NATO, flamuri shqiptar ngrihet edhe në Napoli
Në Komandën e Forcës së Bashkuar të NATO-s (JFC) Napoli, Itali, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar dhe atij kroat në krah të flamujve të vendeve të tjera anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Në datën 24 prill në sheshin kryesor të Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO-s, JFC, Napoli, në orën 10:00 në praninë edhe të ambasadorëve të vendeve të tjera anëtare të NATO-s u krye ceremonia e ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar dhe atij kroat në krah të flamujve të vendeve të tjera anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Gjatë kësaj ceremonie, në fjalën e tij, ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, z. Gazmend Oketa, krahas kënaqësisë për të qenë i pranishëm në këtë ceremoni të veçantë të ngritjes së flamurit shqiptar përkrah 27 flamujve të vendeve të tjera anëtare të Aleancës së Atlantikut shprehu edhe një herë vlerësimin maksimal të qeverisë shqiptare për ndihmën e dhënë nga vendet anëtare të Aleancës së Atlantikut për ushtrinë shqiptare për arritjen e objektivave të saj për anëtarësim në NATO. Njëkohësisht, gjatë fjalës së tij, ministri i Mbrojtjes konfirmoi edhe një herë impenjimin e Forcave tona të Armatosura për të ecur përpara në përmbushjen e të gjitha standardeve të kërkuara nga Aleanca e NATO-s. Në përfundim të fjalës së tij, ministri Oketa uroi kolegun kroat për anëtarësimin në NATO, si dhe vlerësoi maksimalisht bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh midis forcave të armatosura në rrugën e përbashkët të anëtarësimit në këtë aleancë. Gjatë fjalës së mbajtur nga Komandanti i Forcës së Bashkuar, JFC Napoli, Admirali Amerikan, Mark P. Fitzgerald, shprehu kënaqësinë që Aleancës më të madhe të lirisë i shtohen edhe dy anëtarë të rinj, si Shqipëria e Kroacia, gjë që do t’i shërbejë më së miri rritjes së sigurisë e paqes në rajonin e Ballkanit.