E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi në BE, Franca mbështet Shqipërinë

Kryeministri Berisha merr konfirmimin nga Presidenti Francez. Sarkozy, së shpejti në Tiranë.


TIRANË- Shqipëria merr mbështetjen e Francës në rrugën e integrimit të saj në Bashkimin Europian. Konfirmimi është marrë nga kryeministri Sali Berisha në takimin e zhvilluar dje në Pallatin Elyzee të Francës me Presidentin francez, Nikola Sarkozy.
"Presidenti Sarkozy i shprehu Kryeministrit Berisha mbështetjen e fuqishme të Francës për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Shqipëria, në mënyrë të qartë do të jetë anëtare e BE-së dhe nuk ka kthim mbrapa në procesin e integrimit të saj në BE. Franca, u shpreh Presidenti Sarkozy, e mbështet kandidaturën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE",- thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave. Në takimin e zhvilluar dje, Kryeministri Berisha e falenderoi Presidentin francez për mbështetjen që i jep integrimit të Shqipërisë në BE, duke theksuar faktin se 96 përqind e shqiptarëve e mbështet integrimin në BE. Gjatë takimit është folur edhe për investimet e kompanive franceze, të cilat, kryeministri i ka cilësuar një histori suksesi në Shqipëri. Duke u ndalur në zgjedhjet parlamentare të qershorit, Kryeministri Berisha tha se qeveria, që ai kryeson do të bëjë të gjithë hapat e nevojshëm që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme. Ndërsa Presidenti Sarkozy u shpreh se së shpejti do të vizitojë Shqipërinë, lajm ky që është pritur pozitivisht nga kryeministri Berisha i cili shtoi se Presidenti Sarkozy do të jetë Presidenti i parë francez që viziton Shqipërinë. Po dje, gjatë vizitës një ditore në Francë, kryeministri Berisha ka zhvilluar takim edhe me Ministrin e Jashtëm, Bernard Kushner. Gjatë takimit, kryeministri Berisha u shpreh se së shpejti qeveria shqiptare do të paraqesë aplikimin e kandidaturës për në BE, kërkesë kjo që u mbështet nga Ministri i Jashtëm francez, Kushner.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›