E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga mbështet aksionin në veri, Thaçi dënon dhunën ndaj KFOR-it

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se ndaj gjendjes në veri duhet përgjigjur me sundim të ligjit.

Ajo i bëri këto komente disa orë pasi që KFOR-i nisi heqjen e barrikadave në rrugët që çojnë drejt vendkalimit kufitar në Bërnjak.

“Sa i përket veriut, unë do të përsëris atë që e kam thënë edhe në të kaluarën, se përgjigjja ndaj tërë kësaj është sundimi i mirëfilltë i ligjit në tërë territorin e Kosovës, veprimet nga institucionet e Kosovës dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët janë të pranishëm në Kosovë si: EULEX-i dhe KFOR-i, që institucionet dhe qytetarët e Kosovës i kanë ftuar të ndihmojnë".

"Të gjitha këto veprime janë në drejtim të ruajtjes së sundimit të ligjit, që është një kusht kushtetues dhe ligjor i yni”, tha presidentja Jahjaga në konferencën shkencore “Siguria në Kosovë dhe refleksionet rajonale”.

Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dënoi dhunën e ushtruar mbi ushtarët e forcës paqëruajtëse të KFOR-it nga ana e pjesëtarëve të strukturave kriminale në veri, ndërsa theksoi se eskalimi i dhunës nuk është në interes të askujt”, bëri të ditur Zyra për informim e qeverisë së Kosovës.

Kreu i ekzekutivit kosovar vlerësoi se operacioni për largimin e barrikadave dhe lirimin e rrugëve në veri hyn në kuadër të përkushtimeve institucionale të Republikës së Kosovës për të garantuar lirinë e plotë të lëvizjes, vendosjen e rendit dhe ligjit, për të krijuar siguri, paqe, integrim dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në pjesën veriore të vendit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson lartë përkushtimin e vazhdueshëm të forcave të KFOR-it dhe EULEX-it, që në kuadër të mandatit të tyre, po përmbushin angazhimet për vendosjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në pjesën veriore të vendit”, citon komunikata për media kryeministrin Thaçi. /rel/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›