Dënimet alternative; Mospërmbushja e detyrave, si penalizohen të dënuarit
Shërbimi i Provës mbikëqyr dhe mbështet zbatimin e dënimeve alternative, me qëllim mbrojtjen e interesave publike dhe parandalimin e kryerjes së veprave penale, asistimin e personit të dënuar gjatë kryerjes së dënimit alternativ në përmbushjen e detyrimeve dhe kushteve që rrjedhin nga ky dënim, si dhe në kapërcimin e vështirësive për riintegrimin e tij shoqëror. Shërbimi i Provës bashkëpunon dhe paraqet informacion dhe raporte para prokurorisë dhe gjykatës sipas parashikimeve ligjore. Gjithashtu, Shërbimi i Provës përcakton metodat e zbatimit të dënimit alternativ në përputhje me parashikimet ligjore. Por, kur është e nevojshme, Shërbimi i Provës bashkëpunon me institucione shtetërore, qendrore apo lokale, me komunitetin lokal, si dhe me institucione të tjera dhe organizata jofitimprurëse për zbatimin e dënimeve alternative. Megjithatë, në rregulloren e Shërbimit të Provës janë përcaktuar qartë edhe penalizimet e të dënuarve në rast të mospërmbushjes së kushteve dhe detyrimeve që kanë gjatë zbatimit të dënimeve alternative.
Trajtimi i të dënuarit
Shërbimi i Provës vlerëson personalitetin e të dënuarit, me qëllim qartësimin e nevojave lidhur me mungesat fizike, afektive ose shoqërore, vullnetit të të dënuarit për punë dhe aftësitë e tij profesionale, të cilat kanë penguar zhvillimin e një jete shoqërore normale të tij. Shërbimi bazuar në këtë vlerësim, si dhe në të dhënat personale, familjare e shoqërore, masën e dënimit, ndërton programin individual të trajtimit të të dënuarit në përputhje me dënimin alternativ përkatës. Ky program duhet të miratohet nga drejtori i zyrës përkatëse vendore. Në takimin e dytë me të dënuarin, punonjësi i Shërbimit të Provës i caktuar i paraqet dhe i shpjegon të dënuarit përmbajtjen e programit individual. Programi individual i trajtimit të të dënuarit diskutohet me të dënuarin. Ky program mund të ndryshohet në varësi të ecurisë së të dënuarit. Programi individual nënshkruhet nga punonjësi i Shërbimit të Provës dhe i dënuari dhe, kur i dënuari është i mitur edhe nga mbrojtësi i tij. Një kopje e programit individual i dorëzohet të dënuarit dhe mbrojtësit të tij. Programi individual përmban elementët e mëposhtëm:
a) pjesa hyrëse në të cilën tregohen gjeneralitetet, adresa e vendbanimit, vepra penale e kryer, numri i vendimit gjyqësor, dënimi i dhënë, periudha e provës, duke përmendur datat e fillimit dhe të mbarimit të saj, si dhe emri dhe mbiemri i punonjësit të Shërbimit të Provës të caktuar;
b) masat dhe çdo detyrim tjetër të vendosur nga gjykata, si dhe mënyrat e përdorura nga punonjësi i Shërbimit të Provës, për të siguruar përmbushjen e këtyre detyrimeve dhe masave;
c) nevojat kriminogjene dhe sociale të personit nën mbikëqyrje, si dhe qëllimet e përcaktuara për përmirësimin e tyre;
ç) rreziku i përsëritjes së veprës penale, rreziku i cenimit të sigurisë publike dhe ai i vetëvrasjes apo vetëdëmtimit;
d) metodat e propozuara të ndërhyrjes për të plotësuar nevojat e identifikuara dhe për të reduktuar rrezikun;
dh) data, vendi dhe frekuenca e takimeve midis punonjësit të Shërbimit të Provës dhe të dënuarit që do të mbahen gjatë gjithë periudhës së mbikëqyrjes të përcaktuar nga gjykata. Kur gjykata vendos detyrimin e të dënuarit për të marrë pjesë në një program rehabilitimi, programi individual shkurtimisht përshkruan përmbajtjen, kohëzgjatjen dhe mënyrën e kryerjes së tij. Ndërkohë që, kur gjykata vendos detyrimin e kryerjes së një pune të papaguar në interes publik, plani i mbikëqyrjes përmban përshkrimin e veprimtarive, vendin e punës dhe oraret e saj. Gjatë periudhës së mbikëqyrjes, punonjësi i Shërbimit të Provës përcakton, në çdo takim, se deri në çfarë mase janë realizuar objektivat e planit të mbikëqyrjes. Kur ndodhin ndryshime që mund të ndikojnë tek nevojat dhe rreziqet e identifikuara, plani i mbikëqyrjes mund të rishikohet, nëpërmjet anekseve që i shtohen atij.
Asistimi i të dënuarit, çfarë synon Shërbimi i Provës
a) redukton dhe eliminon rrezikshmërinë shoqërore të të dënuarit, duke e ndërgjegjësuar atë mbi veprën penale të kryer dhe pasojat e saj;
b) ndërgjegjëson të dënuarin për rrezikshmërinë dhe rëndësinë e veprës penale, si dhe vetëdisiplinën;
c) harton dhe realizon programe efektive asistence dhe këshillimi për të dënuarin bazuar në nevojat e identifikuara të tij;
ç) mbështet të dënuarin me qëllim përmbushjen e nevojave sociale që lidhen me edukimin, trajnimin, punësimin, strehimin e nevoja të tjera të ngjashme;
d) respekton të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të të dënuarve dhe garanton respektimin e dinjitetit personal të tyre.
Penalizimi në rast të mospërmbushjes së kushteve dhe detyrimeve
Në rast pamundësie të përmbushjes së kushteve dhe detyrimeve që rrjedhin nga dënimi alternativ, pasi verifikon faktet dhe rrethanat që ndikojnë në pamundësinë e përmbushjes, dhe pas takimit me të dënuarin, Shërbimi i Provës i dërgon menjëherë një raport njoftimi prokurorisë mbi arsyet e mospërmbushjes së detyrimeve nga i dënuari. Shërbimi i Provës i bashkëlidh raportit, sipas rastit, kur është e nevojshme, të dhëna në lidhje me mospërmbushjen nga ana e të dënuarit të detyrimeve të vendosura nga gjykata. Raporti përmban edhe një propozim për prokurorin për veprimet që duhen ndërmarrë në përputhje me shkallën e rrezikshmërisë së shkeljes dhe vlerësimin që Shërbimi i Provës i ka bërë rastit. Llojet e propozimit për prokurorin janë: a) dhënia e një paralajmërimi në rastet e të miturve ose shkeljeve të kryera për herë të parë; b) paraqitja e kërkesës drejtuar gjykatës për të ndryshuar detyrimin, për të shtuar detyrime të tjera, për t’i zëvendësuar ato me dënime të tjera, ose për të revokuar pezullimin e kryerjes së dënimit dhe periudhën e dënimit me burgim.
Detyrat e punonjësit të Shërbimit të Provës
Detyrat e punonjësit të Shërbimit të Provës në lidhje me hartimin e raportit të vlerësimit janë konkretisht caktimi i menjëhershëm, por jo më vonë se 3 ditë nga marrja e kërkesës nga gjykata ose prokurori, vendin, datën dhe orën e kontaktit të parë me personin për të cilin është kërkuar raporti i vlerësimit. Kontakti i parë duhet të zhvillohet brenda 5 ditëve nga marrja e kërkesës nga gjykata apo prokurori. Në rastin e të miturve, punonjësi i Shërbimit të Provës, përcakton vendin, datën dhe orën e takimit apo takimeve me fëmijën dhe prindërit dhe mbrojtësin ose nëse është e nevojshme, me njerëz ose institucione, përfaqësuesve të të cilëve iu është besuar mbikëqyrja e fëmijës. Gjithashtu, ky punonjës kontakton çdo person dhe institucion që mund të ofrojë informacion të dobishëm rreth personit në vlerësim, rreth arsimit, punësimit, strehimit, sjelljes, shëndetit, rrethanave të tij shoqërore dhe familjare; regjistron, në çdo takim, të dhënat e nevojshme dhe të dobishme për hartimin e raportit të vlerësimit; i propozon drejtorit të zyrës vendore, kur çmohet e nevojshme, të marrë masat e parashikuara nga paragrafi 7, i nenit 32; harton raportin e vlerësimit bazuar në informacionin e marrë dhe ia paraqet për shqyrtim dhe nënshkrim drejtorit të zyrës vendore të Shërbimit të Provës; si dhe ia dërgon raportin e vlerësimit organit procedues brenda afatit të kërkuar prej tij.
Përmbajtja e raportit përfundimtar
1. gjeneralitetet e të dënuarit;
2. të dhënat e vendimit gjyqësor penal që ka caktuar masën alternative;
3. datën e fillimit dhe të përfundimit të masës alternative të dënimit;
4. arsyen e përfundimit të masës alternative
5. një paraqitje të ecurisë së përmbushjes së detyrimeve dhe masës alternative të dënimit.