E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO i kalon sigurinë, forcave afgane

NATO-ja i kaloi forcave afgane kompetencat e sigurisë në provincën qëndrore të Afganistanit, Bamiyan. Provinca Bamiyan është e para në Afganistan që ka pranuar të marrë në dorë sigurinë e saj në fazën paraprake të transferimit të kompetencave në 7 rajone të Afganistanit.

Në Bamiyan u zhvillua sot një ceremoni për të shënuar kalimin e kompetencave në duart e forcave afgane. Përmes një procesi gradual që do të përfundojë në vitin 2014, NATO-ja do t`ia kalojë kompetencat e sigurisë ushtrisë dhe policisë afgane. Ky proces do t`i hapë rrugë largimit të trupave të huaja ushtarake.

Presidenti afgan Hamid Karzai prej një kohë të gjatë ka kërkuar transferimin e kompetencave të sigurisë tek afganët. Muajin e kaluar, presidenti Barak Obama njoftoi planin për tërheqjen e 33 mijë trupave amerikane gjatë 14 muajve të ardhshëm. Shtetet e Bashkuara kanë rreth 100 mijë trupa në Afganistan.

Gjermania gjithashtu ka thënë se do të pakësojë kontigjentin e saj prej 5 mijë trupash nga fundi i këtij viti. Presidenti francez Nicolas Sarkozy tha se trupat e vendit të tij do të tërhiqen në përpjestim afërsisht të njëjtë dhe me një program të njëjtë me trupat amerikane. Franca ka 4 mijë trupa në Afganistan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›