E Shtunë, 31 Tetor 2026

N dhe N’



Artan FUGA

Përfundimisht vendi ynë u bë anëtar me të drejta të plota i aleancës më të fuqishme ushtarake të botes, NATO. Kampet politike, të shtyra nga përkrahja e gjerë e publikut për këtë anëtarësim, janë përfshirë në garën e kreditimit publik dhe kreditimit ndërkombëtar për meritat e anëtarësimit, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Oketa, në një intervistë ekskluzive për “standard” deklaroi se ratifikimi i protokolleve të NATO-s në Parlamentin shqiptar ka ndryshuar Kushtetutën. Në këtë kontekst duket se anëtarësimi në NATO-ja është e një rëndësie të veçantë. Si e shikoni ju Shqipërinë anëtare me të drejta të plota të NATO-s?

Pas ndryshimeve rrënjësore të ndodhura në vendet e Lindjes, të cilat sollën përmbysjen e shoqërive totalitare, u shpërbë edhe pakti i tyre ushtarak, Traktati i Varshavës. Në të vërtetë Shqipëria kishte dalë prej andej faktikisht qysh me prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik në atë fillim të hershëm të viteve ’60, dhe juridikisht në vitin 1968, pas agresionit të tij ndaj Çekosllovakisë. Pas rënies së komunizmit, pati njerëz që mendonin se edhe NATO nuk do të kishte më funksionin e vet legjitimues sa kohë që kampi ideologjik dhe ushtarak përballë nuk ekzistonte më. Shqipëria që kishte ndenjur atje për më se një dekadë kishte gjykuar të dilte prej andej.

Jeta dhe faktet e ngjarjeve dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në vitet ’90 dhe në këtë dekadë të parë të shekullit të njëzetenjë treguan se dobishmëria e NATO-s nuk u ul, por përkundrazi ajo ruajti dhe zhvilloi funksione të rëndësishme politike, ushtarake dhe sociale.

Sot është e vështirë të gjendet një force ushtarake dhe teknologjike veç saj që të ruajë rendin ndërkombëtar.

Ky është një problem i madh. Rendin në çdo shtet e ruan autoriteti legjitim shtetëror, e drejta e brendshme e çdo shteti, kurse, sikurse kanë theksuar që prej Kantit e këtej, në marrëdhëniet ndërkombëtare ende nuk ka të shpikur nga raca jonë njerëzore, prej mijëra vjetësh,një mekanizëm që të vendosi të drejtën po ashtu sikurse njerëzimi ka shpikur mekanizmin shtetëror brenda çdo vendi ku autoritetin e dhënies së drejtësisë dhe të ndëshkimit e ka forca publike, kurse qytetarët, të privuar nga vetëgjyqësia, kanë të drejtë nga ana e tyre të jenë të siguruar në paqen e jetën e tyre.

Kjo nuk ekziston në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ky është një nga problemet më të mprehta të këtyre dymijë vjetëve të fundit.

OKB as sot dhe as dje nuk e ka këtë fuqi as si autoritet volitiv dhe juridik dhe as si realitet ushtarak. Atëherë kush do ta ruajë rendin botëror nga pikëpamja e shoqërive perëndimore dhe ndofta më gjerë? Nuk ka tjetër në kushtet aktuale veçse NATO. Secila vatër e madhe civilizuese sot në një farë mënyre, në një shkallë apo në një tjetër, po ecën drejt ndërtimit të mburojës së vet ushtarake dhe krijimit të ruajtësit ndërkombëtar të rendit, ose zonal, pra rajonal. Fëmijët tanë do të shohin se çfarë do të dalë që këtej.

Ka njerëz që mendojnë se ndofta vende të vegjël si Shqipëria mund të mos përzihen në pakte ushtarake dhe të mbajnë atë pozitën e tërhequr të imponuar nga rrethanat e dikurshme.

Për ta kuptuar këtë po ju tregoj një histori të vërtetë nga jeta e përditshme. Në një klasë shkolle nxënësit do të duhej të bënin vaksinën kundër sëmundjeve infektive të kohës. Falas. Të gjithë e bënë me përjashtim të një nxënësi të vetëm. Pas shumë përpjekjesh, asgjë nuk u arrit sepse nxënësi në fjalë nuk pranonte ta bënte këtë vaksinë duke thënë se familja e tij e kishte të ndaluar të pësonte bërjen e vaksinave për shkak të besimeve të veta fetare. Drejtori i shkollës thërriti prindin e këtij nxënësi duke i thënë se bërja e vaksinës ishte mjeti më i mirë për ta mbrojtur fëmijën e tij nga sëmundjet infektive, të cilat mund t’i rrezikonin jetën dhe shëndetin. Por, prindi u mbrojt duke thënë se deri në atë çast fëmijën e tij nuk e kishte gjetur asgjë. Atëherë përse duhej bërë vaksina? Drejtori i shkollës iu përgjigj: Po, zotëri, fëmija juaj deri tani ka shpëtuar sepse të tjerët, pikërisht, e kanë bërë vaksinën dhe ai nuk ka se nga e merr sëmundjen ngjitëse, por sikur të gjithë të vepronin si ju atëherë do të kishit parë qartë se jeta e fëmijës suaj do të ishte gjithmonë e rrezikuar. Prindi bestyd nuk kishte se çfarë të thoshte.

Në fakt, ne një çikë si popull jemi mësuar që të tjerët të luftojnë për ne. Por, përgjegjësitë ndërkombëtare të çdo kombi dhe shteti nuk mund të anashkalohen duke menduar se ka kush mendon për ne në planin ndërkombëtar. Fjala MARRËDHËNIE edhe në planin ndërkombëtar ka një kuptim parësor veç kuptimeve të tjera politike dhe juridike, është një MARRJE dhe DHËNIE. Me një fjalë aq sa do të marrësh edhe do të japësh. Të bësh pacifistin në qoshen tende të globit, duke pritur që të mos të kapi asnjë cifël sa kohë që për paqen botërore investojnë të tjerët, nuk më duket një logjikë e shëndoshë, së paku nuk më duket se të tjerët kanë arsye ta pranojnë. Kësaj i thonë të përfitosh nga fakti i vaksinimit të tjerëve.

Pacifisti është një egoist.

Nuk besoj se ka nevojë të argumentohet se kombi shqiptar ka zgjedhur lirisht dhe spontanisht ta lidhë fatin e tij me civilizimin perëndimor. Nuk do të rri të nxjerr fakte historike qysh nga lashtësia e deri më sot. Bile do të thosha se rasti ynë është i tillë që këtë zgjedhje në thelb shqiptarët e kanë bërë spontanisht, jashtë kuadraturave juridike dhe përtej vullnetit të klasës politike. Pra është një vullnet i kulluar. Para se ta bëjë Kuvendi atë ratifikim, e kanë bërë shqiptarët. Klasa politike në qeverisje sot nuk po bën tjetër veçse atë që shenjat masive popullore e kanë treguar si vullnet të përgjithshëm.

Këtu dy janë këto shenja masive epokale: Së pari, përmbysja e regjimit politik totalitar në kërkim të një sistemi politik dhe kushtetues e më tej të një modeli social perëndimor të shtetit që quhet i së drejtës në një ekonomi që etiketohet si e tregut (fjalët nuk janë fort në përputhje me realitetin, por thjesht përafrime ideologjike të tij). Shqiptarët këtë e kërkuan spontanisht dhe me një vullnet që i kapërceu kufizimet juridike të kohës. Nga ana tjetër, si faktor simbolik i dytë, shënoj emigrimin masiv shqiptar drejt vendeve perëndimore, të NATO-s ose të Bashkimit Evropian, çka dëshmonte shigjetën e fushave tërheqëse për vullnetet e tyre kolektive. Klasa politike ka ecur andej nga tregoi se është vullneti popullor.

Me NATO-n shqiptarët i lidh edhe fakti që me ndihmesën e saj u çliruan kosovarët. Shqipëria jep tashmë kontributin e saj për pajtimin e zonave të nxehta në botë. Ajo garanton sovranitetin e saj në Ballkan aq të cenuar në shekuj si edhe rendin e vet demokratik të ndërtuar mbi bazën e parimeve të lirisë. Nuk e kanë keq ata që e lidhin hyrjen në NATO sot me pohimin e lirisë si realitet juridik dhe politik.

Sigurisht që hyrja në NATO, jo vetëm ajo, por edhe hyrja në Bashkimin Evropian, për të cilën unë jam partizan që klasa politike të paraqesë sa më shpejt atje kërkesën për anëtarësim, do të kërkojnë edhe një rishikim të Kushtetutës. Por, nuk jam aspak dakord me ju kur relatoni se ratifikimi i hyrjes në NATO ka ndryshuar Kushtetutën automatikisht. Një traktat ndërkombëtar, sado të qëndrojë mbi të drejtën kombëtare vendase, përsëri kërkon që e drejta vendase të riformulohet juridikisht. Ne dimë që Kushtetuta do të ketë në këtë plan një “kostum” të ngushtë, pra do të jetë e tejkaluar, por kjo nuk mjafton. Ajo duhet riformuluar në mënyrë pozitive. Veç asaj që dimë se ajo nuk do të përputhet me realitetet e reja, duhet të dimë edhe sesi do t’i formulojë juridikisht këto realitete. Por, kjo nuk është çështje që e zgjidh ministri i mbrojtjes. Këtu detyra mendoj se është e lehtë edhe sikur të zgjidhet me referendum popullor. Argumentet i kam dhënë më sipër.

Nuk ka kuptim që të bëhet edhe një ngatërrim i hatashëm duke përzierë, sikurse thoshte filozofi Alfred Ayer, ngjarjen reale N, me argumentimin dhe relatimin e saj në publik, pra me ngjarjen N’. Sado të lidhura të jenë këto ngjarje, ato nuk mund të ngatërrohen me njëra-tjetrën. E them këtë sepse disa kritizerë të çdo fjale që “fluturon” në qiell, gjahtarë të saj, në vend të analizojnë ngjarjen reale, atë pra ngjarjen N, merren me ngjarjen N’, pra me mënyrën sesi ngjarja reale i serviret publikut. Këto janë dy çështje fare të ndryshme. Jo se mua më duket keq edhe kjo e dyta, përkundrazi, sloganet politike atë natyrë simplifikuese kanë në çdo skaj të botës, por sepse sidoqoftë janë dy ngjarje të ndryshme. Sigurisht që kur qeverisë i kërkon përgjegjësitë për aksidentet fatkeqe të ndodhura, nuk ka kuptim t’i mohosh asaj sukseset në planin politiko-ushtarak, sikurse është edhe drejtimi i vendit drejt objektivave të pranuara qysh më parë. Në këtë periudhë të fundit finalizuese të katër viteve të fundit, suksesi mund t’i atribuohet pa frikë kryesisht asaj. Etapat e tjera që janë realizuar nën qeverisje të tjera, janë suksese të atyre qeverive. Është si një rrugë në ndërtim. Segment ndërtohen nga firma të ndryshme. Por, çdo segment, pra edhe ai më i rëndësishmi, i periudhës finalizuese, mban firmën dhe vulën e firmës ndërtuese që e ka bërë. Nuk ka kuptim fare të thuash që koalicioni që qeveris vendin kërkon të përfitojë politikisht duke ia atribuuar vetes suksesin e pranimit në NATO. Pse opozita që e kritikon këtë mënyrë të të parit të gjërave, a nuk e bën edhe ajo për qëllimet e saja politike këtë kundërshti ? Kjo është politika në propagandë. Por, kjo nuk është ngjarja N, është ngjarja N’.

Në Londër u mbyll takimi i G20-s, që janë 20 vendet që përfaqësojnë 85% të ekonomisë botërore. Nga takimi ata dolën me 6 pika ku synohet forcimi i monitorimit të financave globale, parajsat fiskale, paketat stimuluese, rritja e rolit të FMN-së dhe të tjera. Por më e rëndësishmja duket se është premtimi për ndërtimin e një tjetër lloj kapitalizmi. Cili është opinioni juaj?

Kapitalizëm i një lloji tjetër? Nuk e besoj dhe as e shpresoj. Përgjithësisht modelet sociale dhe ekonomike lindin vetiu, spontanisht, si pasoja të vullneteve spontane, te paparashikuara të masave të mëdha njerëzish, si transformime anonime. Nuk ndryshohet një sistem ekonomik dhe politik me vullnete qeveritaresh sado të fuqishëm që të duken këta në çastin që janë në pushtet.

Tjetër është jeta e shoqërive dhe tjetër janë vullnetet e shprehura në mbledhje qofshin si kjo e Londrës që mbahet në një kohë krize financiare dhe ekonomike. Utopitë, ka argumentuar Karl Popperi janë jo vetëm të rrezikshme, por edhe të kota sepse ato nuk realizohen dot kurrë. Para ngjarjeve të paparashikueshme njerëzore, konstruksionet utopike qe pretendojnë ndryshimin e botës dalin shpejt jashtë “shinave”, nuk përputhen me rrjedhat reale të dukurive ekonomike, e për pasojë, shfaqen pas një kohe si iluzione.

Qeveritarët e lartë të botës kanë në dorë të marrin ato masat që përmendni ju, dhe bëjnë shumë mirë, e kanë detyrë përpara njerëzimit, që ky mos shkatërrohet, është përgjegjësia e tyre globale. Kurse për të ndërtuar një kapitalizëm të ri vështirë se me të vërtetë do t’ju shkonte ndërmend ta krijonin. Janë aq shumë inteligjentë sa për të mos e pretenduar këtë, ndonëse ndonjë slogan për mediat dhe publikun edhe e lëshojnë. Por, kjo nuk është ngjarja N, është ngjarja N’.

Njeriu është shumë i vogël para funksionimit gati mistik të proceseve sociale dhe ekonomike. E humbet mendjen kollaj si një lepurush i vogël në një pyll gjigand. Sa i fortë duket njeriu, aq e dobët është nga ana tjetër qenia njerëzore.

Ku e di njeriu se ai kapitalizmi i ri do të ishte më i mirë se ky kapitalizmi i tanishëm? Ka Zot që mund ta dijë këtë ? Apo mendohet të ndërtohet shoqëria perfekte, pa drama, pa shembje, pa tensione, pa padrejtësi ? Oh, boll, nuk është e mundur. Po të fillojë edhe kapitalizmi të ndërtojë një shoqëri të re, kështu në mënyrë fondamentaliste, nga rrënjët, pra, do të na kujtojë ndërtimin e shoqërisë së re socialiste.

Zaten në kohë krizash njeriu për të marrë fuqi, nis e shpreson, ëndërron se që këtej e tutje :

do të ndërtojë një botë të re,

do të sillet mirë,

do të respektojë pleqtë,

do të kujdeset për të vejat dhe jetimët,

do të japi lëmoshë për lypësit,

do të shkojë çdo javë në varreza,

por sapo kriza dhe vështirësia kalojnë, nis edhe bëhet përsëri një aventurier i pashoq, shan, shkon nëpër bingo, bredh rrugëve natën. Kështu e ka njeriu. Ideologët e kohës së krizës së viteve ’30 mendonin se do të ndërtonin një shoqëri të re, të programuar, kurrë më kriza të mos kishte. Pas nja dyzet vjetësh që nga ajo kohë, kur kapitalizmi po lulëzonte përkohësisht pas Luftës së Dytë botërore, brezi i vjetër, me kujtesë, kishte dalë në pension, lozte tavëll. Të rinjtë, financierët e shkathët dhe finokë, në kohë bollëku, nisën të shkruajnë e të veprojnë sipas logjikës : E çfarë na duhet programimi, kontrolli mbi proceset financiare, solidariteti social. Ne na mjafton liria. Ishin bijtë e horizonteve të ngushta dhe fatkeqe të një bollëku të madh që vjen pas çdo lufte. Pasi ecën kështu ca dekada tani përsëri dëgjojmë njeriun e penduar që thotë : Ah, sa gabim paskam bërë, duhet të ndërtoj tani një shoqëri të re, me kontroll e solidaritet.

Keni ju besim se pasi të dalin nga kjo gjendje njerëzit dot të vazhdojmë të sillen si të moralshëm ? Unë nuk kam besim.

Ku e dimë ne se çfarë mendsh do të kenë ata që do të vijnë pas një shekulli, që të shpresojmë se kjo që ne mendojmë sot për ta do të jetë diçka e mirë ?

Unë kam besim këtu te Volteri, i cili shkruante se ne jetojmë në botën më të mirë të mundshme. Jo se ajo është e mirë, por sepse ne nuk kemi mundësi me një vendim tonin të ndërtojmë një botë më të mirë. Qenia është ajo që është, katastrofike, e padrejtë, iluzive,

pas bollëkut fshihet mjerimi,

pas paqes fshihet lufta,

pas jetës fshihet vdekja,

pas rinisë që ikën shpejt fshihet pleqëria disi e lodhshme dhe që kërkon heroizëm për t’u përballuar,

pas rritjes së rrogave fshihet inflacioni,

pas pijetores fshihet spitali,

e kështu në pafundësi.

Dhe ju shpresoni te ndërtimi i një kapitalizmi të mirë, i një socializmi të mirë, i një feudalizmi të mirë, tek UFO-t e mira? Jo, bota është një lëvizje e përhershme mes së mirë dhe së keqes dhe një model social tej krizave nuk ka arsye ta besojmë se do të krijohet ndonjëherë. Është i paaftë njeriu për këtë. Ai mund të bëjë hapa inxhinierike, të pjesshëm, të kthyeshëm, të korrigjueshëm, kurse projektet fondamentaliste, thelbësore, kanë dalë përherë pa rezultat pozitiv. Në këtë kuptim, jam voluntarist, pra shpresoj te reformat e pjesshme, të verifikueshme, të korrigjueshme, teknike, të kthyeshme pas, gjithmonë joperfekte, duke bërë më të mirën e mundshme në atë kohë. Çdo reformë ka veset e veta.

Kundër moralistëve utopikë, unë pohoj se e pastra është e përzierë me të ndytën, gjithmonë, në çdo kohë. Nuk fliste kot Sartri për “duart e ndyta”, që janë fatalisht duart e njeriut që ndërton, që punon, që krijon institucione. Nuk nënkupton korrupsionin e dënueshëm në çdo rast. Kështu do ta kuptonte ndonjë që nuk di t’i lexojë tekstet. Flitet për atë se nuk mund të ketë vetëm modele sociale të mira, të mbrojtura nga e keqja, drama, vuajtja, padrejtësia. Përndryshe kemi utopinë.

Duart i kanë të pastra vetëm ata që “punojnë” me anë të gojës, pra vetëm flasin, flasin, flasin, shumicën e kohës kot fare.

Duhen menduar gjërat thellë me këtë rast krize. Koncepti tradicional i ligjit të hekurt ekonomik po qarkullon si koncept përsëri në mjediset tona mediatike. Kriza po duket si fatalitet dhe pyetet vetëm: A do të na prekë apo jo? Kurse problemi nuk është fare, po fare, aty, problemi është gjetiu: Si të bëjmë që të dalim të fituar e të riadaptuar nga kjo krizë? Kështu shtrohet çështja. Prirja ekonomike është një mundësi veprimi brenda kundërshtish dhe jo një fatalitet bestyd i veshur me “konceptin shkencor” të ligjeve të hekurta ekonomike.

Ja për shembull unë pyes: Ka kuptim të flasim për transparencë në jetën demokratike kur sekreti bankar nuk është transparent?

Kjo m’u kujtua tani sa për ta bërë lexuesin tonë të mendojë ndofta mbi të gjatë kësaj fundjave.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›