E Shtunë, 31 Tetor 2026

OPINION/ Pabarazia e barazisë

Nga Kiço Blushi
Të vendosësh me ligj,ende pa u bërë zgjedhjet, që në Kuvendin e ardhshëm domosdoshmërisht do të ketë 30 % gra, do të thotë që të ashtuquajturën barazi gjinore ta realizosh me pabarazi gjinore. 

Kjo nismë e fortreklamuar, natyrisht jo për hir të standardit demokratik të barazisë, por të pranimit apriori të inferioritetit të grave e ndoshta edhe të dobisë që kanë liderët e partive kryesore “për më shumë gra” të emëruara (jo të zgjedhura), d.m.th, për ca zonja-shoqe të urta e të bindura, të cilat do të jenë të gatshme të duartrokasin e të votojnë edhe pa e ditur pse. Me sa duket udhëheqësit meshkuj ndjehen më komodë nëpër partira, në qeverisje dhe në opozitë me të tilla gra “punëtore” e kokulura, të cilat mund të rrinë pa bukë dhe pa drita për hir të unitetit! Vetëm ato gra që kanë frikë nga barazia gjinore sepse, kur fëmijët e tyre bëjnë zarare e u thonë: “rrini urtë se do t’i rrëfej babait gabimet që keni bërë”, mund të pranojnë një të tillë kushtëzim antidemokratik “për t’u zgjedhur me përqindje” partiake, pa merita dhe kontribute vetjake.
Nuk besoj që në Parlamentin Europian të ketë një të tillë ligj “30 përqindësh” për përfshirjen e detyrueshme të grave, pasi femrat e emancipuara evropiane, këtë do ta quanin fyerje të gjinisë së tyre. Barazi gjinore nuk do të thotë që femra të konkurrojë me femrën, me përqindje taksative të dhuruar, po të konkurrojë në një shoqëri të hapur, si e barabartë me mashkullin. Mekanizmi fyes i postit-dhuratë nga krerët meshkuj është në fakt poshtërim për barazinë gjinore dhe për ato femra që e kanë fituar dinjitetin me meritë. Ajo që thuhet, për të argumentuar “kuotat me gra”, se shoqëria jonë është patriarkale dhe maskiliste dhe për këtë shkak nuk mundëson dhe nuk inkurajon gruan të bëjë karrierë, meqë është grua, nuk është e vërtetë. Prej disa dhjetëvjeçarësh universitetet tona kanë më shumë femra se meshkuj. Për vende pune shpesh janë më të privilegjuara femrat se meshkujt. Askurrkund nuk ndjehet përjashtimi për shkak të gjinisë. Në ato familje ku gruaja është e diskriminuar dhe e shtypur, aty edhe burrat nuk janë të lirë. Por edhe nëse supozojmë se jemi shoqëri para demokratike, e pacivilizuar, kjo prapambetje kurrsesi nuk zgjidhet me 30%-shin! Mjafton të ndjekësh çdo TV shqiptar për të kuptuar sa të emancipuara e të lira janë sot femrat në Shqipëri. Përditë e më tepër gruaja po bëhet “sunduese” dhe drejtuese jo vetëm në familje, po edhe në shoqëri. Rritmi i emancipimit të femrës sot është më i lartë se rritmi i emancipimit të burrave, për shumë arsye. Femra e ka vrarë turpin patriarkal më shumë se meshkujt arrogantë që sillen medemek si “të fortë”, sepse, me sa duket, femra tek ne është më vitale se mashkulli. Këtë e dëshmon jo vetëm ana e jashtme, por edhe liria ekonomike si dhe çlirimi i pafrenueshëm nga paragjykimet dhe kufizimet e trashëguara. Trafikimi dhe prostitucioni nuk janë vetëm vepra të meshkujve barbarë që nuk e respektojnë barazinë gjinore.
Aktualisht, femra shqiptare po e shfrytëzon dhe shijon lirinë më shumë se meshkujt. Tashmë tek ne, ashtu si nuk ka më paragjykime për zhveshjen e femrës nëpër ekrane, nuk ka më ngurrim as për emërimin e saj nëpër poste të larta drejtuese. Rritja e dhunës në familje ndaj grave (më së shumti në zonat rurale) buron për shkak të krizës morale të familjes përballë sfidave të tranzicionit, se sa prej faktit se shoqëria shqiptare është gjenetikisht maskiliste. Gjithsesi kjo “klimë dhune”, më shumë e amplifikuar se reale, nuk e ka përjashtuar femrën urbane nga mundësitë për të përparuar dhe për të bërë karrierë, ashtu sikundër bërja 30% e Kuvendit me femra nuk ka për ta kufizuar nesër as dhunën, as trafikimin dhe as diskriminimin! Sot Shqipëria ka dy gra që janë me shumë pushtet, kryetaren e Kuvendit dhe Prokuroren e Përgjithshme. Por asnjëherë nuk është thënë se ato nuk i meritojnë ato vende me që janë gra, se po punojnë keq, se po sillen dobët me autoritetin e dhënë e se nuk japin rezultate të dëshiruara, apo se pengohen me që janë femra. Dhe kjo është një nga arritjet e demokracisë. Por shqetësimi te shumëkush në fakt është krejt i ndryshëm: Përse p.sh, zonja Jozefinë, sa u bë Kryetare e Kuvendit sillet në publik si një mashkull pa pikë personaliteti, herë vulgar e herë arrogant? Nuk paska gjë më të shfytyruar se sa kur femra çfeminizohet e lufton të ngjallë brenda vetes “ledin Makbeth”!
Nëse Parlamenti Europian do të kishte një detyrim 30 % ligjor për përfshirjen e grave, me që në Perëndim po flitet aq shumë për të drejtat e arixhinjve, homoseksualëve dhe transvestitëve, atëherë, sipas kësaj logjike do të kishte edhe një ligj të ngjashëm me përqindje të detyrueshme përfaqësimi edhe për ta! Ndaj pyetja e parë që të vjen në mend në këtë rast është: Përse 30 % e jo 50%? Barazia nuk vendoset në një shoqëri demokratike me ligje-përqindjesh, të cilat në thelb prishin dhe çekuilibrojnë barazinë, pasi deformojnë parimin e aftësisë, meritave dhe konkurrencës, ende pa nisur gara. A do të quhej barazi gjinore po të ndaheshin p.sh, në Pekin, medaljet me përqindje sipas gjinisë, ashtu si po vendoset në zgjedhjet tona të ardhshme parlamentare, të cilat po e vënë garën elektorale dhe konkurrimin në morsë? Në sport femrat konkurrojnë me femrat, kurse në politikë femrat dhe meshkujt, ndonëse do të jenë në të njëjtën pistë dhe garë, medaljet nuk do të jepen sipas rezultateve vetjake! Tek ne, në asnjë fushë të jetës nuk ndodh kështu, as në shkencë dhe as në art, sepse një ndarje e tillë do të ishte cenim i dinjitetit dhe fyerje për të Drejtën shkencore e artistike. Hillari Klinton nuk u skualifikua nga gara me që ishte grua, ashtu sikundër Obama nuk u nominua për të realizuar në SHBA barazinë racore, por se ishte më i aftë dhe më i zoti se konkurrentët e tij, pavarësisht nga raca! Ndaj, të pranosh e të mbrosh një të tillë ligj 30%-sh, aspak demokratik, do të thotë të pranosh që shoqëria shqiptare mezi po del nga errësira e ferexheve të mesjetës, se jemi një shoqëri totalisht mashkullore, ndaj lipset që me dhunën e ligjit të integrohen edhe gratë! Një përfshirje e tillë e grave me përqindje në Kuvend mund të ishte e natyrshme dhe e nevojshme për Parlamentin e Zogut, por jo për parlamentin e 2008-ës që drejtohet “me dorë të fortë” nga një grua, nga zonja Topalli, prej së cilës çdo javë bëhen “zhele” edhe deputetët meshkuj!
***
E njëjta logjikë atavike dhe antidemokratike po vepron edhe në ndarjen mekanike të shoqërisë në breza të papajtueshëm, d.m.th, në “xhaketa të vjetra” e “në xhinse”, në njerëz që mbajnë pirsing në kërthizë, ose dava më mirë në hundë dhe në të prapambetur që mbajnë kasketa në kokë…Tashmë duket sikur mosha është kriter i vetëm ekskluziv i vlerës morale, profesionale dhe kulturore. Me që disa të rinj janë shkolluar në Perëndim e kanë marrë master, si dhe me që nuk kanë jetuar në komunizëm, automatikisht ata quhen, sipas këtij arsyetimi, më të aftë, më të drejtë, më të ndershëm, më pak hileqarë, më demokratë, më pak të indoktrinuar e më të pakompromentueshëm se ata që kanë pasur fatin e zi të jetojnë në kohën e Enverit!
Të gjykosh kështu, do të thotë të ecësh duke mbajtur kokën prapa; të lësh zhvillimin në stagnacion e në tranzicion; shoqërinë ta vësh nën thundrën e pabarazisë së vlerave e të mungesës së konkurrencës; të shkatërrosh në themel hierarkinë e vlerave në shoqëri nëpërmjet përjashtimit për shkak të moshës. Një operacion i tillë u krye edhe me “reformën” e Akademisë, ku shkencëtar, d.m.th, akademik, nuk mund të jesh po të kesh kaluar 75 vjeç! Mediokriteti i veshur firmato dhe i pajisur me pushtet të pamerituar ngjan edhe më i shëmtuar dhe, natyrisht, edhe më dëmsjellës! Shoqëritë normale nuk e vënë kurrë në dyshim se mosha nuk është kriter i vlerave morale dhe aq më pak profesionale. Klasifikimi me “xhaketa” i shoqërisë njerëzore është shprehje e qartë e mediokritetit dhe e snobizmit! Askurrkund nuk quhet meritë dhe avantazh mosha e re, siç po ndodh tek ne! Po të analizosh, sa për ilustrim, se si funksionoi dhe si po gjeneron vlera morale e profesionale KOP-i, nuk është e vështirë të kuptosh se sa false dhe sa abuzive ishin dhe janë teoritë e “moshës së re” që do të sillte, për shkak të zëvendësimit të xhaketave të vjetra me xhinse, ndryshimin e dëshiruar e të premtuar! Fytyrat e reja të KOP-it erdhën si shpresë që do të realizonte ndryshimin jo vetëm në PD e në qeverisje, po edhe në fytyrën e shoqërisë. Do të kryhej madje edhe një shkëputje gati fizike dhe e plotë nga e kaluara moniste, etj, etj. Por faktet tregojnë përditë se kopistët, p.sh, Basha, Bumçi dhe Bogdani jo vetëm që nuk i kanë më fytyrat e pastra, po janë më të keqpërdorurit, më lepepeqët e më të deformuarit moralisht nga dhuna e Njëshit! Fytyra e tyre brenda tre vjetësh është tjetërsuar dhe është bërë si ato matrjoshkat ruse! Jo vetëm nga fjalori i njëjtë me Doktorin, po nga veprimet publike ata nuk dallojnë nga instruktorët e dikurshëm të provincës, të cilët, kur Enveri vuri kasketë me strehë, vunë edhe ata kasketë në kokë, ndërsa fjalën “klasë” e thoshin: “kllasë”…Prandaj, ashtu si Enveri merrte gra nga kooperativat dhe burra nga kllasa punëtore dhe i bënte anëtarë byroje, ashtu edhe këta të sotmit, për të njëjtin qëllim - të qëndrimit sa më gjatë dhe sa më rehat në pushtet -luajnë njëlloj me 30%-shin e grave, me “kriteret e moshës së re”, jo vetëm në politikë, po edhe në institucionet, medemek, të pavarura! Por, a mund të ecë përpara një shoqëri e tillë?

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›