E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO dhe BE mbështesin aksionin e KFOR-it

Aleanca Veri-Atlantike dhe Bashkimi Evropian (BE) janë duke përcjell situatën në veri dhe kërkojnë nga të gjithë qytetarët që të ruajnë qetësin dhe të bashkëpunojnë, e jo të konfrontohen me përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë.

Zyrtarët nga NATO ka thënë të enjten se Këshilli i NATO-së dhe sekretari i përgjithshëm Anders Fog Rasmusen i kanë dhënë mbështetje të plotë komandantit të KFOR-it për të implementuar mandatin që ka përfshirë edhe sigurimin e lëvizjes së lirë në tërë territorin e Kosovës.

Ata rikujtojnë se komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Drevs tash e sa ditë ka bërë të gjitha përpjekjet që situata të zgjidhet në mënyrë të qetë dhe me dialog, ndërsa veprimet e fundit për heqjen e barrikadave të vendosura nga serbët e rebeluar i kanë quajtur të duhura dhe në mandatin që e ka si mision nga NATO.

Bashkimi Evropian, gjithashtu, konfirmon se në veri kanë mbështetjen e plotë të institucioneve, sepse me këtë po mbrohen vlerat evropiane.

Maja Kocijanqiq, zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane Ketrin Eshton, ka thënë se veprimet e sotme për heqjen e barrikadave janë me qëllim të lëvizjes së lirë, e cila është një ndër parimet e Bashkimit Evropian.

Ajo ka konfirmuar se me këtë operacion KFOR-i ka rol udhëheqës, ndërsa EULEX-i mbështet misionin ushtarak.

Një porosi e posaçme nga institucionet e Brukselit përkatësisht nga NATO-ja dhe BE-ja iu është dërguar liderëve të gjitha palëve nga të cilët kërkojnë që të përmbahen nga deklaratat nxitëse dhe të kontribuojnë në qetësimin e situatës.

Diplomatët në këto dy institucione thonë se zhvillimet në veri kanë edhe prapavijë politike dhe po të kishte më shumë vullnet nga ana e Beogradit situata do të tejkalohej me më shumë lehtësi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›