Malaj: Miratimi i licensës së telefonisë, "nul"
Reagon ish-Ministri i Financave Arben Malaj për operatorin e katërt të telefonisë së lëvizshme
TIRANË- Miratimi në mënyrë të përshpejtuar e licencës së katërt të operatorit të telefonisë së lëvizshme, është konsideruar "nul" nga ish-Ministri i Financave, Arben Malaj. Në një dalje për mediat, Malaj përforcoi edhe njëherë kundërshtimet e Partisë Socialiste në lidhje me mënyrën se si, kjo licencë u dha pa tender nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Ministrave. "Dy muaj para zgjedhjeve asnjë qeveri nuk mund të bëjë privatizime në sektorin strategjik",- tha ai. Menjëherë pas miratimit në Këshillin e Ministrave, shqyrtimi i licencës së operatorit të katërt të tëlefonisë së levishme u zhvillua jashtë radhe në Komisionin Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, për tu miratuar më pas ne seancën parlamentare të ditës së enjte. Procedurat për kryerjen e tenderit për këtë licencë kanë nisur qysh në korrik të vitit të shkuar dhe ishte parashikuar të bëhej në janar të 2009-s, por me urdhër të ministrit të Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol, Olldashi, zhvillimi i tij u shty deri në 20 shkurt. Ofertat e dhëna gjatë zhvillimit të tenderit ishin vetëm ato të "Univers PG", me 5 milionë euro, e barabartë me shumën fillestare që ministria e Punëve Publike kishte caktuar për nisjen e ofertave dhe konsorciumit të kryesuar nga Post Telekomunikacioni i Kosovës, me 7.2 milionë euro. Në fund të procesit, ERT-ja e shpalli të parregullt këtë tender dhe kerkoi që te merreshin masat që te zhvillohej një tjetër, por me nje vendim të Këshillit të Ministrave licenca iu dha PTK-së. Ndërsa sipas relacionit shpjegues që shoqëronte projektligjin përkëtë licencë, oferta e dhënë nga PTK-ja ishte shumë e vlefshme, por nuk mund të shpallej fituesi, pasi sipas procedurës së prokurimit publik, një tender është i suksesshëm kur numri i ofertave konkurruese të vlefshme është më shumë se numri i ofertave të dhëna.