Hidrocentral i ri në Ashtë
Këshilli i Ministrive miratoi dje kontratën e koncesionit për ndërtimin e një hidrocentrali të ri në Ashtë. Qeveria miratoi kontratën e koncesionit ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqërisë "Osterreichische Elektrizitatswirtschafts - Aktiengesellschaft", për ndërtimin, pronësinë, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit të një hidrocentrali të ri në Ashtë, në Republikën e Shqipërisë. Kryeministri tha se me këtë projekt, merr fund koklavitja 18-vjeçare e këtij hidrocentrali, i cili nuk është më hidrocentrali i Bushatit, për arsye ekologjike. "Me synim mbrojtjen e ekosistemit të Bunës, të Drinit dhe të së gjithë zonës, është vendosur që ky hidrocentral, ndoshta ndër më eficentët që mund të ndërtohet për shkak të kaskadës që ka, të ndërtohet mbi bazën e teknologjisë që jep mundësi të merret një sasi prej rreth 50 megavat energji, por duke respektuar plotësisht mjedisin dhe duke mos kërcënuar as fryrjet e tepërta të liqenit, apo mbi lagështi të Bushatit dhe zonave përreth", u shpreh Berisha.