PS: Loja e Berishës me referendumin, për të shmangur përballjen me realitetin e hidhur
Partia Socialiste është shprehur gjatë ditës së sotme me anë të deputetit Ditmar Bushati, se Berisha prej javësh të tërë është duke u marrë me referendumin e imuniteteve, për të shmangur përballjen me realitetin në vend.
Sipas Bushatit, Berisha kërkon të shmanë situatën e krimit dhe vrasjeve, situatës së zjarreve, korrupsionit, nisjes së bisedave fshehtasi për detin etj.
U bënë disa javë që Sali Berisha flet e përbetohet për heqjen e imunitetit dhe për vendosmërinë e tij për të mbajtur një referendum pa kundërshtar për këtë çështje, duke i bishtnuar përballjes me realitetin e përditshëm që përjetojnë qytetarët e zakonshëm të këtij vendi; me krimin që po bën kërdinë rrugëve duke marrë çdo ditë jetë njerëzish të pafajshëm; me zjarrin që po përhapet në çdo cep të Shqipërisë, me detin që nuk po nxjerr mësime nga marrëveshjet antikombëtare e antikushtetuese; me thellimin e varfërisë e pabarazisë, si pasojë e privatizimeve plaçkitëse dhe sipërmarrjes klienteliste.
Në fakt, çdo shqiptar e ka tanimë të qartë se zelli i Kryeministrit për heqjen e imunitetit dhe referendumin pa kundërshtar është një përpjekje e dëshpëruar për të fajësuar opozitën për korrupsionin e qeverisë e klientëve të saj, e për të darovitur sadopak nga vetja përgjegjësinë historike për dështimet në procesin e integrimit Europian, ka thënë Bushati.
Sipas tij, thirrja e Berishës për referendum është qesharake, duke qenë se nuk ka palë kundërshtare. Kjo, duke qenë se PS është pro kufizimit të imuniteteve.
Thirrjet për referendum janë absurde. Referendumi ska kundërshtar pasi Partia Socialiste e ka deklaruar prerë me fjalë e vepra dhe në mënyrë të përsëritur se është PRO kufizimit të imunitetit, PRO çrrënjosjes së kulturës së pandëshkueshmërisë, PRO ndarjes së shtetit nga pushteti. Madje vetë drafti i ndryshimeve kushtetuese për imunitetin për të cilin diskutohet në thelb është ai i propozuar nga Partia Socialiste.
Për më tepër, kushdo që i njeh sadopak ligjet e këtij vendi dhe ndjen përgjegjësi për fatin Europian të Shqipërisë, e ka të qartë se nuk ekziston asnjë lloj mundësie që ky referendum pa kundërshtar për të cilin flet Sali Berisha të mbahet përpara ditës kur Bashkimi Europian vendos për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, tha Bushati.
Gjatë fjalës së tij, Bushati është shprehur se PS shpreson ende tek marrja e statusit, por që të arrihet kjo, duhet të plotësohen të gjitha kriteret, jo vetëm kufizimi i imuniteteve.
Për ne socialistët, integrimi Europian përbën një objektiv kombëtar. Marrja e statusit të vendit kandidat – në këtë kontekst – është një stacion i rëndësishëm në rrugëtimin tonë Europian. Ndaj, të gjitha energjitë, brenda muajit shtator, duhet të përqendrohen tek përmbushja e 12 prioriteteve kryesore të identifikuara nga Opinioni i Komisionit Europian për Shqipërinë, të cilat nuk mund të reduktohen thjesht e vetëm tek kufizimi i imunitetit.
Më konkretisht:
Ne duam të zhvillojmë diskutimet për paketën e propozimeve të opozitës për reformën në drejtësi dhe votimin për imunitetin në Parlament, brenda muajit shtator, sepse duam ti japim statusit të vendit kandidat një shans në tetor. Ndërsa Sali Berisha do lojën e referendumit pa kundërshtar.
Ne duam të përmbyllim një orë e më parë reformën parlamentare, sepse duam ti japim statusit të vendit kandidat një shans në tetor. Ndërsa Sali Berisha do lojën e referendumit pa kundërshtar. Pasi vijon të shkelë Kushtetutën dhe rregullat parlamentare, duke mos u ballafaquar me deputetet e opozitës në Parlament. E duke e kthyer këtë të fundit në një shtojcë të qeverisë së tij.
Ne duam që brenda muajit shtator Parlamenti të njihet me planin e masave të qeverisë për zbatimin e infrastrukturës zgjedhore, sepse duam ti japim statusit të vendit kandidat një shans në tetor. Ndërsa Sali Berisha do lojën e referendumit pa kundërshtar, përfundoi Bushati.