NATO dhe BE s’janë tavë bakllavaje
Anëtarësimi në NATO përbën pa dyshim një arritje të jashtëzakonshme për vendin tonë. Edhe pse që të jemi vend anëtar me të drejta e status të plotë do të duhet edhe pak kohë, mund të themi se jemi brenda. Por kjo nuk nënkupton që ambasadat perëndimore do të hapin dyert për ne dhe në vendet evropianoperëndimore do të shkojmë pa viza, sikurse shprehej një nënë shamizezë e brengashumë, e intervistuar përpara pak ditësh nga një televizion. Anëtarësimi ka dobi të tjera. Politikisht, Shqipëria forcon pozitat e saj në Ballkan e madje në Evropë. Kosova, nga një Shqipëri me kufij tashmë të mbrojtur nga NATO-ja, ndihet edhe ajo vetë më e sigurt. Ndërsa në pikëpamje ekonomike, një vend anëtar ose duke hyrë pa kthim mbrapa në NATO, është një garanci për shumë kompani investuese të huaja. Ndoshta kjo duhet që kompani gjigande konsumi e tregtie si “Tasco” apo “Carrefours” të fillojnë të mendojnë për Shqipërinë... Dhe nëse mendojnë ato, atëherë me dhjetëra mijëra familje fermerësh shqiptarë në Fier, Lushnjë, Kavajë, Vlorë apo Lezhë nuk do të kenë pse të shqetësohen se ku do t’i shesin perimet apo frutat e tyre. Ose ndoshta është ende herët. Sido që të jetë, ekspertë ekonomie përllogarisin se vetëm kjo atmosferë e re të një vendi NATO që po përjetojmë, do të bëjë që përgjatë vitit 2009 investimet e huaja të drejtpërdrejta të dyfishohen. Dhe kjo nuk është ëndërr me sy hapur. Mirëpo çfarë thamë më lart përbëjnë anën e dukshme të Hënës. Faqja e padukshme ka surpriza të tjera dhe këto jo dhe aq të këndshme. Sa e përgatitur është ushtria shqiptare të hyjë në Aleancën Transatlantike? Katastrofa e Gërdecit shpalosi qartë strukturat e saj aspak efikase të kontrollit dhe përgjegjësisë mbi armët e vjetra që ka në disponim. Nga ana tjetër, niveli i profesionalizmit të ushtrisë dhe i informatizimit të aktivitetit të saj është ende shumë i ulët. Për t’i ngritur këto nivele duhen “vinça” me krahë qindra milionë euroshe. Praktikisht, ne shqiptarët kemi qenë më pozitivët dhe kërkuesit në afrimin me Aleancën Transatlantike. Ndoshta pse më pak se cilido vend tjetër i kontinentit dimë sakrificat që duhen bërë në reforma dhe kostot shoqëruese. Ndoshta pse BE-në dhe NATO-n deri tani i kemi parë si tavë bakllavash pasurie dhe sigurie, anëtarëve të të cilëve u lejohet të marrin secili nga një thelë. Mirëpo këto anëtarësime kanë koston e tyre. Deri tani është përmendur vetëm një shifër prej 5 miliardë lekësh për zbatimin e zotimeve me Organizatën Botërore të Tregtisë. Askush nuk e di me saktësi sa do të kushtojë procesi i gjatë i futjes në BE. Mund të dihet kostoja e përgatitjes së 100 mijë faqeve ligje të reja të domosdoshme. Por kostoja e zbatimit të tyre në praktikë është madhore sa dhe vetë procesi. Buxheti i shtetit lypset të mendojë për fondet e modernizmit të ushtrisë (informatizimit e motorizimit të saj) si parapërgatitje për anëtarësimin e plotë në NATO. Po ashtu dhe për miliona eurot që duhen për përafrimin me BE-në. Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Oli Rehn, u shpreh dje se viti 2009 do të jetë vitit i Ballkanit në lidhje me afrimin me BE-në. Ai pret që Shqipëria të tregojë se po reformohet. Dhe reformimi nis së pari nga paratë që parashikon për proceset e tij. Buxheti i shtetit i vitit 2009 flet për shumë investime në infrastrukturë. Ka shifra rekord ndërhyrjesh e punësh publike dhe kjo duhet përshëndetur. Por në të nuk shihen të detajuara paratë për projektet e përbashkëta me BE-në. Ndoshta këtu duhet treguar vëmendje absolute. Viti 2009 i Ballkanit është në radhë të parë i Kroacisë, e cila shumë shpejt, ndoshta brenda këtij viti, do të bëhet vendi i 28-të i Bashkimit Evropian. Ne i kemi të gjitha arsyet dhe interesat të ndjekim shembullin kroat. Të investojmë që përse jo, viti 2010 apo një pas tij të na gjejë në atë pozitë që është Kroacia sot. Ekonomia shqiptare ka treguar shenja të jashtëzakonshme përmirësimi, si për nivelin e transparencës dhe uljes së korrupsionit në bërjen biznes (marrjen e lejeve etj.), ashtu dhe në rritjen e kreditimit apo investimeve të huaja. Është koha që qeveria të përqendrohet në reformat e tjera dhe “mrekullia” kroate nuk do të jetë larg nesh.
Fatos Çoçoli
Fatos Çoçoli