E Diel, 1 Nëntor 2026

E vërteta e videos, nga Prifti, te Kokëdhima, ZeroBazja dhe prokuroria politike

29-09-2011 / Nga Fahri Balliu

Prej disa ditësh, shpifësi industrial Zero Baze, i mbështetur nga Kokëdhima, ka marrë shkas nga videot e Priftit, në të cilën jam përfshirë edhe unë, të ngrejë një shtëllungë mashtrimi e urrejtjeje thjesht politike dhe personale. Edhe pse në video-përgjimin, sipas vetë Priftit, unë jam përfshirë rastësisht, dhe gjithnjë, sipas tekstit të tij, paskam bërë një kërkesë të padënueshme, prapavija e zjarrit të nxehtë të dështimit të opozitës, me mashtrime, nuk ia ka dalë dhe nuk do t’ia dalë kurrë ta mposhtë të vërtetën dhe vetëm do të zbulojë një organizim të mirëfilltë politik që dështoi, qoftë ndaj politikanëve të lartë, si Meta, e deri te përfolja ndaj meje.
    Personalisht, as nuk e di dhe as e kam në kujtesë se cila nga bisedat e mia me ish-ministrin është e përgjuar. Dhe as nuk më intereson ta di, madje kam pasur mundësi edhe ta shikoj dhe e kam injoruar. Sepse, mbi të gjitha, biseda ka qenë e një njeriu privat, pa asnjë ngarkesë grade administrative e shtetërore, dhe të tilla biseda janë krejt shprehje e lirisë dhe e mungesës së nenit “55” të agjitacion-propagandës. Megjithatë, çështja nuk është se çfarë ka dhe thotë ajo video. Çështja është që edhe kjo, si një punë shteti apo e një rëndësie në një proces hetimi, është bërë pazar dhe gjithkush, mbi videon e Priftit, ka bërë videon e vet. Akti amoral, i dënueshëm në shumë vende perëndimore, i përgjimeve të paligjshme - pa përfshirë raportet njerëzore, miqësore apo armiqësore - është sot një shembull i madh në Angli, ku po dënohen përgjimtarët (jo të përgjuarit), njerëzit që kanë dhënë urdhër dhe kanë kryer akte përgjimi. Edhe juristi më analfabet i botës, e kupton se kur Anglia, nëna e së drejtës ligjore në botë, me korpusin më autoritar të ligjvënies, merr këtë masë, këtu te ne vazhdohet akoma tradita e Sigurimit të Shtetit dhe e nenit të Agjitacion-Propagandës, se ke thënë kështu apo ashtu... S’po u hyjmë pastaj aspekteve të ekspertizave mbi vërtetësitë e videove apo mbi rastin konkret, ku s’kuptohet, ka qenë një sahat regjistrimi, dy apo më shumë? Janë lap-topet apo sahatet?
Pavarësisht rastit konkret, dihet se ngjarja me videon e Metës, ishte një subjekt që u pasua nga kontekste politike rrënimtare, shkatërruese për demokracinë, qeverisjen, stabilitetin politik në Shqipëri.
Dhe, kur Kokëdhimat dhe ZeroBazet, të dështuar dhe të turpëruar në aksionin e video-Metës dhe të 21 janarit, fillojnë dhe xhirojnë videot e tyre, kjo nuk është më e shkëputur nga ngjarjet që shkuan. Por stuhia në gotë nuk ngrihet. Kokëdhima, ky partner i natës dhe i ditës, i Edi Ramës, ky sekser që i mbante katet e pallateve në xhep, guxon të mashtrojë me median e tij dhe të xhirojë video pa personazh real. Po ashtu siç e do Kokëdhima apo ZeroBazja, Fahri Balliun! ZeroBazja, ky pastrues legjendar i parave, me shitje-blerjen e gazetës, me të vjellat e tij ka mbushur aspektet e agjendës opozitare. Unë e kam parë njëherë këtë pamje, disa vjet më parë, se si aksionet e tij shpifëse prodhonin rezultatin zero. Vetëm urrejtje, degradim dhe kurrë ndonjëherë sukses....sepse Baze ishte shpifja sipas modelit “një vilë me ngjyrë të bardhë, një njeri që po kalon në rrugë me këpucë të bardha në rrugë, është pronari i vilës”.
    Natyrisht, gazetat që botojnë të vjellat e kësaj natyre dhe që duan të mbijetojnë në sajë të zellit po aq kriminal sa edhe të vrasësve me pagesë, mund të fshihen pas situatave politike: “po shajmë filanin, se filani është mik me këtë, shok me atë...”. Krejt një strukturë mentale fshatarizmi!
    Sigurisht, unë si pronar i medias së vetme qëndrestare, në sulm dhe papajtueshmëri absolute me agjendën e opozitës, vrastare për Shqipërinë, jam një zë që krejt natyrshëm mund të goditem nga polemika. Por, mendja e sëmurë e kryetarit të opozitës, me ligësinë genuine, ziliqare të ZeroBazes, dhe me biznesin prostatik të Kokëdhimës, duan të helmojnë opinionin me antivlerë. Sepse, nuk është vetëm për videon ky qëndrim. Por ata s’përcjellin dot, asnjë sukses, qoftë edhe kulturor, pale të kapitullojnë dhe të dorëzohen përpara integritetit, dinjitetit dhe seriozitetit për ta mbrojtur një kauzë, si ajo prej së cilës unë s’kam lëvizur.
    Në qoftë se prodhuesi i këtyre videove, si virgjëreshë antikorruptive është modeli i përqafuar prej opozitës, kjo tregon se opozita është e korruptuar dhe bën pazare për ta mjelë këtë shtet me kombinacione miqësore, të vjetra dhe të reja. Krejtësisht të zbardhura dhe të lexuara. Në tërë këtë Shqipëri, në tërë këtë parlament me 140 deputetë, me disa mijëra administratorë të niveleve të ndryshme, ministra, etj, unë s’kam marrë kurrë asnjë post. Kam që në vitin 1996-97 që nuk firmos në asnjë bordero shtetërore. Dhe kam bërë të vetmin faj, që i duan njerëzit, miqtë, shokët, u rri besnik atyre, i mbroj, i ndihmoj, me mundësitë dhe kredinë time morale; ata që nuk i dua, as nuk u afrohem, as nuk u bëj pabesi, vetëm se e shpall qëndrimin, duke pasur përsëri një kod moral, njerëzor, qytetar.
    ZeroBazja me gazetën “çel e mbyll”, është sot toksikuesi më i madh se gazrat e të gjitha llojrave dhe do ta kishte shumë më të lehtë, të mos shpifte dhe të mos mashtronte dhe të Sëmurin e Opozitës për objekte false antiopozitare.    
    Por, kjo histori me video, ka një të keqe më të madhe se të gjitha këto. Ka prokurorinë politike. Disa gazeta të opozitës, që janë gazeta ultrakomunisto-staliniste, që mbrojnë totalisht krimin e së shkuarës dhe mbulojnë me dhjetëra tollovi dhe afera kriminale të bllokmenëve, madje janë të përfshira në artikuj dhe gazetarë të veçantë, në qëndrime ekstremist të dyshimta nga pikëpamja kombëtare, janë bërë ushqim i prokurorisë. Dhe kemi një pamje, që njëherë bëhet Prokuroria zëdhënëse e tyre, e njëherë bëhen ato zëdhënëse të Prokurorisë. Gjithsesi, kjo ndodh në rastet e astmës politike të Ramës, apo të ndonjë politikani tjetër, që ka hyrë në vjeshtën ku fillojnë e bien gjethet, frutat humbasin dhe lezetet jesin.
Unë kam qenë shumë herë kritik ndaj veprimeve të prokurorisë, institucionit të presidentit, kryetarit të KLD-së, dhe këta, sa herë që sillen si anekse të Partisë Socialiste, si organe ekzekutive të saj, këta thonë janë të pavarur. Dhe pothuajse ka zënë vend ideja që po t’i shërbesh Partisë Socialiste je i pavarur. Prokuroria citohet disa herë nga media e Kokëdhimës dhe sekretet hetimore nuk ekzistojnë për gazetat e Ramës. Shumë herë është shpërdoruar Prokuroria, përfshirë edhe me kujdesin shëndetësor të Ramës, te pikat e Paketës. Kurrë nuk ka qenë në gjendje të distancohet.
    Puna e videos s’ka të bëjë as me korrupsion, as me afera. Ajo është shprehje e një lufte politike të manipuluar... Dhe kjo është videoja që do të gjykohet me një rreptësi e drejtësi ligjore shembullore. Por, asnjë fajtor, në çastin e kryerjes së aktit, nuk mendon se do ta kapë policia, nuk e mendon se ndëshkimi është paralel dhe ka jetëgjatësi më të madhe se akti i fajit. Sa për autorin themelor të videos, do të thosha se korrupsionin e zbuluar e ka dorëzuar në duar të sigurta të ZeroBazes, tajvanxhiun grotesk, Kokëdhimës, këtë “shembull të lartë” të mbrojtjes së pronës publike, Edi Ramës, shpikësit të zinxhirit korrupsionit të lejeve të ndërtimit dhe tenderave të bashkisë dhe të Prokurorisë, që fle mbi korrupsionin e Ramës.
Unë nuk i druhem asaj videoje, edhe sikur të paraqitej në Festivalin e Kanës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›