E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu: Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, faktor stabiliteti

Prishtinë -Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu i ka dërguar një mesazh urimi homologut shqiptar Bamir Topi, me anëtarësimin në NATO. “Sot, unë kam kënaqësinë e jashtëzakonshme që në emrin tim dhe në emër të popullit të Republikës së Kosovës, t’ju uroj juve dhe nëpërmjet jush gjithë popullit shqiptar anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në NATO. Ky akt madhor dhe i shumëpritur e shndërron përfundimisht rajonin tonë në një faktor të rëndësishëm të paqes, të stabilitetit dhe të prosperitetit të përgjithshëm të kësaj pjese të Evropës Juglindore, popujt e së cilës tashmë janë përcaktuar fuqishëm për integrim në familjen e madhe të kombeve të lira e demokratike euroatlantike”-shkruan Sejdiu në telegramin e tij.

Sipas kreut të shtetit të Kosovës, anëtarësimi i Republikës së Shqipërisë në NATO është një arritje e shkëlqyeshme e institucioneve dhe qytetarëve të Shqipërisë, e cila do t’u shërbejë si shembull edhe vendeve të tjera të rajonit që synojnë të anëtarësohen në Aleancën Veriatlantike.

“Pa dyshim, edhe Republika e Kosovës do të përfitojë nga përvoja juaj dhe ne presim që duke punuar së bashku, sikundër deri më tani, ta arrijmë sa më shpejt që të jetë e mundur ditën e anëtarësimit të të gjithë rajonit në NATO dhe në strukturat e tjera euroatlantike. Atëherë, sigurisht, të lehtësuar do të mundë të themi: ja, liria e fëmijëve tanë dhe e gjithë brezave që do të vijnë, është e sigurt, është e paprekshme!”-përfundon mesazhit i Sejdiu.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›