NATO shkrin akujt me FSK
KFOR rinisi bashkëpunimin me Forcën e Sigurisë së Kosovës, pas disa ditësh pezullimi. Presidenti Fatmir Sejdiu së bashku me kryeministrin Hashim Thaçi, zhvilluan ditën e djeshme një takim të përbashkët me komandantin e KFOR, gjeneralin Markus Bentler, me të cilin ranë dakord për vazhdimin e bashkëpunimit midis KFOR dhe FSK. Sipas KFOR, kjo ka rezultuar
në një marrëveshje të re, e cila ka të bëjë me mënyrën e përdorimit të njësisë ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila do të vazhdojë ti përdorë armët e demilitarizuara, me pajtimin e KOMKFOR, dhe rikonfirmon se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të ketë rol mbrojtës apo ushtarak, meqë kjo detyrë është e ndërmarrë nga KFOR. Pas konkludimit të kësaj marrëveshjeje, ne mund të konfirmojmë se KFOR do të rikthejë rolin e tij trajnues dhe monitorues me Forcën e Sigurisë së Kosovës, thuhet në komunikatën e KFOR. Ndërsa zyra e presidentit të Kosovës, në lidhje me këtë takim nëpërmjet një deklarate për shtyp thekson se kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës e definojnë Misionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Mbështetja e KFOR për Forcën e Sigurisë së Kosovës është rrjedhimisht e kufizuar në trajnimin dhe monitorimin e një force, misioni i së cilës është reagimi ndaj krizave emergjente, mënjanimi i mjeteve plasëse dhe mbrojtja civile. Kjo mbështetje është e mbështetur në vendimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut, qëllimi i të cilit ka qenë dhe mbetet vazhdimi i përkrahjes për FSK-në derisa ajo të ketë arritur Kapacitetet e Plota Vepruese, thuhet në deklaratën për shtyp. Ndër të tjera në këtë komunikatë, nënvizohet se institucionet e Kosovës theksojnë nevojën e bashkërendimit me KFOR, në rastet e paraqitjes publike të Gardës Ceremoniale. Institucionet e Republikë së Kosovës mirëpresin mbështetjen e KFOR për FSK ndërsa ato ruajnë dhe aplikojnë parimet e respektit të ndërsjellët, bashkëpunimit të afërt dhe transparencës së plotë. Ne jemi të bindur se zotimet e lartpërmendura janë një bazë e qëndrueshme për KFOR për të vazhduar bashkëpunimin dhe përkrahjen e tij për FSK, përfundon deklarata për shtyp e presidencës së Kosovës. Paraqitja e Gardës së armatosur në ceremoninë e Epopesë së UÇK, javën e kaluar, ka nxitur reagimin e KFOR, i cili ka thënë se stili ushtarak i gardës nuk përkon me statusin joushtarak të FSK. Rrjedhimisht, komandanti i KFOR mori vendimin për pezullim të bashkëpunimit me FSK. Një ditë më parë, zv/kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi shprehu gadishmërinë e qeverisë për të biseduar me KFOR, për tejkalimin e problemeve të shkaktuara pas paraqitjes së Gardës së FSK, me armë zjarri në manifestimin e Epopesë së UCK. Ky ka qenë një rast për të sqaruar pozicionin tonë, pro jo rast i mirë për ndonjë konfrontim. Përndryshe Garda ka qenë me armë edhe kur kanë ardhur kryeministra të ndryshëm, dhe nuk është bërë e madhe që i kanë përdorur edhe në këtë rast. Ne do të jemi të gatshëm që të bisedojmë me çdo kënd, por edhe të mbrojmë pozicionin tonë në çdo rast, tha Kuçi. Ai nuk e ka vlerësuar të arsyeshme faktin për ti kërkuar falje NATO, sepse sipas tij kërkimi i faljes është ritual religjioz më shumë, ata që shkojnë në Xhami ose në Kishë, kanë nevojë që të kërkojnë falje. Në këtë rast unë nuk mendoj që është ndonjë arsye që të kërkojmë falje, është një arsye për sqarime të domosdoshme. I kemi bërë sqarimet e duhura, do ti bëjmë edhe tjerat. Por po e përsëris që Kosova është shtet, i ka institucionet e veta, vijoi Kuçi.
Parlamenti kërkoi zgjidhjen e problemit me NATO
Komisioni për Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, paraditen e djeshme ka kërkuar që udhëheqësit e kësaj force, të zgjidhnin problemet e krijuara ditët e fundit, në raportet me misionin e NATO në Kosovë. Anëtarët e Komisionit parlamentar u takuan me drejtuesit e FSK, ministrin Fehmi Mujota dhe gjeneralin Sylejman Selimi dhe inkurajuan FSK për tejkalimin e problemeve midis kësaj force dhe KFOR. Kryetari i Komisionit për Mbikqyrjen e FSK, Berim Ramosaj, u shpreh se është interes nacional i Kosovës të ndërtohen raporte korrekte me KFOR dhe me NATO. Ai tha se Komisioni, gjithashtu, ka inkurajuar FSK që të gjejë mënyra në tejkalimin e situatës dhe respektimin e Pakos së Ahtisaarit dhe Kushtetutën e Kosovës, të cilat e definojnë rolin e FSK. Anëtarët e Komisionit dhe udhëheqësit e FSK vizituan edhe Qendrën Nacionale të Trajnimeve të FSK, në Ferizaj
Kur dhe si filluan kontradiktat mes KFOR dhe FSK
Në fundjavën e kaluar në Prishtinë, rreth tre ditë më parë, KFOR vendosi të ngrijë marrëdhëniet me Forcat e Sigurisë së Kosovës, për shkak të parakalimit të Gardës së Nderit, në manifestimet për 12 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lajmin e bëri të ditur vetë Komandanti i trupave paqeruajtëse të NATO në Kosovë, Markus Bentler. Ai tha se vendimi për të ndërprerë përkohësisht çdo lloj bashkëpunimi me Forcat e Sigurisë të Kosovës, erdhi si pasojë e parakalimit të Gardës me armë në manifestimin e së premtes. Ndërkaq, në një reagim të posaçëm ndaj këtij vendimi reagoi ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota, i cili u shpreh se bashkëpunimi me KFOR nuk cenohet. Bashkëpunimi do të shkojë shumë më përtej se sa një keqkuptim, ose një dallim në konceptin për praninë e Njësisë Ceremoniale në Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është shprehur Mujota.