E Shtunë, 31 Tetor 2026

Scheffer: Siguria, themeli i begatisë

Siguria është themeli mbi të cilën ngrihet begatia dhe sot më shumë se kurrë, siguria mund të ndërtohet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit shumëkombësh, shprehet Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer. Në një artikull me rastin e Samitit të 60 Vjetorit të themelimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, zoti Schefer ndalet te kriza globale ekonomike, duke theksuar se ky problem i kapërcen kufijtë kombëtarë dhe kërkon zgjidhje shumëpalëshe. Qeveritë po hedhin qindra, miliarda në tregje, ato po intensifikojnë nivelin e rregullimit dhe mbikqyrjen e tregut. Gjithashtu ato po punojnë për bashkërendimin e veprimeve të tyre, duke përfshirë dhe Takimet e G - 20, që sapo ka përfunduar në Londër, shprehet zoti Scheffer. Edhe pse shumë prej liderëve të këtyre vendeve kanë ardhur në Samitin e NATO-s për të folur mbi sigurinë, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës u shpreh se "nuk bëhet fjalë për ndryshim tërësor të tematikës. Ai thekson se, një nga objektivat e Samitit të NATO-s, është përcaktimi i një rruge të përbashkët për të ardhmen e Afganistanit.Liderët e NATO-s, thotë ai, do të diskutojnë gjithashtu edhe mbi një mënyrë të përbashkët veprimi në të ardhmen lidhur me një element tjetër kritik të sigurisë gjatë Shekullit të XXI: krijimin e një partneriteti të vërtetë me Rusinë. Nuk përbën sekret fakti që kur vjen puna për Rusinë, brenda NATO-s ka një gamë të gjerë pikëpamjesh, që fillojnë nga mendimi për të qenë të kujdesshëm deri tek prirja për përulje. Deri sa të mos kemi ngushtuar këtë hendek, do të jetë gjithnjë e vështirë për të angazhuar efektivisht Rusinë, si kur merremi, ashtu dhe kur nuk merremi vesh me të, shprehet zoti Scheffer në artikullin e tij. Një sfidë tjetër e vërtetë e Samitit do të jetë edhe fillimi i përgatitjeve të sotme për sfidat me të cilat mund të ndeshemi nesër. Liderët e Aleancës do të miratojnë Deklaratën e Aleancës mbi Sigurinë, e cila jo vetëm që do të afirmojë detyrën thelbësore të NATO-s, por dhe do të përcaktojë në vija të përgjithshme se çfarë duhet të bëjë NATO në të ardhmen. Aleatët do të mirëpresin me ngrohtësi vendimin e Presidentit Sarkozi që Franca të zërë sërish plotësisht vendin e saj në NATO. Shqipëria dhe Kroacia do të zenë vendet, të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre si anëtaret e 27 dhe 28 të Familjes së NATO-s, shpreh Scheffer në artikullin e tij. Gjatë Samitit do të bëhet edhe festimi i 60 vjetorit të themelimit të NATO-s. NATO është gjallë dhe vitale, sepse asaj i duhet të kryejë detyrën e saj unike: të jetë vendi ku Europa dhe Amerika e Veriut qëndrojnë së bashku, konsultohen së bashku dhe veprojnë së bashku për të garantuar sigurinë e tyre të përbashkët. Pikërisht ky rol do të riafirmohet dhe forcohet edhe më tej në Samitin e kësaj fundjave

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›