E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita kundër duhanit, numërohen 1.3 miliardë duhanpirës në botë

Më 31 maj shënohet Dita botërore kundër konsumimit të duhanit. Vlerësohet se në botë ka rreth 1,3 miliardë duhanpirës, ndërsa për çdo vit rreth 5 milionë njerëz vdesin si pasojë e duhanpirjes. Dita Botërore pa Duhan është një ditë që përkujtohet që prej 1987. Ky rit i përvitshëm është pjesë e përpjekjeve, që synonjnë të ulin kërcënimet që pirja e duhanit ka për shëndetin e njerërze. Këto përpjekje u kurorëzuan në 2003 me nënshkrimin nga të 192 vendet anëtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Gjenevë të një traktati të quajtur Konventa Kornizë për Kontrollin e Duhanit. Konventa në fjalë është dokumenti i parë ndërkombëtar i negociuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe hyn në fuqi pasi të paktën 40 vende ta pranojnë atë si ligj. Traktati do tu kërkonte këtyre vendeve që të ndalojnë ose kufizojnë reklamat si dhe përpjekjet e kompanive prodhuese për të reklamuar produktet e tyre në publik. Traktati kërkon gjithashtu që paralajmërimi për rrezikun ndaj shëndetit të zërë të paktën 1 të tretën e paketës së duhanit. Traktati nxit qeveritë e vendeve nënshkruese të forcojnë ligjet që kufizojnë pirjen e duhanit në mjedise të mbyllura, të rrisin taksat mbi duhanin dhe të ndalojnë tregtinë e paligjshme të duhanit. Sipas llogaritjeve të OBSH, rreth 10 milion vetë mund të vdesin nga duhani në vitin 2020. Numri më i lartë i vdekjeve do të ndodhë në vendet në zhvillim, ndërkohë që pirja e duhanit në shumë vende në zhvillim po shtohet. Pirja e duhanit shkakton kancer në mushkëri, sëmundje të tjera dhe dëmton fëmijët gjatë shtatzanisë. Madje, edhe personat, që nuk e konsumojnë duhanin, mund të vdesin, kur ata ndodhen vazhdimisht në një mjedis ku tymoset.
 
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›