NATO, masa të rrepta sigurie në Strasburg

Strasburgu po mbyll shkollat, ka dërguar më shumë se 15 000 trupa dhe policë, e madje ka vulosur hermetikisht edhe kapakët e pusetave të kanaleve të ujërave të zeza, ndërsa qyteti përgatitet të presë samitin e 60-vjetorit të NATO-s. Siguria intesive, që kushton më shumë se 110 milionë euro, ka si qëllim të mbrojë liderët, përfshi presidentin amerikan, Barack Obama dhe të kontrollojë rreth 20 000-50 000 aktivistët e paqes, që priten të organizojnë protesta. Si protestuesit edhe politikanët do të kenë një axhendë të ngjeshur, ndërsa do të kalojnë sa nga Strasburgu në qytetet gjermane bashkëorganizatore të samitit, Baden Baden dhe Kehl, gjatë samitit. Por banorët lokalë priten të protestojnë në të dy anët e lumit Rin gjatë samitit më 3 dhe 4 prill, ndërsa Franca ka rivendosur kontrollet përgjatë kufirit gjerman dhe ka mbyllur disa rrugë, dhe aktivistët e krahut të majtë priten të përpiqen të bllokojnë trafikun. Me autoritetet që janë shqetësuar lidhur me rrezikun e protestave studentore, policia ka evakuuar Universitetin e Strasburgut dhe e ka mbyllur për një javë. Studentët që protesonin kundër politikave qeveritare të arsimit kishin pushtuar ndërtesën, ndërsa autoritetet universitare dyshonin se demonstrues anti-NATO do të bashkoheshin me ta. "Potenciali për dhunë ekziston, varet nga mundësia, çfarë mund të bëhet, do të bëhet", tha Heinz Fromm, kreu i shërbimit të brendshëm sekret gjerman. Organizatorët e grupit pacifist "Kundër-samiti i NATO-s", që po ngrenë një tendë të madhe për të pritur me mijëra aktivistë, janë zemëruar nga ndalimi i demonstrimeve në qendër të qytetit. Demonstrata e tyre kryesore e programuar për të shtunën, është vendosur jashtë qendrës. Selia e Parlamentit Evropian, Strasburgu është mësuar të vizitohet nga VIP-a dhe me masat ekstra të sigurisë, por jo të kësaj shkalle. Armë kundërajrore janë instaluar pranë qytetit, dhe do të ketë edhe një zonë të përkohshme ndalimfluturimi, ndërsa do të ndalohet gjithashtu edhe trafiku mbi Rin. E përditshmja franceze "Le Monde" shkruan se çdo banor apo shitës duhet të mbajë bexhin e identifikimit, 13 shkolla do të mbyllen së bashku me terrenet sportive, ndërsa kapakët e pusetave do të vulosen. Afro 6 000 delegatë dhe personel tjetër priten të mbërrijnë për samitin e NATO-s, ku do të diskutohen çështje që nga strategjitë e ardhshme për aleancën ushtarake të Luftës së Ftohtë deri tek një rritje potenciale e trupave në Afganistan.