“Minjtë...”
Nga Reshat Kripa
Më datën 4 prill 2009, në një nga sallat e Hotel Tirana International, zhvillon punimet Kongresi XVII i Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, shoqatë e krijuar në vitin 1992, menjëherë pas ndryshimeve demokratike të ndodhura në vendet e Evropës Lindore që kishin vuajtur nga regjimet komuniste. Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë është bërë anëtare me të drejta të plota e kësaj organizate, si përfaqësuese e vetme e vendit tonë, qysh me themelimin e saj, në vitin 1995 dhe që nga ky vit ka marrë pjesë rregullisht në të gjitha kongreset e zhvilluara gjatë kësaj periudhe, duke luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në mbarëvajtjen e punës së saj.
Në kongresin e sivjetshëm, që do të mbahet për herë të parë në Tiranë, do të shqyrtohet gjendja e të përndjekurve politikë në vendet përkatëse dhe kontributi i dhënë nga qeveritë respektive në rehabilitimin e kësaj shtrese në shoqëri. Por unë, në këtë shkrim, nuk do të merrem me këto probleme. Do t’ia lë zhvillimit të kongresit të flasë vetë për to. Ndoshta mund të shkruaj ndonjëherë tjetër. I nxitur nga organizimi i këtij aktiviteti, në mendjen time, më lindin mjaft meditime të së shkuarës dhe të tashmes, natyrisht duke menduar edhe për të ardhmen.
Mendja ime fluturon shumë larg, në vitin 1951, kur unë, një djalosh 15-vjeçar, dergjesha në qelitë e sigurimit të shtetit në Vlorë. Hetuesi im, mareshalli Demir Zhupa, kërkonte me çdo mënyrë të më detyronte të pranoja se në aktivitetin tonë ishim shtyrë nga persona më të mëdhenj. Nuk besonte që tre të rinj të moshës sonë të zhvillonin një aktivitet të tillë. Por unë nuk kisha si të pranoja një gjë që nuk ishte e vërtetë.
Një mbrëmje, në qelinë time prunë një të burgosur të ri. U gëzova se kisha të paktën një shok me të cilin mund të bisedoja. Në të vërtetë, prania e tij i bëri ditët e qëndrimit në qeli më të lehta. Të paktën i jepnim kurajo njëri-tjetrit. Papjekuria ime bëri që t’i besoja disa mendime të miat. Nuk dihet sa do të vazhdonte një gjë e tillë, kur një natë, gjatë pyetjeve që më bënte hetuesi, më përmendi disa fragmente nga bisedat qe kisha bërë me shokun e birucës. U befasova. Kuptova se shoku im i ri ishte një nga ata minjtë e birucave që përdoreshin shpesh në ato kohëra. Kur u ktheva në qeli, atë e kishin hequr prej andej.
Më vonë e takova përsëri, në kampet e Urës Vajgurore, Vlashukut, Shtyllasit apo Bulqizës. E gjeje gjithmonë nga një birucë në tjetrën, duke spiunuar shokët e tij. Së fundi unë u lirova, ndërsa ai mbeti atje. Pas ndryshimeve demokratike mësova se kishte bërë 20 vjet burg. Paradoks do të thoni juve. Natyrisht që është paradoks, por regjimit i pëlqenin paradokse të tilla. Ato i shërbenin për të mbajtur pushtetin. Kështu edhe ky fatzi, me gjithë shërbimet e bëra, qëndroi një çerek shekulli në burg, si një person pa personalitet, si një njeri amorf.
Lexoj librat e bashkëvuajtësve të mi dhe, pothuajse në të gjitha, shikoj këta
krimba të urryer. Tipa të tillë i gjen në librat e të ndjerit At Zef Pllumi apo të Bedri Çokut, Tomor Alikos, Bedri Myftarit, Agim Mustës, Uran Kalakulës, Fatos Lubonjës apo shumë të tjerëve. Mua më duket sikur këta tipa kërkojnë të na zënë përsëri për gryke, si atëherë kur dergjeshim qelive të errëta. Ndaj pyes: Kur do të shpëtojmë prej tyre?
Megjithatë, konstatoj se nuk është e lehtë një gjë e tillë. I dëgjojmë çdo ditë të çirren dhe të rrahin gjoksin për bëmat e tyre. Madje, arrijnë të krijojnë edhe shoqata të përndjekurish politikë, duke arritur deri në majat e tyre. I shohim shpeshherë të dalin nëpër faqet e shtypit të shkruar, si edhe atij viziv. I shohim që, pa pikë turpi, të japin intervista, të zhvillojnë biseda nëpër disa televizione apo konferenca shtypi. I dëgjojmë disa herë në javë të flasin në telefon nëpër emisione të ndryshme televizive. Një gjë e tillë ka arritur ato përmasa sa na i ka bërë të neveritshme këto emisione që nuk e dimë se kujt i shërbejnë.
Ndaj dua t’u drejtohem atyre gazetarëve që i ftojnë këta tipa në emisionet e tyre. Të nderuar zotërinj, a nuk e shihni se një veprim i tillë më tepër i dëmton televizionet apo gazetat tuaja sesa i nderon? Të përpjekurit politikë nuk janë ata që ju paraqisni. Apo ndoshta i përdorni ata si dikur ish-sigurimsat për qëllimet e tyre? Po të jetë kështu, ju jap të drejtë. Keni gjetur njerëzit më të përshtatshëm. Por do t’ju lutesha të mos na fyeni duke nxjerrë këta njerëz pa parime, që predikojnë të mbrojnë interesat tona. Ata mund të mbrojnë vetëm interesat e atyre që i prunë në këtë shkallë mjerane.
Megjithatë, kjo nuk do të ishte arsyeja kryesore përse e bëra këtë shkrim. Ajo që më nxiti më tepër, është se e ndjeva veten shumë të fyer, kur pashë edhe në krah të Presidentit të Republikës disa nga këta tipa që pretendonin se ishin përfaqësuesit tanë. Mendoj se nuk është në nderin e tij dhe të këshilltarëve që e rrethojnë, një veprim i tillë. Nuk e di si do të reagojë tash e tutje. Kjo është e drejta e tij. Por do të ishte e moralshme të mendohej mirë para se të vepronte. Në rast se do të dhëna të tjera, le të lexojë veprat e autorëve të cituar më sipër ose të pyesë. Ka plot burime për një gjë të tillë.
Ju ndoshta do të më pyesni cilët janë këta që unë i quaj minj të birucave? Përse nuk i përmend emrat e tyre? Mendoj se nuk është e nevojshme një gjë e tillë. Kush i ka pesë pare mend apo ka provuar ferrin e burgjeve komuniste, i njeh shumë mirë ata. Është në moralin e secilit t’u vejë prapa këtyre lakenjve të së shkuarës apo të gjejë rrugën e drejtë. Le ta mendojnë dhe të veprojnë.
*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës