E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beratit nën kërcënimin e lumenjve, në rrezik serioz shtëpitë e banimit

Vetëm gjatë një muaji, në Qarkun e Beratit janë shembur krejtësisht 12 banesa, ndërsa janë në rrezik mbi 164 të tilla. Shembjet e fundit kanë shkaktuar dhjetëra familje të pastreha, qindra shtëpi të tjera janë në rrezik, mijëra hektarë tokë kanë rrëshqitur ku kanë humbur jo vetëm identitetin e kufijve mes fermerëve por janë dëmtuar krejtësisht qindra rrënjë pemë frutore.

 Por pasojat nuk përfundojnë këtu, sepse me dhjetëra fshatra janë izoluar si pasojë e shembjes së rrugëve rurale që lidhin këta të fundit me qendrat e komunave dhe me qytetin. Institucioni i Prefektit në Qarkun e Beratit ka bërë dje bilancin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimi i lumenjve Osum dhe Devoll, shkarja e tokave, dalja disa herë i tyre nga reshjet e dendura të shiut dhe borës. Prefekti i Beratit, Konstandin Lefta ka dalë në një konferencë për shtyp ku ka bërë të ditur situatën kritike dhe tepër serioze dhe të vështirë si dhe masat që po merren nga ana e qeverisë për përballimin e situatave të tilla kritike për të dalë nga gjendja e krijuar nga këto probleme madhore. Me tej prefekti Lefta është shprehur se pritet akordimi i fondeve nga ana e qeverisë për të dalë nga situata tejet e rëndë që është krijuar në qytet, komunat dhe shumë fshatra të këtij kësaj prefekture kryesisht gjatë muajit Janar, Shkurt, por dhe në ditët e para të marsit. Lefta është shprehur se gjatë muajit të fundit si rezultat i reshjeve të shiut, i luhatjes së vazhdueshme të temperaturave, i rënies së borës dhe shkrirjes së saj, i rritjes së menjëhershme të prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll, nga reshjet e dendura të muajve të fundit si tej ngopja e tokës me ujë, ka bërë që tepricat nga toka të mbushin shtretërit e lumenjve dhe për pasojë daljen e tyre nga shtretërit duke sjellë pasoja të pa llogaritshme nga përmbytjet dhe gërryerjet e tokës bujqësore etj. Vetëm si pasojë e shkarjes së dherave janë dëmtuar pesë shtëpi banimi në qytetin e Beratit, katër shtëpi banimi në qytetin e Kuçovës, tre shtëpi në fshatin Tomorr, ndërsa dhjetëra të tjera rrezikohen në fshatrat Kapinovë, Lybeshë, Zgërbonjë, Cukalat, Roshnik, Velabishtë, etj. Ndër situatat më problematike është ajo e dëmtimit të përsëritshëm të tubacionit që furnizon me ujë të pijshëm qytetin e Beratit, rreziku i nënstacionit të usjellësit Kozare, bllokimi i disa segmenteve në rrugët nacionale Poliçan- Çorovodë, Berat- Tërpan, Kuçovë - Elbasan si dhe qendrat e komunave me fshatrat Vërtop, Kapinovë, Bogovë, etj.  Për të gjithë këtë situatë të krijuar kryetarët e komunave dhe ata të bashkive kanë hartuar projekte dhe tashmë pritet nga qeveria që të lëvrohen fonde, tha prefekti i Beratit, Konstandin Lefta.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›