Ligji, dëmshpërblehen edhe kolaboracionistët
Kuvendi miraton vetëm me votat e mazhorancës, ndryshimet në ligjin për ish-të përndjekurit
TIRANË- Mazhoranca ka mundur dje t'i japë fund debatit për dëmshpërblimin e kolaboracionistëve të pushtuesve të huaj, duke miratuar edhe në tërësi, ndryshimet në ligjin "Për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë".
Me 71 vota pro, 30 kundra dhe 1 abstenim, Kuvendi ka miratuar në seancë plenare amendamentet e deputetit demokrat, Astrit Bushati, dhe të pasuruara më pas me një sërë amendamentesh të tjera të Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Financave, me anë të të cilave bëhet i mundur zgjerimi i rrethit familjar, që përfiton të drejtën e dëmshpërblimit, në rastet kur i dënuari nuk ka lënë pasardhës të drejtpërdrejtë, si dhe zgjerohet lista e kategorive të dënimeve që u lind e drejta për t'u dëmshpërblyer, edhe me të gjithë ata që, gjatë sistemit komunist, janë burgosur apo pushkatuar si bashkëpunëtorë të pushtuesve të huaj, gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore.
Miratimi
Ndryshe nga tri ditë më parë, kësaj here, opozita nuk ka braktisur sallën e Kuvendit, por ka parapëlqyer që të qëndrojë dhe ta shprehë qëndrimin e saj me anë të votës kundër, si vazhdimësi e pozicionit të saj që ka mbajtur edhe gjatë diskutimeve në komisione.
Megjithatë, duhet thënë se socialistët u shprehën pro parimisht ndryshimeve të deputetit Bushati, por ndryshuan qëndrim rrugës, gjatë diskutimit të tij në Komisionin e Ligjeve, ku mazhoranca solli dhe 13 nene të tjera shtesë, si propozime për të ndryshuar ligjin bazë. Shkak u bë pikërisht përfshirja e bashkëpunëtorëve të pushtuesve fashistë gjatë luftës dhe që gjatë regjimit komunist janë dënuar për tradhti ndaj vendit, në listën e kategorive që duhet të dëmshpërblehen si të dënuar politikë.
Opozita e cilësoi këtë akt si një provokim që i bëhet së majtës në Shqipëri dhe një goditje e fortë që i bëhet Luftës Nacionalçlirimtare, por edhe vetë ish-të përndjekurve, të cilët sipas këtyre ndryshimeve, barazpeshohen me kolaboracionistët e pushtuesit.
Ndryshimet
Me ndryshimet e miratuara, tashmë bëhet i mundur dëmshpërblimi financiar edhe për ato viktima të ekzekutuara për motive politike dhe që për shkak të dënimit nuk kanë mundur të lënë pasardhës.
Kështu, me ndryshimin që i bëhet nenit 8 të ligjit aktual, zgjerohet rrethi i familjarëve të viktimës, ku përveç paraardhësit, bashkëshortja, pasardhësit, vëllezërit dhe motrat e ish-të dënuarit politikë, përfshihen fëmija apo fëmijët e vëllezërve dhe motrave.
Ndërkohë, nëpërmjet ndryshimit të nenit 2 të ligjit ekzistues, qeverisë i jepet kompetenca e plotë që të përcaktojë procedurën e shqyrtimit administrativ të kërkesave, si dhe masën e dëmshpërblimit për familjarët e viktimave të ekzekutuara padrejtësisht pa gjyq.
Gjithashtu, në këtë draft është rregulluar akti, me të cilin do të provohet internimi i ish-të dënuarve politikë në kampet me rrethim me tela me gjemba, duke zëvendësuar urdhrin e internimit me aktin administrativ apo me dokument zyrtar.
Një tjetër ndryshim është edhe ai që ka të bëjë me rregullimin që i bëhet nenit 5, ku në listën e veprave penale politike, të përfshihen edhe kolaboracionistët e fashizmit, dhe ata individë që bënë krime lufte, d.m.th., ata që në kohë luftë apo okupacioni armik, kanë nxitur, organizuar, urdhëruar, ndihmuar direkt në vrasjet, torturat dhe shpërnguljet me dhunë, ose dënime në kampe përqendrimi, në dëm të popullsisë së Shqipërisë, apo ata që kanë bërë kallëzime, duke shkaktuar masa të terrorit, ose urdhëruan ose kryen djegie, prishje apo plaçkitje të pasurisë publike ose private, si dhe u bënë funksionarë të aparatit terrorist dhe të formacioneve policore të armikut.
Dënimet që do të konsiderohen politike
Kushdo që ka bërë krime lufte, d.m.th. ai që në kohë lufte apo okupacioni armik, ka nxitur, organizuar, urdhëruar dhe ka ndihmuar direkt në vrasje.
Ai që në kohë lufte apo okupacioni armik, ka nxitur, organizuar, urdhëruar dhe ka ndihmuar direkt në tortura dhe shpërngulje me dhunë ose dënime në kampe përqendrimi, në dëm të popullsisë së Shqipërisë.
Ai që gjatë luftës, me qëllim ka bërë popullsinë të vuajë nga uria ose e ka detyruar të ndërrojë kombësinë ose fenë.
Ai që gjatë luftës ka shtyrë individë të ndryshëm në kurvëri ose i ka turpëruar me dhunë.
Ai që gjatë kësaj periudhe ka bërë kallëzime, që kanë shkaktuar masa të terrorit, ose urdhëruar dhe kryer djegie, prishje apo plaçkitje të pasurisë publike ose private.
Ai që ka qenë funksionar i aparatit qeveritar të pushtuesit dhe i formacioneve policore të armikut.
Amendamentet
Neni 1
Qeveria përcakton procedurën e shqyrtimit administrativ të kërkesave, si dhe masën e dëmshpërblimit për familjarët e viktimave, të ekzekutuara padrejtësisht, pa gjyq.
Neni 2
Internimi i ish-të dënuarve në kampet me rrethim me tel me gjemba, provohet me aktin administrativ, ose me dokument zyrtar.
Neni 4
Listës së veprave penale politike, i shtohen edhe ato vepra që, në ligjin "Mbi fajet kundër popullit", të vitit 1946, janë cilësuar si krime lufte, d.m.th. ata që në kohë luftë apo okupacioni armik, kanë nxitur, organizuar, urdhëruar, ndihmuar direkt në vrasjet, torturat dhe shpërnguljet me dhunë, ose dënime në kampe përqendrimi, në dëm të popullsisë së Shqipërisë, apo ata që kanë bërë kallëzime, duke shkaktuar masa të terrorit, ose urdhëruan ose kryen djegie, prishje apo plaçkitje të pasurisë publike ose private, si dhe u bënë funksionarë të aparatit terrorist dhe të formacioneve policore të armikut.
Neni 5
Fondi do të ndahet në mënyrë proporcionale për të gjithë ish-të dënuarit dhe familjarët e viktimave të pushkatuara.
Neni 6
Zgjerohet rrethi i familjarëve të viktimës, ku përveç paraardhësit, bashkëshortja, pasardhësit, vëllezërit dhe motrat e ish-të dënuarit politikë, përfshihen fëmija apo fëmijët e vëllezërve dhe motrave.
Neni 7
Afati i dorëzimit të dokumenteve dhe kërkesave të të interesuarve pranë Ministrisë së Drejtësisë, shtyhet deri më 1 korrik 2009.
Neni 8
Këshilli i Ministrave, brenda vitit 2009, miraton afatet e shpërndarjes së fondeve.