E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, 83-vjeçari hidhet nga kati i pestë i pallatit

 

ETLEVA DELIA

Një i moshuar i dha fund jetës duke u hedhur nga kati i pestë i pallatit ku banonte në Tiranë. Zef Nika, 83-vjeç, gjeti vdekjen e menjëhershme pas përplasjes në tokë, e cila i ka shkaktuar hemorragji të brendshme. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 16:30, në rrugën e Kavajës, në një pallat përballë Ministrisë së Kulturës në kryeqytet. Policia që ka shkuar menjëherë në vendngjarje, pasi ka kryer të gjitha veprimet ka marrë në pyetje familjarët, të cilët kanë qenë në shtëpi në momentin që i moshuari ka dalë në ballkon dhe është hedhur. Burime nga policia bënë të ditur për gazetën “Panorama” se 83-vjeçari Nika nuk ka pasur probleme me familjarët, por sipas dëshmive të tyre prej disa vitesh ai vuante nga skleroza. Një grup pune nga Komisariati nr.3 dhe oficerë të Sektorit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, është ngritur për të hetuar shkaqet e vetëvrasjes, ndërkohë që paraprakisht specialistët nuk kanë përcaktuar ndonjë motiv konkret të kësaj ngjarje të rëndë, përveç ndonjë krize nervore që mund t’i jetë shkaktuar nga sëmundja, prej të cilës vuante prej disa vitesh.
VETEVRASJA
Ka qenë ora 16:30, kur në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Tiranës ka mbërritur një telefonatë që lajmëronte për një vetëvrasje në rrugën e Kavajës. Disa kalimtarë të rastit që kanë parë një burrë që ka rënë nga kati i pestë i pallatit kanë lajmëruar menjëherë policinë. Në një kohë kur familjarët ende nuk dinin asgjë për ngjarjen, ka qenë Mark Nika, djali i të moshuarit që ka nisur të kërkojë nëpër shtëpi për babain, i cili krejt papritur ishte ngritur nga tavolina kur pjesëtarët e tjerë të familjes po hanin drekë dhe kishte dalë nga dhoma. Duke hapur të gjitha dyert e dhomave me radhë, Nika ka parë nga ballkoni që disa persona ishin mbledhur rreth një personi që ishte i shtrirë në tokë dhe menjëherë ka zbritur poshtë duke parë që ai ishte babai i tij. I alarmuar, ai ka njoftuar policinë, në një kohë që brenda pak sekondash një ambulancë ka mbërritur në vendin e ngjarjes. Ai është pyetur nga policia dhe ka deklaruar se herë pas herë Zef Nika ikte nga shtëpia, pasi prej disa vitesh vuante nga skleroza. Gjithashtu ai ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë lloj debati dhe as vetë nuk ishte në gjendje të përcaktonte se çfarë e kishte shtyrë babain e tij të vetëvritej. Familja Nika kishte disa vite që kishte ardhur nga Puka dhe jetonin në Tiranë dhe përveç sëmundjes së të moshuarit nuk kishin pasur asnjë problem tjetër. Trupi i pajetë i 83-vjeçarit është dërguar në morgun e kryeqyteti, ku pas autopsisë ka rezultuar se nga përplasja me tokën, ai kishte pësuar hemorragji të brendshme dhe dëmtime të rënda të organeve jetike, që për pasojë i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Oficerët e Sektorit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit kanë marrë në pyetje edhe familjarët e tjerë të viktimës, për të mësuar më shumë rreth shkaqeve që e kanë çuar 83-vjeçarin në vetëvrasje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›