PS: Karta brenda prillit ose dështim
Partia Socialiste i kërkon qeverisë që brenda muajit prill të realizojë pajisjen me karta të shtetasve që nuk disponojnë pasaporta me jashtë shtetit. Nënsekretari për Çështjet Ligjore, Damian Gjiknuri, në konferencën e djeshme për shtyp deklaroi se “PS i kërkon për të disatën herë qeverisë që të heqë taksën e votës, e cila do të shpëtonte nga dështimi zgjedhjet parlamentare, por edhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë”.
Sipas tij, “qeveria në vend që të ofrojë një zgjidhje të pranueshme për këtë problem, ofron skema që më shumë e komplikojnë procesin, duke anashkaluar çështjen themelore të pamundësisë ekonomike të pagesës fillestare të letërnjoftimit”. “Nëse nuk ndërmerret një ndryshim radikal në lidhje me politikën e pajisjes së shtetasve me letërnjoftime brenda muajit prill, procesi përfundimisht dështon, dhe bashkë me të edhe çdo grimcë legjitimiteti për zgjedhjet”, deklaroi Gjiknuri. Ai shtoi se “çdo masë radikale për adresimin e situatës dhe për një interes të qenësishëm publik, jo vetëm që është detyrim kushtetues, por do të shpëtonte përfundimisht zgjedhjet e lira nga dështimi i sigurtë”. Gjiknuri theksoi se “Partia Socialiste është më e interesuar se kushdo për pajisjen në kohë të zgjedhësve pa pasaportë me letërnjoftime, me qëllim zhvillimin e zgjedhjeve të lira”.