"Nudot e babait i fshihnim në copa çarçafësh"
E bija e piktorit Jakup Keraj rrëfen mbijetesën e artit të të atit. Kujtimet vijnë në një ekspozitë retrospektivë me vepra të panjohura në Galerinë e Arteve.
Kujtimet e babait i përkasin fëmijërisë së hershme. Ajo mundi t'i qëndronte pranë, të punonte me të, por gjithçka ndali herët. Albana Sinaj, vajza e piktorit Jakup Keraj trashëgoi nga ai pasionin për pikturën. Këto ditë e ka ndjerë më afër përmes artit të tij. Në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve, nën kurimin e Suzana Varvarica Kukës, mbrëmë është çelur një ekspozitë retrospektivë me vepra të panjohura. Mes tyre edhe nudo. Disa të fondit të GKA-së e disa të familjes. Sot ato janë krejt të zhveshura. Dikur, në studion e tij qëndronin të fshehura pas kartonësh të shumtë, çarçafësh e copa jorganësh...
Një ekspozitë retrospektive në kujtim të babit tuaj... Kishte një arsye të fortë që u zgjodh pikërisht kjo kohë?
Ekspozimi i pikturave të panjohura për publikun ishte shtysa e parë e kësaj ekspozite, të cilës iu shtua edhe dëshira jonë që Jakupi si piktor të jetë i pranishëm në mendjet e njerëzve. Atë duhet ta njohë brezi i ri, por edhe ta kujtojnë brezi i vjetër, kolegët, shokët e miqtë e vet. Ndonëse nga ana fizike dhe morale ne si familje e ndiejmë mungesën, përmes artit ai është një kujtim i gjallë.
Kjo ishte gjithçka e panjohur që ruhet në fondin familjar?
Është vetëm një pjesë, por ka edhe të tjera në fondin e familjes. Janë më shumë vizatime që nuk janë ekspozuar asnjëherë. Ndoshta do të jetë e mundshme që të bëhen të njohura pas disa vitesh. Ndërsa vepra të tjera (rreth 25) ruhen në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve dhe 33 në Galerinë e Shkodrës, pa përfshirë koleksionistët shqiptarë, njerëz e miq të vet që i kanë blerë apo u ka dhuruar, vepra që më parë kanë qenë nëpër institucione dhe ne nuk ua dimë fatin. Ai ka vdekur shumë i ri, vetëm 52 vjeç. I ka takuar që sa ishte gjallë të hapë vetëm dy ekspozita; një në '64-ën dhe një në '84-'85. Ndërsa pas vdekjes kam hapur një ekspozitë me veprat e tij dhe të miat, dhe një retrospektivë.
Jakup Keraj ka krijuar në një kohë që arti rrezikonte. Për më tepër edhe nudo. Si i ka ruajtur këto vepra?
Babai im ka pasur shansin e mirë të kishte një nënë të pasionuar pas të birit dhe punëve të tij. Edhe vëllezërit e tij kanë qenë të kujdesshëm për të ruajtur punët. Si natyrë ai ka qenë pak neglizhent. Punët si nudot ia ka ruajtur nëna. Ia fshihte të mbledhura me kartonë, copa çarçafësh e jorganësh që të mos dukeshin. Kanë qenë gjithmonë në studio të mbledhura rul. Në atë kohë, kush ka qenë i kujdesshëm ka pasur mundësi të fshehë diçka. Por nuk është se kjo nuk ka pasur asnjë pasojë tek ai. Unë kam qenë e vogël dhe nuk e mbaj mend, por miqtë e tij tregojnë se kur u kthye nga Bashkimi Sovjetik, e futën të jepte mësim në një shkollë 8-vjeçare. Kjo tregon që në një farë mënyre e kanë paditur.
Ju keni ecur në rrugën e tij. E mbani mend kur pikturonte?
E mbaj mend shumë mirë. E kishte pasion të dilte në natyrë dhe të pikturonte. Ka peizazhe nga Thethi, rrethinat e Shkodrës, Boga.
Që e vogël unë jam marrë me pikturë, kam punuar me të dhe ruaj kujtime deri në klasën e 5-të. Më thoshte shpesh puno, puno. Nuk më bënte shumë komplimente. Por ndonëse më ndihmonte, nuk kishte shumë dëshirë që unë të vazhdoja për pikturë. Ndoshta e mendonte të zymtë të ardhmen, ashtu si shumë artistë të asaj kohe. Donte që të merresha me muzikë. Por unë muzikën e kisha hobi, kurse pikturën pasion të vërtetë. Motra e madhe ruan më shumë kujtime prej tij. Ndërsa vëllai po ashtu vazhdoi rrugën e artit, për skulpturë.
Ke krijuar ndonjë vepër me të?
Po, të paktën njërën e mbaj mend. Ishte borë dhe nuk mund të dilnim jashtë se ishte shumë ftohtë. Kishim dritaren e madhe nga xhami dhe u ulëm të dy për të pikturuar. Nisëm të punonim dhe unë doja të punoja shpejt, ashtu siç bënte ai. Kishte një hedhje impresion të parë shumë të mirë. Më nxiste egoja që të bëja më të mirën. Është një kujtim i bukur, që e ruaj edhe sot në shtëpi.
Cili ishte imazhi që përthithje nga ai, i artistit apo i prindit?
Ishte idhull për mua. Jo vetëm si artist, por edhe si prind. Ishte shumë familjar, kujdesej për të tre fëmijët, që të kishin gjithçka që mundej. Është fatkeqësi për ne që s'e kemi më.
Çfarë ke trashëguar prej tij?
Unë kam bërë shkollë pikture, kam punuar shumë, jam marrë 7 vjet me fotografi. Por tani jeta ka ndryshuar. I jam rikthyer sërish pikturës që të gjej veten, të krijoj stilin tim, sepse në shkollë gjithmonë më thoshin që të mos kopjoja babanë. Mund të kem marrë nga vizatimi, meqë dhe pedagogët ma kanë vënë në dukje.
Fliste për pikturën e tij?
Shumë pak. Ishte modest dhe pak natyrë e heshtur.
Veprat e Jakupit i ruani në shtëpi. I shihni herë pas here?
Shumë herë. Pa hyrë ende në shkollën e lartë, atij i referohesha gjithmonë. Edhe tani i shoh, por gjithnjë e më shumë më duket i pakapshëm.
Ju jeni vet piktore. Babai juaj ka sjellë punë edhe të kohës kur ishte student. Po të bësh një krahasim, sa ndikoi klima shqiptare në artin e tij?
Gjithçka që ai kishte mësuar atje pati ndikim edhe më vonë. Unë vet mendoj se është natyrë ekspresive dhe virtual. Çdo artist ka periudhat e veta, por mund të them se komunizmi dhe realizmi i asaj kohe ka ndikuar shumë pak në rënien e tij artistike. Unë nuk dalloj të ketë ulje e ngritje të mëdha. Sigurisht që kanë qenë të kushtëzuar të bëjnë edhe vepra të tjera. Ai ka pikturuar edhe Enverin. Por unë nuk i paragjykoj. Në çdo vend të botës gjen Hitlerin, Bonapartin e të tjerë me radhë.
Sa fanatike jeni ndaj koleksionit që trashëgoni. A shisni piktura të babait tuaj?
Mendoj se shitja e disa pikturave e bën edhe më të njohur ai artist. Sidomos përmes koleksionistëve. Unë mendoj se kemi bërë mirë që kemi shitur disa punë në dy ekspozitat pas vdekjes së tij. Sigurisht që nuk do të heqim pjesën më të mirë të fondit. Por jam fanatike që t'i ruaj sa më mirë.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)