NASA, planet për të dërguar njerëz në orbitën e tokës

NASA bëri të ditura planet e saj për të ardhmen, për të çuar njerëz në orbitën e tokës dhe më tej, pasi të nxjerrë nga funksionimi, anijet kozmike aktuale për vajtje-ardhje në hapësirë. Kapsula e teknologjisë së fundit me katër astronautë, e quajtur Mjet Shumë-Funksional me Ekuipazh, ose MPCV, është ndërtuar sipas modeleve të mëparshme të kapsulës Orion. Anija e re pasqyron një përqasje të përmirësuar të sigurisë për ekuipazhin. Administratori i NASA-s Douglas Cooke thotë se ishte e natyrshme që për këtë kapsulë të përdorej si bazë kapsula origjinale Orion, që i mbijetoi programit Constellation të anuluar së fundmi e që synonte të kthente astronautët në hënë. Administrata e presidentit Obama anuloi programin Constellation në vitin 2010 për shkak se ishte i vonuar dhe mbi buxhetin e planifikuar. Tariq Malik , redaktor i gazetës në internet Space.com., thotë se ndërsa mund të përdoret si zëvendësim për flotën e anijeve të hapësirës, ky nuk është pikësynimi i NASA-s. Malik thotë se kapsula e rindërtuar është makineria e të gjitha synimeve të agjencisë për një llojshmëri misionesh përtej orbitës së tokës. Anija është ndërtuar për misione 21 ditore. Douglas Cooke thotë se ajo do të jetë në gjendje të bashkohet me anije të tjera më të mëdha për të vazhduar udhëtimin në hënë, mars e më tej. Kapsula do të jetë në gatishmëri për t`i kthyer astronautët përsëri në tokë. Kjo anije është gjithashtu shumë herë më e sigurt sesa anijet e hapësirës. NASA shpreson të nisë anijen e parë të re në orbitën e Tokës brenda pesë vjetëve të ardhshëm.