NATO përforcon trupat e KFOR-it në Kosovë

Pas trazirave të dhunshme të ditëve të fundit në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, NATO do të përforcojë prezencën e trupave të saj në Ballkan. Diplomatët e NATO-s në Bruksel bënë të ditur se një batalion shtesë me ushtarë gjermanë dhe austriakë do të vendoset në Kosovë për të mbështetur ushtarët e stacionuar atje në kuadër të trupës mbrojtëse, KFOR. Batalioni i ri përbëhet nga 550 ushtarë gjermanë dhe 150 ushtarë austriakë. Aktualisht në Kosovë janë të angazhuar 900 ushtarë të Bundesverit. me këtë numër gjermania, renditet e para në përbërjen e trupës ndërkombëtare mbrojtëse, KFOR. Ditët e kaluara në dy pikëkalimet kufitare mes Serbisë dhe pjesës veriore të Kosovës, e banuar nga pakica serbe, janë regjistrua incidente të dhunshme. Gjermania deklaroi se do të dërgojë 550 trupa shtesë për të monitoruar paqen në Kosovë, pas përshkallëzimit të situatës javën e kaluar.
Zëdhënësja e NATO-s, Karmen Romero, tha se "KFOR-i do të vazhdojë të marrë masat e nevojshme brenda mandatit të tij për një mjedis të qetë dhe të sigurt, në bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in".
“Mesazhi ynë është shumë i qartë: dhuna është e papranueshme. Ne e mirëpresim faktin që situata është qetësuar dhe dialogu është e vetmja zgjidhje për situatën e tanishme”, tha Romero. Si pasojë e përkeqësimit të situatës në veri të Kosovës, Forcat e NATO-s kërkuan një ditë më parë trupa shtesë, pas përshkallëzimit të dhunës javën e kaluar. Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i KFOR-it, Diter Vihter, për agjencinë Reuters.