“Shenjtorët” gjermanë të Shqipërisë
Mes 40 besimtarëve katolikë që janë propozuar nga autoritetet kishtare shqiptare për t'u shpallur shenjtorë, janë edhe dy gjermanë. Një teolog nga Këlni po mundohet tani të plotësojë jetëshkrimet e tyre.
Se si ishte ora e fundit e jetës së Jozef Marksenit (Josef Marxen) nuk dihet. Thonë që e kanë pushkatuar në një pyll të Tiranës, më 17 nëntor 1946. Thonë që e kanë vrarë tinëzisht, kur prifti gjerman i fshatit Jubë të Mirditës po përpiqej të dilte nga Shqipëria në drejtim të Kosovës. Po aq e turbullt është edhe zhdukja e Alfons Trackit, asokohe prift i Velipojës. Në arkipeshkvinë e Shkodrës thuhet se ai ka vdekur si pasojë e torturave.
Profesori i teologjisë Helmut Mol (Moll) ka dy vjet që po mbledh të dhënat biografike për këta dy priftërinj gjermanë, të cilët i kaluan ditët e fundit të jetës së tyre në Shqipëri. E tëra filloi dy vjet më parë: Prelat Molit i erdhi një letër nga ipeshkvi i Shkodrës, Anxhelo Masafra (Angelo Massafra). "Konferenca e ipeshkëve shqiptarë pat propozuar 40 persona për shenjtorë, peshkopë, priftërinj, besimtarë të thjeshtë, burra dhe gra. Në vitin 2002 u hap procedura, por vetëm para dy vjetësh u konstatua se në mesin e këtyre 40 njerëzve janë dy me emra gjermanë", - rrëfen Mol për Dojçe Velen. Masafra iu drejtua Konferencës së Ipeshkëve Gjermanë (DBK) me pyetjen se kush mund ta përpilojë fazën gjermane të jetës së këtyre dy priftërinjve.
Helmut Moli është i ngarkuari i Konferencës së Argjipeshkëve Gjermanë për "martirët e kishës katolike". Përveç emrave, Moli nuk dinte asgjë për dy priftërinjtë: "Muaj të tërë u përpoqa të gjeja diçka në internet, nëpër arkiva, të pyesja njerëz të ndryshëm, të kërkoja nëpër librari, dhe hap pas hapi arrita të krijoja biografinë", - thotë ai.
Moli është përgjegjës edhe për procedurën e shenjtërimit të martirëve nga Këlni, gjë që ia bëri më të lehtë plotësimin e biografisë së Jozef Marksenit, i cili ka lindur në vitin 1906 në lagjen e Këlnit, Vorringen. "Kur disa muaj më parë publikova një intervistë në gazetën lokale "Koelnischer Rundschau", m'u lajmërua i vëllai Jozef Marksenit, Alfons Marksen. Ai është 90 vjeç dhe jeton në Nordrajn Vestfali. Gradualisht Moli filloi të gjente edhe të afërm të tjerë të Marksenit, në Gjermani dhe Luksemburg. "Ata më sollën fotografi, letra, kujtime e të gjitha mund t'i përdorja për të krijuar variantin e parë të biografisë në gazetën 'Klerus'", - rrëfen Moli.
Më e vështirë është mbledhja e të dhënave për Alfons Trackin, për të cilin dihet që ka lindur në vitin 1886 në Silezinë e Epërme. "Sapo kam publikuar biografinë e tij në "Gazetën Sileziane", por nuk shpresoj të gjej të afërm gjaku, sepse Tracki ishte më i vjetër se Markseni. Dy fotografitë e vetme të Trackit janë nga Shqipëria", - thotë Moli.
Ishte ideja e Papa Gjon Palit II, që e kishte përjetuar vetë ateizmin komunist, që të shkruhej historia e priftërinjve, besimtarëve ose misionarëve që u bënë viktima për shkak të bindjeve fetare. Moli ka publikuar ndërkohë dy vëllime me titullin "Dëshmitarët e Krishtit" ku ai rendit biografitë e mbi 800 gjermanëve që janë martirizuar në shekullin e 20-të për shkak të besimit katolik.
Në ribotimin e ardhshëm që pritet të dalë në vitin 2010, do të përfshihen edhe emrat e dy priftërinjve gjermanë që u bënë viktimë e diktaturës komuniste në Shqipëri e që së bashku me 38 persona të tjerë do të propozohen për shenjtorë. Procedura e shenjtërimit është e gjatë. Moli është i bindur që pas 10 vjetësh Papa do t'i shpallë shenjtorë. Këtë mesazh ai ua kumton edhe besimtarëve nga Këlni në çdo referat të tij: "Ata janë të gëzuar, - thotë ai, - Këlnit do t'i shtohet edhe një shenjtor".