E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarkozy mbështet Berishën; “Franca, pro aplikimit, anëtarësimi i Shqipërisë, i pakthyeshëm”



Kryeministri Sali Berisha merr mbështetjen e fortë të Francës përmes Presidentit Nicolas Sarkozy për kandidimin e Shqipërisë në BE dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve drejt zonës “Shengen”. Pasditen e djeshme, Presidenti francez priti në Pallatin Elyzee, Kryeministrin shqiptar Sali Berisha me urimin e parë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Presidenti Sarkozy i shprehu Kryeministrit Berisha mbështetjen e fuqishme të Francës për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke i vënë në dukje se anëtarësimi i Shqipërisë, tashmë është një proces i pakthyeshëm. Presidenti francez shprehu besimin se Shqipëria, në mënyrë të qartë, do të jetë anëtare e BE-së dhe nuk ka kthim mbrapa në procesin e integrimit të saj në BE. “Franca mbështet kandidaturën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE”, - deklaroi z. Sarkozy. Kryeministri Berisha falënderoi Presidentin francez për mbështetjen e qartë që i jep integrimit të Shqipërisë në BE, duke theksuar faktin se 96 për qind e shqiptarëve e mbështet integrimin në BE dhe kjo bën që ky proces të jetë i vazhdueshëm dhe i pakthyeshëm. Presidenti Sarkozy u shpreh se të gjitha arritjet e Shqipërisë janë plotësisht të merituara, pasi asnjë vend tjetër sa Shqipëria, nuk ka vuajtur nga një diktaturë aq mizore. Franca mbështet të gjitha proceset e zhvillimit dhe modernizimit të Shqipërisë. Presidenti Sarkozy shprehu falënderimet gjithashtu për mbështetjen që qeveria shqiptare i jep biznesit francez. Ai u shpreh: “Qeveria franceze do të punojë dorë më dorë me qeverinë shqiptare dhe ju do të keni gjithmonë ndihmën dhe mbështetjen tonë”. Kryeministri Berisha e falënderoi gjithashtu Presidentin Sarkozy për mbështetjen që ai personalisht, qeveria dhe populli francez i kanë dhënë Shqipërisë për realizimin e ëndrrës për të qenë anëtar i NATO-s, një ëndërr që u bë realitet. “Shqipëria, - tha Kryeministri, - është një vend që ka vuajtur shumë nga mungesa e sigurisë ndër vite. Duke dalë nga një diktaturë e egër, është një nga vendet që e ka vuajtur më shumë mungesën e sigurisë, ndaj anëtarësimi në NATO bën që Shqipëria të ndërtojë lirinë dhe demokracinë e saj, duke u ndier edhe më e sigurt. Ky është një inkurajim i ri për të vazhduar thellimin e reformave dhe ju siguroj, - vijoi Kryeministri, - për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vazhduar në këtë rrugë. Për realizimin e këtyre dy projekteve të mëdha dhe për t’i ndryshuar faqen Shqipërisë, - tha Kryeministri, - ne kemi ndërmarrë reforma të thella, shpeshherë të vështira, por kjo ishte rruga e vetme që shqiptarët të shohin të realizuar ëndrrën e tyre për integrimin në NATO dhe atë në BE”. Në kuadër të thellimit të reformave, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria do të vazhdojë të luftojë me vendosmëri kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kryeministri Berisha e njohu Presidentin Sarkozy edhe me reformat e ndërmarra në fushën ekonomike, si dhe u shpreh se do t’i ishte shumë mirënjohës Presidentit Sarkozy të nxiste afrimin dhe ardhjen në Shqipëri të investitorëve francezë. Kryeministri shprehu kënaqësinë që disa kompani franceze po operojnë me sukses në Shqipëri. “Një faktor i rëndësishëm, - shtoi Kryeministri, - është edhe fakti se në Shqipëri do të gjeni një vend frankofon, i cili e preferon gjuhën franceze. Investimet e kompanive franceze, me mbështetjen edhe të qeverisë shqiptare, - siguroi Kryeministri, - do të jenë një histori suksesi në Shqipëri. Ne jemi një vend i vogël, - u shpreh Kryeministri, - por me potenciale shumë të mëdha në energjitikë, në minerale, turizëm, kemi një krah pune ndër më të favorshmit në Evropë. Ne kemi ndërmarrë reforma të mëdha ekonomike, bëmë ligjin për partneritetin publik privat, në 3-4 vite, ne do të kemi një rrjet të ri infrastrukturor, duke qenë se kemi trashëguar një rrjet të prapambetur, por mbi të gjitha, për qeverinë time është dhe do të mbetet prioritet arsimimi i fëmijëve dhe të rinjve tanë”.

Duke u ndalur në zgjedhjet parlamentare të qershorit, Kryeministri Berisha tha se qeveria që ai kryeson, do të bëjë të gjithë hapat e nevojshëm që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme. “Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim, - tha Kryeministri, - është edhe pajisja e shtetasve shqiptarë me letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike”. Presidenti Sarkozy u shpreh: “Së shpejti do të vizitoj vendin tuaj të mrekullueshëm dhe do të shoh nga afër ndryshimet e mëdha të Shqipërisë”. Kryeministri Berisha u shpreh se e gëzonte së tepërmi ky lajm dhe Presidenti Sarkozy do të jetë Presidenti i parë francez që viziton Shqipërinë dhe se do të pritet nga një popull që e do dhe e vlerëson, veçanërisht një popull mirënjohës ndaj mbështetjes që Presidenti Sarkozy dhe qeveria franceze u kanë dhënë proceseve integruese të Shqipërisë.

Kouchner: Shqipëria ka ndryshuar. Reformat e Berishës, jashtëzakonisht të shpejta dhe efikase

“Shqipëria ka ndryshuar përmes reformave jashtëzakonisht të shpejta dhe efikase të ndërmarra nga Kryeministri Sali Berisha”. Kështu i tha dje Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, ministri i Jashtëm i Francës, z. Bernard Kouchner gjatë pritjes në Paris. Të pranishëm në takim ishin dhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, z. Lulzim Basha, ambasadorja e Francës në Tiranë, znj. Maryce Daviet, dhe delegacionet përkatëse. Kryeministri Berisha falënderoi z.Kouchner për mikpritjen dhe i shprehu mirënjohjen për kontributin e tij personal, të qeverisë dhe popullit francez në të gjitha proceset integruese të Shqipërisë dhe zhvillimin e saj. Ministri i Jashtëm francez përgëzoi Kryeministrin Berisha dhe qeverinë shqiptare për reformat jashtëzakonisht të shpejta dhe efikase. “Zhvillimi i Shqipërisë dhe reformat e thella që e kanë ndryshuar rrënjësisht atë, janë në sytë e të gjithëve dhe e gjithë bota po sheh këto ndryshime”, - u shpreh ai. Z. Kouchner nënvizoi veçanërisht luftën shumë efikase dhe të suksesshme, me zero tolerancë, kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Tashmë Shqipëria, - u shpreh z. Kouchner, - ka një imazh të ri në sytë e Evropës dhe gjithë botës dhe ajo është një vend i sigurt, ku të gjithë investitorët francezë, por edhe turistët, e vizitojnë me kënaqësi atë”. Duke u ndalur në investimet në Shqipëri, Kryeministri Berisha siguroi se qeveria shqiptare dhe të gjitha institucionet e saj, do të vazhdojnë të mbështesin me të gjitha mënyrat investitorët e huaj, në mënyrë që investimet e tyre në vendin tonë të jenë një histori suksesi. Nga ana e tij, z. Kouchner tha se ai vetë do të organizonte shumë shpejt një delegacion me përfaqësuesit më të lartë të biznesit francez, të cilët do të vizitojnë Shqipërinë. Ata do të njihen nga afër me potencialet e mëdha të vendit, duke paraqitur edhe projekte të qarta dhe të sakta bashkëpunimi, në fushën e energjitikës, në shfrytëzimin e pasurive minerale, në fushën e turizmit, duke qenë se Franca ka si traditë ndërtimin e resurseve turistike në botë, si dhe në fusha të tjera. Kryeministri Berisha e falënderoi z. Kouchner për angazhimin e tij personal për të udhëhequr delegacionin e biznesit francez në këtë vizitë shumë të rëndësishme. Duke u ndalur në ecurinë e suksesshme të reformave ekonomike në Shqipëri, ministri i Jashtëm Kouchner tha se ato janë arritur falë punës së qeverisë në fushën ekonomike, në legjislacionin fiskal, në krijimin e një klime të favorshme për biznesin, krijimin e një imazhi të ri për vendin, falë luftës me zero tolerancë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar etj. Ministri i Jashtëm francez, Kouchner, shprehu përgëzimet e tij për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe tha se projekti tjetër madhor është integrimi i saj në Bashkimin Evropian, ku 70 për qind e shqiptarëve e dëshirojnë dhe e mbështesin atë. Kjo mbështetje është një motivim i madh për qeverinë për të ecur më tej në këtë drejtim. Kryeministri Berisha u shpreh se së shpejti qeveria shqiptare do të paraqesë aplikimin e kandidaturës për në BE dhe se qeveria shqiptare e sheh këtë proces si një proces të vazhdueshëm dhe të pandalshëm, të bazuar në meritat e reformave të realizuara në vend. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm Kouchner tha se rruga që po ndjek qeveria shqiptare, duke e quajtur procesin e integrimit në BE të vazhdueshëm, të pandalshëm dhe të bazuar në meritë, është rruga më e matur e zgjedhur prej saj. Ai theksoi se është shumë i rëndësishëm fakti që qeveria shqiptare nuk po ndalet dhe po vazhdon në ruajtjen, thellimin dhe forcimin e këtyre meritave dhe reformave. Ndërkohë, edhe në konferencën për shtyp që pasoi takimin mes Kryeministrit Berisha dhe ministrit të Jashtëm francez, z. Kouchner, duke iu përgjigjur interesimit të medias, z. Kouchner u shpreh qartësisht se Franca mbështet kërkesën për kandidimin e Shqipërisë në BE, si dhe procesin e liberalizimit të vizave për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, bazuar në reformat e realizuara. Të dy personalitetet u ndalën edhe në diskutimin e projekteve të përbashkëta në fushën kulturore, të arsimit etj.

Biznesi francez, konferencë për nder të Berishës

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në konferencën e organizuar për nder të tij në Paris, nga MEDEF, Shoqata Franceze e Biznesit dhe posaçërisht nga presidenti i Këshillit të Drejtuesve të Kompanive Franceze, z. Charles Paradis. Të pranishëm në këtë konferencë ishin përfaqësuesit më të rëndësishëm të biznesit francez, të korporatave të mëdha, të grupeve bankare, grupeve të menaxhimit etj., të cilët me pjesëmarrjen e tyre të gjerë kishin treguar një interes shumë të madh për vizitën e Kryeministrit Berisha në Paris. “Ky takim, - theksoi Kryeministri Berisha, - bëhet në një periudhë mjaft të rëndësishme për zhvillimin jo vetëm të Shqipërisë, por të gjithë rajonit, veçanërisht në proceset e integrimit euroatlantik të këtyre vendeve, të cilat kanë bërë një progres të jashtëzakonshëm në projektet e tyre për zhvillimin dhe forcimin e demokracive. Shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe e Malit të Zi, e ka bërë rajonin tonë një rajon më të lirë se kurrë më parë”. Gjithashtu, Kryeministri vuri në dukje se hyrja në NATO e Shqipërisë dhe Kroacisë e ka bërë gjithashtu rajonin më të sigurt se kurrë më parë dhe ka shtuar vlerat e lirisë dhe demokracisë. Kryeministri u ndal në politikat ekonomike të ndjekura nga qeveria dhe theksoi se qeveria shqiptare ka prezantuar një buxhet, i cili i lejon Shqipërisë që të ruajë ekuilibrin makro-ekonomik të vendit. Shqipëria, përmes ndjekjes së kritereve dhe politikave fiskale të saj, ka arritur të ruajë objektivin e stabilitetit makro-ekonomik të vendit. “Qeveria shqiptare ka mbështetur dhe ka marrë të gjithë hapat e nevojshëm për krijimin e një klime sa më të favorshme të biznesit dhe afrimin në këtë mënyrë të sa më shumë investitorëve të huaj në vendin tonë”, - tha Kryeministri. Berisha shprehu bindjen se ekonomia shqiptare do t’u rezistojë pasojave të krizës globale, duke njohur rritje edhe për vitin 2009. Në këtë kontekst, Kryeministri tha se të gjithë investitorët që kanë nisur projektet e tyre në Shqipëri, nuk kanë njohur lëkundje, ndalje e aq më pak tërheqje nga projektet e tyre madhore, me gjithë krizën ekonomike globale. Vetëm në muajin dhjetor janë nënshkruar kontrata koncesionare në fushën e energjitikës prej 3.5 miliardë dollarësh. Kjo tregon se Shqipëria vazhdon të ngjallë interes të madh në fusha të ndryshme të ekonomisë së saj. Me gjithë krizën financiare botërore, Kryeministri theksoi se, për vitin 2008, ekonomia shqiptare ka njohur një rritje të konsiderueshme prej 8 për qind, duke shprehur besimin se edhe për vitin 2009 do të ketë rritje ekonomike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›