E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza në Traktatin e Varshavës dhe akuzat e Shqipërisë ndaj Moskës

Gazeta “ZP” analizon situatën në brenda vendeve të bllokut komunist

TIRANE - Provokacionet e armatosura në kufirin sovjeto-kinez të Lindjes së Largët janë bërë nga revizionistët sovjetikë, ndër të tjera edhe për të shtrënguar vidhat e sateliteve të tyre dhe për t’i lidhur ata sa më shumë pas qerres të politikës së vetë-hegjemoniste dhe të bashkëpunimit sovjeto-amerikan. Por, mbi të gjitha, në mënyrë të veçantë, në dritën e mbledhjes së Budapestit, del qartë se provokacionet në Usuri kanë qenë kurdisur nga krerët e revizionizmit sovjetik për përgatitur terrenin e bisedimeve të ardhshme me Niksonin, për t’i thënë atij se duhet të merren vesh për të gjitha problemet, pasi rreziku kryesor për të dyja palët është Kina. Hieja e Niksonit ka dominuar gjithë skenën e bisedimeve budapestjane të revizionistëve të Traktatit të Varshavës. Politikën famëkeqe të revizionistëve sovjetikë, paqe në Europë dhe luftë në Azi, mbledhja e Budapestit e nxjerr edhe një herë lakuriq përpara gjithë botës. Sado demagogji që të bëjnë autorët e saj për të mbuluar karakterin revolucionar e antikinez të kësaj mbledhjeje, ata nuk mund t’ia dalin dot në krye.
Thirrja e Kremlinit
Vetë Thirrja e re drejtuar qeverive borgjeze të Europës, hartuar me frazeologjinë pacifiste të kohëve më të mira të Nikita Hrushovit, është në të vërtetë një thirrje drejtuar imperializmit amerikan për të rënë në ujdi që të mbajnë ekuilibrin e forcave në Europë, të respektojnë zonat e influencës në këtë kontinent duke i përqendruar të gjitha shtigjet e tyre kundër Kinës së madhe popullore të Mao Ce Dunit, e cila është bërë pengesa e fuqishme dhe e pakapërcyeshme për realizimin e planeve për sundimin e botës nga ana e imperialistëve amerikanë e sovjetikë, që imperialistët të përkrahin qeverinë sovjetike në politikën e saj agresive antikineze. Në njoftimet që dhanë agjencitë e shtypit nga Budapesti, mjaft nga ato e lidhën kohën e mbledhjes së Traktatit të Varshavës me zhvillimin e punimeve të kongresit të 9-të të revizionistëve jugosllavë. Ato vinin në dukje se kjo nuk është një rastësi. Në fakt dihen presionet e udhëheqësve sovjetikë, sidomos përsa u përket marrëdhënieve ndaj vendeve të tjera revizioniste. Udhëheqësit sovjetikë, veçanërisht pas agresionit të tyre fashist kundër Çekosllovakisë, nuk e tolerojnë me qejf veprimtarinë jugosllave në vendet satelite, të cilën e shikojnë si cenim të hegjemonisë së tyre. Po kështu, atyre nuk u pëlqen afrimi e bashkëpunimi i Beogradit me Bukureshtin, ashtu sikurse nga ana tjetër titistët nuk i dëshirojnë presionet që Moska ushtron ndaj Rumanisë. Këto acarime të përkohshme midis revizionistëve sovjetikë e jugosllavë shpesh herë siç po ndodh edhe aktualisht, marrin një mprehtësi të veçantë dhe sovjetikët në pragun e Kongresit të Lidhjes Komuniste Jugosllave dhe gjatë këtij, duke nxituar e inkurajuar grupin serbomadh dhe rankoviçianët kundër grupit kroato-slloven, i tregojnë Titos se ata kanë edhe karta të tjera presioni në duart e tyre. Edhe në çështjen e qëndrimit ndaj Jugosllavisë, pra udhëheqësit sovjetikë pësuan në Budapest një disfatë tjetër. Ata nuk mundën t’u impononin partnerëve të tjerë një vijë të përbashkët. Se sa të përçarë janë revizionistët në lidhje me Jugosllavinë, e tregoi edhe mënyra se si këta e trajtuan çështjen e përfaqësimit të tyre në kongresin e tyre titist. Rumunët p.sh., shkuan në Beograd dhe zunë atje një nga vendet më të nderuara midis mysafirëve të huaj. Çekosllovakët nuk siguruan dot lejen nga Moska, por shtypi çek shkroi gjerësisht për të dhe me një ton mjaft të ngrohtë. Bullgarët e mongolët i kishin njoftuar zyrtarisht jugosllavët se do të dërgonin delegacione në kongresin e tyre, por pastaj e anuluan. Kuptohet se e gjithë kjo rrëmujë nuk mund të ketë qenë gjë tjetër veçse rezultat i diktatit sovjetik i minutës së fundit, që u kërkonte satelitëve të zbatonin vullnetin e tij në këtë çështje. Por të gjitha këto nuk e ndaluan Titon të mbajë kongresin dhe të ndjekë vijën e tij politike të njohur. Për më tepër, mbledhja e Budapestit dhe përçarjet që dolën atje midis pjesëmarrësve lidhur me Jugosllavinë, i krijojnë klikës titiste mundësi të reja për të vazhduar vijën e saj antimarksiste në shërbim të imperializmit në vendet e tjera revizioniste. Një çështje tjetër që ka qenë e pranishme në punimet e mbledhjes së fundit të Traktatit të Varshavës është edhe çështja çekosllovake.
Planet e bllokut
Në komunikatën përfundimtare nuk bëhet fjalë për këtë, por e gjithë vënia në skenë e kësaj mbledhjeje ishte bërë me një kujdes të tillë që t’i jepej opinionit publik përshtypja se gjendja në Çekosllovaki gjoja qenka normalizuar në rrugën e kërkuar nga pushtuesit sovjetik. Si dëshmi për këtë pretendim do të shërbente pamja e unitetit të plotë që gjoja ekziston për të gjitha çështjet e diskutuara e që nuk do të ishte e mundur të arrihej po të ekzistonin vlerësime të ndryshme ose divergjenca në lidhje me Çekosllovakinë. Këtë synim kishte edhe caktimi i Dubçekut për të kryesuar mbledhjen, ashtu si edhe nderimet false e përgëzimet demagogjike që i bëri atij Berzhenjevi për drejtimin e shkëlqyer të mbledhjes. Por sado lustër që të përpiqen t’i japin revizionistët, çështja çekosllovake mbetet një plagë e hapur dhe akuzë e rëndë për të gjithë revizionistët, si për ata që dërguan tanket e tyre për të robëruar popullin çekosllovak, ashtu edhe për klikën e Dubçekut, Svobodës, e Çernikut, e cila, siç e tregoi edhe një herë me qëndrimin e saj në Budapest, është kthyer në një vegël të neveritshme të pushtuesve revizionistë sovjetikë dhe që nga populli çekosllovak nuk mund të presë fund më të mirë nga ai që historia u ka rezervuar të gjithë renegatëve e tradhtarëve. Në planet politike të klikës Berzhenjev-Kosigin, mbledhja e Budapestit, si një parapërgatitje dhe si një rast të përshtatshëm për të marrë disa koncesione të mundshme nga partnerët e tjerë për tezat që revizionistët sovjetikë do të shtrojnë në Konferencën e Moskës. Por fakti që as në komunikatë e as në thirrjen e Budapestit nuk bëhet fjalë fare për këtë, si dhe informatat që dalin nga komisioni përgatitor që është mbledhur në Moskë, tregojnë se edhe në këtë pikë krerët revizionistë sovjetikë nuk kanë mundur të imponojnë tezat e tyre dhe divergjencat mbeten e zgjerohen. Komunikata e mbledhjes së Budapestit përmend edhe disa vendime me karakter organizativ, si krijimi i Komitetit të ministrave të mbrojtjes etj. Këto janë disa thërrime që Kremlini u hedh satelitëve të tij, për të krijuar një farë iluzioni se edhe ata kanë pjesë në komandën e përbashkët. Në të vërtetë, imperialistët e Moskës nuk bëjnë asnjë lëshim nga kontrolli dhe dominimi absolut që ushtrojnë mbi këtë pakt hegjemonist e agresiv. Çdo masë që ata marrin, qoftë kjo politike apo organizative, ka për qëllim t’i shtrëngojë më fort vidhat e mekanizmit të kontrollit për të konsoliduar më tej sundimin e tyre diktatorial mbi vendet satelite, mbi politikën, ekonominë e ushtrinë e tyre. Siç e treguan qartë ngjarjet e këtyre vjetëve të fundit dhe sidomos agresioni i tipit fashist kundër Çekosllovakisë, Traktati i Varshavës ka degjeneruar prej kohësh në një instrument shantazhi politik e agresioni ushtarak në duart e klikës revizioniste sovjetike për të imponuar politikën e saj shoviniste e imperialiste mbi shtetet pjesëmarrës, për të shndërruar shtete të tëra të Europës Lindore në koloni të imperializmit revizionist sovjetik. Ai, siç u provua edhe tani së fundi në mbledhjen e Budapestit, përdoret nga klika e Kremlinit si një mjet pazarllëqesh me partnerët e saj imperialistët amerikanë, në dëm të lirisë, pavarësisë dhe të sigurimit të vërtetë të popujve të botës.

Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i popullit” më datë 22 mars 1969
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi

4 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›