"Vërtetë mendojnë se mund ta mbyllin me kaq edhe këtë gjëmë?"
Se sa të papërgjegjshëm janë këta që kemi në pushtet, nuk do shumë mend të kuptohet qoftë edhe nga fakti se si po përpiqen të vijojnë qeverisjen sikur asgjë nuk ka ndodhur. Kudo duket përpjekja e tyre naive që të vazhdojnë "punët e tjera" dhe të lenë prapa tmerrin Gërdec që na bën të jetojmë. Kjo do të thotë: "Ju vramë e ju poqëm, iku ajo tashti, na lini rehat të vazhdojmë se nuk i lemë dot kaq kollaj këto privilegjet që i fituam pas 8 vitesh opozitë". Po si mund të kthehemi në normalitet pas kësaj që ngjau? Vërtet kaq e kollajshme ju duket kjo gjë për t'u kapërcyer? Pa nxjerrë asnjë mësim, asnjë fajtor? Mendoni se edhe kësaj here do ta hamë sapunin për djathë? Me dy peshq të vegjël që futët brenda dhe që do t'i nxirrni siç keni nxjerrë ata që arrestuat për vjedhje në tenderat e rrugëve? Duam përgjegjësi nga politika, zotërinj, jo nga rrugaçët tuaj me të cilët ndani pushtetin dhe vidhni popullin!