NATO paralajmëron ekstremistët serbë: Dhuna s’do tolerohet

Kosovë, serbë të armatosur plagosin 4 ushtarë të KFOR në veri – përfaqësuesit e misionit paralajmërojnë ushtrimin e forcës
NATO mbështet përpjekjet e EULEX-it për të vendosur në veri të Kosovës sundimin e ligjit. Kështu thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Komanda e Bashkuar e Forcave të NATO-s në Napoli. Zëdhënësi i NATO-s Ike Skelton dënon dhunën e përdorur në veri, duke shtuar se nuk mund të tolerohen barrikadat e serbëve në veri, të cilat pengonin lëvizjen e lirë në pikat doganore. “Disa ekstremistë serbë tentuan të provokojnë dhunë, por incidenti është zgjidhur dhe situata është e tensionuar por e qetë. NATO pranon të drejtën për protesta të qeta e të ligjshme, si dhe demonstratat, por ngadalësimi apo pengimi i trafikut përmes barrikadave dëmton pronarët e dyqaneve, konsumatorët dhe krijon situatë të rrezikshme që kërkon shërbime emergjente”- ka thënë zëdhënësi Ike Skelton. “Kur protestat kthehen në dhunë dhe liria e lëvizjes pengohet, NATO duhet të reagojë. Liria e lëvizjes duhet të riinstalohet dhe barrikadat duhet vullnetarisht të hiqen, për të mirën e të gjithë njerëzve, thuhet më tej në komunikatë.
Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi: S’do ketë më tolerim. Ekstremistët serbë sulmojnë edhe shqiptarët
Është tensionuar situata në afërsi të vendkalimit kufitar të Jarinjës, gjatë paradites të së martës, ku janë dëgjuar edhe të shtëna armësh. Për pasojë janë regjistruar edhe disa të plagosur, raporton agjensia e lajmeve Beta. Trupat e KFOR-it kanë përdorur gazin lotësjellës për të shpërndarë një grup serbësh që kundërshtonin mbylljen e rrugës alternative Kosovë-Serbi si dhe heqjen e barrikadave në afërsi të Jarinjes. serbët kanë hedhur gurë në drejtim të ushtarëve të KFOR-it të cilët më pas kanë përdorur gazin lotsjellës për të mbajtur nën kontroll situatën. Njoftimet nga veriu bëjnë të ditur se situata vazhdon të mbetet e tensionuar ndërsa qindra serbë po qëndrojnë në afërsi të ushtarëve të KFOR-it që kanë arritur të heqin pjesërisht barrikadat në afërsi të portës 1 si dhe të mbyllin një rrugë alternative që lidh Kosovën me Serbinë. Zëdhënësi i KFOR-it, Ralf Adamek ka thënë se trupat paqëruajtëse do të vazhdojnë operacionin për mënjanimin e barrikadave nëse vlerësohet e nevojshme. Në kuadër të zhvillimeve më të fundit, edhe misioni i EULEX-it ka kërkuar që rrugët të lirohen për qarkullim. Zëdhënësi i KFOR-it, Ralf Adamek, ka konfirmuar se gjatë aksionit të së martës mëngjes janë ndaluar 5 persona, të cilët i janë dorëzuar policisë së EULEX-it dhe pas marrjes në pyetje janë liruar. 5 personat në fjalë kundërshtuan përpjekjet e këtyre forcave për heqjen e një barrikade në Jarinë. Zyrtari për informim i KFOR-it, Ralf Adamec ka bërë të ditur se pas heqjes së barrikadës në afërsi të Jarinës, “banorët lokalë ngritën barrikadën tjetër vetëm pesë metra më larg nga ajo që ishte larguar”.
Ekstremistët serbë sulmojnë shqiptarët në veri
Dhjetëra shqiptarë janë sulmuar sot nga një grup ekstremistësh serbë në vendin e quajtur “Qeshmellug” që ndodhet në veri të Mitrovicës, përkatësisht në Lagjen e Boshnjakëve. Lajmi bëhet i ditur nga Kosova press e cila thekson se nga sulmi me armë zjarri janë plagosur tre shqiptarë, ndërsa për tre të tjerë janë zhdukur. Sipas mediave kosovare, shtatë ekstremistë serbë të cilët ishin të maskuar kanë qëlluar me armë zjarri ndaj shqiptarëve që ishin duke punuar në kuadër të një projekti të USAID-it për pastrimin e lumit Ibër. Si pasojë e kësaj, tre qytetarë shqiptarë janë plagosur dhe po trajtohen në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Mitrovicë, kurse për tre të tjerët ende nuk dihet se ku janë. Ndërkohë situata në Lagjen e Boshnjakëve është e tensionuar pas bllokadave që bënë ekstremistët serb për gjithë pjesën veriore dhe provokimeve të herë pas hershme ndaj shqiptarëve. Kjo ka bërë që edhe shqiptarët që gjenden në Lagjen e Boshnjakëve të ndalojnë serbët që të kalojnë aty më parë.
...