E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-të përndjekurit, hyn në fuqi ligji për dëmshpërblimin

Merr rrugë ligjore dëmshpërblimi i të gjithë atyre, që gjatë regjimit komunist janë burgosur apo pushkatuar si bashkëpunëtorë të pushtuesve të huaj


TIRANË- Nga sot hyjnë në fuqi ndryshimet e ligjit për dëshpërblimin e ish-të përndjekurve politik. Që do të thotë, se merr fuqi ligjore dëmshpërblimi edhe i të gjithë atyre, që gjatë regjimit komunist janë burgosur apo pushkatuar si bashkëpunëtorë të pushtuesve të huaj, gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Pra në listën e veprave penale politike, do të përfshihen edhe kolaboracionistët e fashizmit, dhe ata individë që bënë krime lufte, d.m.th., ata që në kohë luftë apo okupacioni armik, kanë nxitur, organizuar, urdhëruar, ndihmuar direkt në vrasjet, torturat dhe shpërnguljet me dhunë, ose dënime në kampe përqendrimi, në dëm të popullsisë së Shqipërisë, apo ata që kanë bërë kallëzime, duke shkaktuar masa të terrorit, ose urdhëruan ose kryen djegie, prishje apo plaçkitje të pasurisë publike ose private, si dhe u bënë funksionarë të aparatit terrorist dhe të formacioneve policore të armikut. Me botimin e ligjit në Fletoren Zyrtare, përmes ndryshimeve të fundit të ligjit bëhet i mundur zgjerimi i rrethit familjar të viktimës, ku përveç paraardhësit, bashkëshortja, pasardhësit, vëllezërit dhe motrat e ish-të dënuarit politikë, përfshihen fëmija apo fëmijët e vëllezërve dhe motrave tw tij. Sipas ndryshimeve në ligj, kur ish i dënuari politik ka vdekur para ose vdes pas depozitimit të kërkesës në Ministrinë e Drejtësisë, familjarët e përcaktuar ligj, për çeljen e depozitës bankare, duhet të depozitojnë në Ministrinë e Financave këtë dokumentacion: a) certifikatën e vdekjes së ish të dënuarit politik; b) dëshminë e trashëgimisë të ish të dënuarit politik; c) kopje të vlefshme të dokumentit të identitetit; ç) certifikatën e trungut familjar. Kur trashëgimtarët, sipas këtij ligji, e kanë deleguar me prokurë/akt njërit prej tyre, veprimet nga Ministria e Financave bëhen në emër të personit me këtë të drejtë Afati i dorëzimit të dokumenteve dhe kërkesave të të interesuarve pranë Ministrisë së Drejtësisë, shtyhet deri më 1 korrik 2009. Ndërsa Këshilli i Ministrave, brenda vitit 2009, duhet të miratojë afatet e shpërndarjes së fondeve.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›