NATO apelon për tranzicion paqësor në Libi

NATO-ja ka bërë thirrje për një tranzicion paqësor në Libi, ndërsa rebelët po luftojnë për t`i dhënë fund sundimit të Muamer Gadafit. Ata raportohet të kenë marrë nën kontroll pjesën më të madhe të kryeqytetit Tripoli.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, duke folur sot në Bruksel, tha se Aleanca është e gatshme për të punuar me Libinë.
"Tani është koha për të krijuar një Libi të re, një shtet të bazuar në liri, e jo në frikë; në demokraci, e jo në diktaturë, në vullnetin e shumicës e jo në vullnetin e disave. Ai tranzicion duhet të vijë në mënyrë paqësore. Ai duhet të vijë tani. Ai duhet të udhëheqet dhe të definohet nga populli libian", tha Rasmusen.