E Diel, 1 Nëntor 2026

Situata ne Kosove NATO dergon 700 trupa shtese

Ngjarjet e ditëve të fundit në Kosovë kanë detyruar NATO-n të dërgojë 700 ushtarë në veri të vendit. Sipas Associated Press trupat ushtarake gjermane dhe austriake kanë mbërritur në Kosovë një ditë më parë, megjithatë ende nuk dihet se kur do të vendosen në Mitrovicën veriore.

Aleanca ushtarake tha se situata në veri nuk është përkeqësuar dhe se trupat do të ndihmojnë në patrullimin e zonës. Zëdhënësja e NATO-s, Karmen Romero u shpreh se KFOR-i do të vazhdojë të marrë masat e nevojshme për të siguruar qetësinë, në bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in.  

Ajo theksoi se Aleanca nuk do ta pranojë dhunën në veri dhe se dialogu është e vetmja zgjidhje për situatën.  Një ditë më parë, kryeministri i vendit Hashim Thaçi fajësoi drejtpërdrejt Beogradin për sulmet në veri dhe tha se në rast se në këtë pjesë të vendit nuk do të respektohet ligji, do të ketë të tjera aksione të njësive speciale.

Gjendja në Mitrovicën e veriut u bë shqetësuese pas operacionit të forcave speciale kosovare në pikat kufitare 1 dhe 31, që pasoi me vënien e zjarrit nga grupet radikale serbe.  Më parë, këto pika patrulloheshin nga policia serbe.
 
Bora Ymeri

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›