Haga shpall të pafajshëm Ramush Haradinajn
Trupi gjykues i Gjykatës së Hagës ka shpallur të pafajshëm ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj nga të gjitha akuzat. Nga akuzat është liruar edhe Idriz Balaj, ndërsa fajtor është shpallur Lahi Brahimaj, i cili u dënua me 6 vjet burg. Gjykata urdhëroi lirimin e Haradinajt dhe Balajt menjëherë pas përfundimit të formaliteteve të nevojshme. Trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi holandez, Alfons Orie, duke arsyetuar lirimin e Haradinajt tha se në bazë të përfundimeve aktuale dhe ligjore të përcaktuar në aktgjykim dhoma shpall Haradinajn të pafajshëm dhe e shfajëson nga të gjitha aktakuzat. Gjykatësi Orie theksoi se po ashtu e njëjta gjë vlen edhe për Balajn. Ndërsa Lahi Brahimaj u shpall fajtor për dy akuza: trajtim mizor dhe torturë si shkelje të ligjeve të luftës. Ai u shpall i pafajshëm për akuzat e tjera të aktakuzës. Aktpadia kundër Haradinajt, i cili njëherësh është edhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ishte ngritur vetëm 100 ditë pasi që është emëruar në postin e kryeministrit të Kosovës dhe është detyruar të japë dorëheqje nga posti më 8 mars të vitit 2005, për të udhëtuar të nesërmen vullnetarisht në Hagë.
Prokuroria kishte kërkuar një dënim maksimal prej 25 vjetësh për Haradinajn, duke e akuzuar atë për krime të rënda ndaj civilëve serbë në rajonin, ku ai ka komanduar. Por pala mbrojtëse ka thënë se akuzat nuk kanë bazë dhe kishte kërkuar lirimin e pakusht të Haradinajt.
LSI-ja uron Haradinajn: “E drejta fitoi”
Lëvizja Socialiste për Integrim ka përshëndetur dhe ka vlerësuar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në Hagë për shpalljen si të pafajshëm të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Në deklaratën për shtyp të LSI-së thuhet: “LSI-ja ka qenë gjithnjë e bindur për integritetin politik, moral dhe njerëzor të ish-luftëtarit të UÇK-së dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj. Në këtë kontekst LSI-ja dëshiron të përshëndesë vendimin e paanshëm të Gjykatës ndërkombëtare për krimet e luftës në Hagë, e cila sot ndau shpifjet dhe gënjeshtrat nga realiteti i z.Haradinaj që është një patriot i madh, është një person i madh dhe kurajoz që për asnjë çast nuk ngurroi të përballet me drejtësinë. Gjithashtu ne vlerësojmë se vendimi i sotëm është një fitore personale, jo vetëm e z.Haradinaj, por është një fitore e luftës dhe sakrificave që ai dhe mbarë rinia kosovare kanë bërë për hir të lirisë dhe demokracisë në Kosovë”.
4 Prill 2008