Durrësit”. “Kjo është një garë e jona, jo e Fredit, tha Oketa, prandaj ta perceptojmë si një garë ku do të fitojë qytetaria durrsake.”
Kandidati Xhaferaj bëri një përmbledhje të programit të tij, duke theksuar se pikat kyce të zhvillimit të Durrësit janë “turizmi, transporti, tregtia”. “Do të synojmë, shtoi Xhaferaj, që brenda mandatit 4-vjeçar buxheti i Bashkisë të rritet ndjeshëm përmes zgjerimit të bazës fiskale, buxhet ky i cili do të vihet plotësisht në shërbim të qytetarëve. Do të jetë prioritet transporti urban unazor dhe do të ndërtohet porti i peshkimit.”
Shkozet, Xhaferaj: Zhvillim tërësor dhe urbanizim të zonës
Familjet e sistemuara në apartamentet e ndërtuara nga Enti Kombëtar i Banesave në Shkozet ishin pjesë e takimeve që kandidati demokrat për Bashkinë e Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, vijon të zhvillojë me banorët e qytetit bregdetar, për të dëgjuar hallet e problemet e tyre, si edhe për t’iu bërë atyre të njohur programin e tij. Në Shkozet, në dy godinat e ndërtuara që para tre vjetësh nga Enti Kombëtar i Banesave, janë sistemuar 48 familje. Por, që prej vendosjes atje, Bashkia i ka harruar krejtësisht ata. Ata nuk kanë rrugë, mjedisi i ngjan një vendgrumbullimi plehrash, etj. Kandidati Xhaferaj, i shoqëruar nga deputetët Igli Cara dhe Eduard Halimi, kanë dëgjuar problemet e tyre, ku më shumë banorët theksuan harresën më të cilën janë trajtuar nga Bashkia dhe kryebashkiaku aktual Vangjush Dako.
Kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, i cili në këto zgjedhje për kreun e Bashkisë së Durrësit është përballë kryebashkiakut aktual Dako, tha se “i njoh mirë problemet e kësaj zone”.
“Unë i njoh mirë problemet e kësaj zone, u tha Xhaferaj banorëve, dhe jam këtu për t’iu treguar atë që do të bëjmë për të ardhmen. Patjetër që plehrat do të hiqen dhe rruga do të shtrohet, por kërkohet shumë më tepër se kaq. Ajo çfarë kërkohet është një plan zhvillimi tërësor për këtë zonë këtu. Unë pikërisht për këtë jam këtu, t’ju premtoj se, pikësëpari, ju nuk do të jeni më të harruar dhe, së dyti, për t’iu treguar se ne do të aplikojmë projekte zonale të zhvillimit, ku edhe kjo zonë do të urbanizohet me të gjithë elementët që ka nevojë”, u shpreh kandidati demokrat, Xhaferaj.
Njëkohësisht, Xhaferaj zhvilloi një seri takimesh me banorët dhe biznesin e vogël në rrugicat karakteristike të zonës së qytetit prapa godinës së Bashkisë, një prej lagjeve të vjetra e cila është duke u rrënuar dita-ditës. Në bashkëbisedimet që kandidati demokrat pati me ta, dëgjoi shqetësimet kryesore të tyre, që ishin pastrimi, gjelbërimi, mungesa e investimeve në infrastrukturë, rrënimi i disa prej vlerave kulturore-historike të qytetit, taksat e larta vendore, etj.
Xhaferaj përsëri një nga pikat e rëndësishme të programit të tij, që është përgjysmimi i taksave vendore për biznesin e vogël. Ai shtoi se “Bashkia do të ndërtojë një marrëdhënie të re me biznesin e vogël dhe nuk do ta shohë më atë vetëm si burim për të vjelë taksa.” “Në programin tonë, tha Xhaferraj. Bashkia ka edhe detyrime përkundrejt biznesit të vogël, të cilat duhen përmbushur me çdo kusht. Por, më e rëndësishme sipas tij, është rivitalizimi i kësaj zone të vjetër dhe karakteristike për qytetin. Vlerat kulturore-historike të Durrësit duhet të ruhen, ato duhet të rivitalizohen, që të shtohet oferta turistike që jep qyteti”, tha Xhaferaj.
Kandidati demokrat Xhaferaj zhvilloi një bisedë të shkurtër edhe me monsinjor Damian Kurtin, famullitari i Katedrales “Shën Luçia” e cila gjendet në këtë zonë të qytetit bregdetar dhe ku vetëm para pak kohësh u rivarrosën eshtrat e patriotit të madh Dom Nikoll Kaçorri, dhe shkëmbyen mendime rreth nevojës për të ruajtur ndërtesat e vjetra të zonës.