E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nasri: Shqipëria? Më e vështirë se kundër Bosnjes

SHKRUAN: Jeton Selimi 06-10-2011 15:48

Fantazisti i Mançester Sitit ka pranuar se ka gabuar me deklaratat e bëra pas ndeshjes së parë kundër kuqezinjve, por pohon se ka sheshuar gjithçka me trajnerin Blank

Pasi ka afirmuar se nuk ka “asgjë për të dëshmuar” në futboll, Samir Nasri është shprehur për ndeshjen me Shqipërinë, ku sipas tij, beson se do të gjejë një vend në formacionin titullar. I kritikuar nga Loren Blank për përfaqësimin e tij kundër ndeshjes së parë me Shqipërinë më 2 shtator (2-1 për Francën), blerja e re e Mançester Sitit ishte përgjigjur pa u menduar gjatë. “Nuk kam se çfarë të dëshmoj”, - replikoi ai ndaj trajnerit të “gjelave”.

Reagimi i trajnerit francez ishte i menjëhershëm dhe Nasri nuk ishte më titullar katër ditë më pas gjatë ndeshjes me Rumaninë (0-0), duke u futur vetëm si zëvendësues por pa bindur aspak.

Sot, ish-lojtari i Marsejës bën autokritikën e tij. “Kur ambienti të bën shumë presion, ti kërkon të bësh luftë me të gjithë botën, por pikërisht këtu gabon. E vërteta është se e humbet pak toruan”, - pranon ai duke shprehur dëshirën se kërkon që ta marrë revanshin e tij vetëm në fushën e lojës.

“Kam dëshirë të bëj mirë, sidomos pas dy ndeshjeve të mia të fundit që nuk ishin të mira”, - thotë ish-lojtari i Arsenalit, që tani ka marrë përsipër rolin e modestit. “Nuk jam askushi që të prenotoj një vend në qendër apo në krah”, - thekson Nasri, që më pas flet për “incidente” duke iu referuar dy përballjeve të fundit ndërkombëtare dhe e refuzon imazhin e lojtarit të përkëdhelur, por kërkon vetëm që t’i pranohen disa vlera të caktuara. “Nuk kam qenë kurrë indiferent. Ndeshjet e mira dhe ato të këqija nuk shpjegohen dot gjithnjë. Një ditë shpërdoron gjithçka, një ditë e ke ndeshjen vaj”, - gjykon ai.

Nasri pranon se “mori një mësim të mirë” me atë sjellje që bëri në shtator, por se nuk ka pasur ndërmend të konfliktohej me trajnerin. “Jemi sqaruar, ishte një keqkuptim”, - tha ai për bisedën që bëri më Loren Blank. Pastaj, ai flet edhe për mungesën e mbrojtësit të Barcelonës, Abidal. “Me eksperiencën që ka ai, do të na ishte shumë i nevojshëm për ndeshjen me Bosnjen. Është mësuar me sfida të rëndësishme. Erik na nevojitet edhe për këtë”, - vlerëson Nasri.

Organizatori i lojës mendon se ndeshja e së premtes kundër Shqipërisë, është një fitore e detyruar për Francën, ndërsa do të jetë më e vështirë sesa përballja e së martës me Bosnjen, që vlen kualifikimin. “Shqipëria do të jetë më e vështirë se Bosnja. Ndeshja e dytë do të jetë më e këndshme, pasi Bosnja pëlqen të luajë me topin. Nuk ka asgjë për të humbur dhe shumë për të fituar”.

Mjeku: Abidal nuk luan të premten

Vuan nga një dëmtim në kaviljen e djathtë që nga fundjava e shkuar. Erik Abidal ende nuk e di nëse do të jetë në gjendje për të zbritur në fushën e lojës të premten kundër Shqipërisë. “Është një muskul që sjell shumë probleme. Nuk do të rrezikojmë, – ka deklaruar mjeku i skuadrës franceze, Fabris Brajo. - Është një dëmtim shqetësues, nuk ka optimizëm përqark. Për të premten mbetem shumë skeptik”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›