E Shtunë, 31 Tetor 2026

NBA rrezikon seriozisht kampionatin e ri

Lojtarët dhe klubet nuk e kanë gjetur ende gjuhën e përbashkët, ndërsa sezoni i ri nis më 1 nëntor

Kampionati më i famshëm i basketbollit botëror NBA është në krizë të thellë, pas dështimit të fundit në tratativat mes pronarëve të skuadrave dhe lojtarëve në lidhje me ndarjen e përfitimeve. Si pasojë e kësaj ndodhi ajo që ishte parashikuar. Është konfirmuar pezullimi i ndeshjeve të parasezonit, ndërsa në rrezik është dhe kampionati i ri në program për të filluar më 1 nëntor. Edhe një herë të dy palët nuk kanë rënë dakord sa i përket përqindjeve të përfitimeve. Deri tani basketbollistët fitonin 57 për qind të të ardhurave kundrejt 43 për qind që merrnin pronarët e skuadrave. Por pas humbjeve që kapën shifrën 300 milionë dollarë në sezonin e fundit, Liga vendosi të ndryshojë shifrat, duke ulur në 47% përfitimet e lojtarëve. Ky propozim është shumë larg kërkesës së sindikatës së basketbollistëve që pranojnë të zbresin deri në 53 për qind.

"Ne po punojmë për të gjetur një marrëveshje, por deri tani distanca që ndan kërkesat tona nga ato të pronarëve është shumë e madhe”, - ka thënë presidenti i sindikatës së basketbollistëve, Derek Fisher. Por mungesa e akordit vazhdon të zhysë në një krizë të thellë kampionatin më spektakolar të basketbollit botëror, i cili për herë të dytë në histori është shumë pranë pezullimit të sezonit të ri, që duhet të nisë në ditën e parë të nëntorit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›