E Shtunë, 31 Tetor 2026

NDERKOMBETARE/ Kur Brukseli i tërheq veshin Romës

Në mbledhjen e parë të saj në maj, qeveria e Silvio Berluskonit miratoi një “paketë masash sigurie” me qëllim që të luftonte emigracionin e paligjshëm dhe të largonte të huajt e padëshiruar. Këtë javë, senati do të debatojë lidhur me zbatueshmërinë e masave të fundit të sigurisë. 

Pesë muaj që kur Berluskoni premtoi se do t’u garantonte italianëve një jetë të qetë dhe pa frikë në vendin e tyre, paketa e tij e sigurisë është marrë si shembull nga eurokratët në Bruksel dhe është përballur me një kontakt të ashpër me realitetin. Në të vërtetë, ajo është kthyer në një paradigmë të vështirësive me të cilat përballen qeveritë europiane, nëse ato do të përpiqen të prezantojnë llojin e masave që votuesit dëshirojnë. Nga katër masat e paketës, vetëm dislokimi i trupave të policisë është zbatuar. Rreth 3.000 ushtarë do të mbeten në detyre deri në janar. Masa më problematike e propozuar është ajo e burgosjes së emigrantëve të paligjshëm deri më katër vjet. Ministri i Brendshëm i qeverisë Berluskoni, Roberto Maroni, deklaroi para një komisioni parlamentar se ata nuk do të burgoseshin, por do të gjobiteshin.
Zyrtarët shpjeguan se nuk kishte shumë vend nëpër burgje. Maroni këmbëngul se synimi kryesor ishte që emigracioni klandestin të bëhej i ligjshëm, duke u lejuar gjykatësve të dëbonin personat që mbeteshin sa më shpejt. Por problemi është se emigrantë të tillë shpesh vijnë pa dokumente dhe pretendojnë se janë nga një vend tjetër dhe jo nga ai që kanë ardhur vërtet. Kur diplomatët e vendit që ata deklarojnë, refuzojnë të merren me çështjet e tyre, autoritetet nuk kanë ku t’i dërgojnë më. Por edhe dëbimet e shpejta kanë ngritur shqetësime për të drejtat e azilkërkuesve. Laura Boldrini e zyrës së UNHCR-së, tha se azilkërkuesit nuk duhet të ndëshkohen, sepse nuk kanë dokumente me vete. Ndërkohë, Maroni e ka përdorur paraqitjen e tij para komisionit parlamentar edhe për të dhënë një tjetër lajm: nxjerrjen jashtë ligjit të masës për dëbimin e shtetasve të BE-së që nuk mund të vërtetojnë mjetet e duhura për jetesën. Kjo ishte një masë e planifikuar për të larguar rumunët. Masat bien në kundërshtim me lëvizjen e lirë të njerëzve, sipas parashikimeve europiane. Komisioneri i BE-së për Drejtësinë, Jacques Barrot, paralajmëroi javën e kaluar se procedimet kundër Italisë do të nisnin shumë shpejt. Maroni këmbënguli se do të vazhdonte me planet për heqjen e kampeve rome dhe dëbimin e romëve nga Italia. Çdo i huaj që qëndron në Itali për më shumë se 90 ditë duhet të ketë një leje qëndrimi. Nëse një rom nuk mund të vërtetojë se ka të ardhura minimale për të jetuar, ai nuk mund të marrë një leje qëndrim. Kjo e bën atë emigrant të paligjshëm. Në ka precedent penal, ai duhet të dëbohet. Por siç sinjalizoi Barrot, komisioni ka pakënaqësi lidhur me legjislacionin që po përgatit Italia.
Zyrtarët në Bruksel thonë se rregullat e BE-së nuk lejojnë deklarimin e të ardhurave minimale dhe as dënimin e njerëzve të padëshiruar nga vendi, përveçse në raste shumë të veçanta. Masa e katërt në paketë është ajo që i kërkon gjykatave të vendosin gjoba për ata që jetojnë ilegalisht në Itali. Por në 19 shtator, kreu i delegacionit të Parlamentit Europian kishte marrë garanci nga Maroni se nuk do të aplikohej një gjë e tillë për shtetasit e BE-së, ku përfshihen rumunët. Ajo çfarë nuk kuptohet shumë mirë nga shumica qeverisëse e Berluskonit është pikërisht ajo direktivë e lëvizjes së lirë, që hyri në zbatim dy vjet më parë dhe që u garantoi shtetasve të BE-së të njëjtat të drejtat me banorët vendas. Politika e “atyre” dhe “ne”-ve nuk zbatohet më në BE. Përveçse në kohë zgjedhjesh, natyrisht.

“The Economist”



Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›