E Shtunë, 31 Tetor 2026

Myslimanët Selim Muça padit kundërshtarët

TIRANE- Selim Muça përballet sërish në gjykatë me kundërshtarët e tij. Përmes një padie civile të depozituar në gjykatën e Tiranës, Komuniteti Mysliman Shqiptar kërkon dëmshpërblim nga Ilir Vokshi, myfti i Durrësit; Betim Truçi, sekretar i përgjithshëm i KMSH-së; Ali Hallaçi, myfti i Kukësit; Bujar Topçiu, myfti i rrethit të Krujës (të shkarkuar, por me vendim të gjykatës së Tiranës janë rikthyer në detyrë). Përplasja mes Muçës dhe katër të paditurve ka nisur prej kohësh gjatë një tentative të këtyre të fundit, që përmes një mbledhjeje që sipas KMSH-së ishte ilegale, vendosën për shkarkimin e kreut Selim Muça. Pikërisht ky veprim i katër “rebelëve” është konsideruar mjaft i rëndë, që KMSH pretendon se i ka shkaktuar një dëm të madh moral, natyrisht i ka dëmtuar rëndë dhe imazhin. Në fakt, pa kaluar as 24 orë nga kjo mbledhje, Selim Muça mblodhi strukturat e Komunitetit dhe vendosi shkarkimin e kundërshtarëve. Edhe pse Ilir Vokshi, Ali Hallaçi, Betim Truci dhe Bujar Topçiu kanë fituar betejën e parë me KMSH-në, pasi gjykata e Tiranës vendosi për rikthimin e tyre në detyrat e mëparshme, tashmë e shohin sërish veten në rolin e të paditurve. Objekti i padisë civile të KMSH-së është “Shpërblim i dëmit jopasuror (moral)” dhe ka të bëjë pikërisht me veprimet e katër kundërshtarëve të Muçës, të cilët u mblodhën dhe vendosën shkarkimin e këtij të fundit. Ndërsa nuk hezituan ta akuzonin për uzurpim të KMSH-së.
Dëmshpërblimi
Nuk bëhet fjalë për ndonjë dëm ekonomik. Katër ‘kundërshtarëve’ të Selim Muçës do t’u duhet të përballen sërish me drejtësinë dhe këtë herë për atë që cilësohet si dëmi moral që i kanë shkaktuar KMSH-së me veprimet e tyre të paligjshme. Bëhet fjalë për mbledhjen e shumëdiskutuar që Ilir Vokshi, Ali Hallaçi, Betim Truci, organizuan duke shkarkuar më pas kreun e KMSH-së Selim Muça. Ky veprim, sipas Komunitetit është jo vetëm antiligjor, por e ka dëmtuar rëndë imazhin duke u shkaktuar një dëm të pariparueshëm moral. Ndaj KMSH-ja ka vendosur t’i padisë “kundërshtarët” e Selim Muçës dhe t’u kërkojë dëmshpërblim për dëmin moral që i kanë shkaktuar institucionit. Çështja e regjistruar tashmë në gjykatën e Tiranës mban nr.9621. Shorti elektronik ka përcaktuar gjykatësen Manjola Bejleri për ta shqyrtuar atë. Por, gjykatësja Bejleri është e detyruar të japë dorëheqjen nga çështja, pasi më herët ka shqyrtuar padinë e katër “kundërshtarëve” të Muçës dhe ka vendosur për rikthimin e tyre në detyrat e mëparshme.
Përplasja
Shtatë muaj më parë katër të paditurit u mblodhën dhe vendosën shkarkimin e Selim Muçës si kreu i KMSH-së. Vendimi u cilësua antiligjor në shkelje të statutit dhe rregullores së brendshme të KMSH-së. Në kundërpërgjigje, Selim Muça mblodhi strukturat dhe shkarkoi katër kundërshtarët. Më 12 dhjetor 2010, Ali Hallaçi, Betim Truci, Bujar Topçiu dhe Ilir Vokshi iu drejtuan gjykatës së Tiranës dhe kërkuan shpalljen e pavlefshme të vendimeve të kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së, duke pretenduar se ishin marrë në shkelje të statutit. Gjykata pasi e shqyrtoi çështjen, vendosi të pranojë padinë e tyre dhe të konstatojë si absolutisht të pavlefshme vendimet për shkarkimin e Hallaçit, Trucit, Topçiut dhe Vokshit. Nëse vendimi mbetet në fuqi edhe në Gjykatën e Apelit Tiranë, katër “të ndëshkuarit” do të rikthehen në detyrat e mëparshme pranë KMSH-së.
(Klodiana Lala/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›