LSI: Politikat e gabuara po dëmtojnë arsimin e lartë
Braktisja nga studentët e universitetit të Gjirokastrës "Eqrem Çabej", vjen si pasojë e hapjes së mjaft universiteteve publike dhe jopublike në jug të vendit. Sipas kreut të LSI-së në Gjirokastër, Genc Sinoimeri, forca që ai përfaqëson nuk është kundër çeljes së universiteteve, por ato duhet të kenë një infrastrukturë dhe staf pedagogjik të përgatitur për t‘iu përgjigjur kërkesave të kohës dhe konkretisht Universiteti i Gjirokastrës i plotëson kushtet e mësimdhënies. Sinoimeri e ka quajtur gjendjen në Universitetin e Gjirokastrës si skandaloze Sipas tij, kjo ka ardhur si rezultat i politikave të gabuara në menaxhimin e arsimit të lartë në Shqipëri nga qeverisjet e mëparshme dhe ajo aktualja. "Universiteti i Gjirokastrës e ka humbur misionin e tij fisnik të edukimit të brezave dhe mjaft prindër mendohen mirë para se të dërgojnë fëmijët e tyre në të, pasi disa pedagogë apo individë, pjesë e stafit të këtij universiteti, para se të mendojnë për realizimin e qëllimit të mësimdhënies, kujdesen më shumë për mbushjen e xhepave", - shprehet Sinoimeri. Ai i ka bërë thirrje stafit pedagogjik të Universitetit të Gjirokastrës që të jenë të përgjegjshëm në përzgjedhjen e individëve, të cilët duhet të marrin përsipër edukimin e studentëve. Sinoimeri ka shprehur shqetësimin, sipas tij, të komunitetit gjirokastrit, pasi vëren se shkalla e korrupsionit në universitetin "Eqrem Çabej" ka arritur kulmin. Deklarata e tij vjen një javë pas sinjalit SOS të përçuar nga rektori i Universitetit të Gjirokastrës, Gëzim Sala, për mbylljen faktike të katër nga 15 degët e tij, si pasojë e mosplotësimit të numrit të nevojshëm me studentë. Sivjet, në Universitetin e Gjirokastrës, kanë filluar studimet në vitin e parë mbi 300 të rinj, e barasvlefshme kjo me 30% të kuotës së përcaktuar për t‘u pranuar. LSI-ja shprehu shqetësimin se Universiteti i Gjirokastrës, me këto ritme, është drejt mbylljes edhe si pasojë e korrupsionit të lartë në radhët e pedagogëve.