E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cooper ja ‘sqaron’ Nikolicit marrëveshjet e arritura

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian (BE) në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper nesër sjellë në Beograd të gjitha konkluzionet e marrëveshjeve të arritura deri më tash, kurse zyrtarët serb presin se pas vizitës së diplomatit britanik do të jetë më e qartë nëse BE -ja ka kushte të reja për Serbinë.

Duke qenë se presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, i cili më 14 qershor është takuar me zyrtarët më të lartë të BE, gjendet në Rio De Zhnaeiro në samitin e OKB-së, Cooper-in pasdite do të takohet me Marko Gjuric, këshilltar i Nikolicit, i cili për rezultatet e bisedimeve do ta njoftojë shefin e vet, thonë në Presidencën e Serbisë, raporton korrespodenti i RTK-së nga Beogradi.

Për momentin nuk dihet nëse ndërmjetësi Cooper do të takohet me shefin e ekipit të Beogradit për bisedime me Prishtinën, Borisllav Stefanovicin, i cili për të mërkurën në ora 13 ka paralajmëruar një konferencë për gazetarë në qeverinë e Serbisë duke mos saktësuar temën.

Siç është paralajmëruar në selinë e BE-së, pas vizitës në Beograd ai do të udhëtojë në Prishtinë ku do të duhej të takohet me shefen e ekipit të Prishtinës, Edita Tahirin.

Maja Kocinançiq, zëdhënësja e shefes së diplomacisë evropiane, për mediat serbe nuk e ka përjashtuar mundësinë që Cooper në Beograd të takohet edhe me dike tjetër duke theksuar se hollësitë e planit në detaje janë duke u përpunuar.

Mirëpo, ajo ka vërtetuar se tema kryesore e bisedimeve do të jenë ujditë që janë arritur deri më tash në dialog dhe zbatimi i tyre dhe ka saktësuar që dokumentet që kanë të bëjnë me këtë dialog zoti Kuper edhe do t’i sjellë në Beograd.

Pritje të njëjta nga takimi ka edhe këshilltari i presidentit serb Gjuriq, i cili ka thënë se saktësimi i asaj që është arritur në dialog duhet të mundësojë që presidenti dhe qytetarët e Serbisë të jenë të njoftuar me dinamikën e negociatave dhe me mënyrën sipas të cilës Brukseli i sheh ujditë e arritura deri më tash.

”Kjo është komponent e rëndësishme që duhet marrë parasysh me rastin e formulimit të strategjisë së ardhshme për zgjidhjen e këtij problemi”, ka sqaruar Gjuriq i cili ka shtuar se temë do të jenë edhe të gjitha pikat kryesore të pengimit të dialogut.

Pyetjes se a do të kënaqen pritjet e Beogradit që të publikohet nëse ekzistojnë kushte të reja lidhur me Kosovën, për hapjen e negociatave mbi anëtarësimin në BE, Gjuriq i është përgjigjur se “në bisedë do të shtrohen të gjitha çështjet relevante që kanë të bëjnë me negociatat por edhe të mënyrës që vazhdimi i procesit të jetë sa më efektiv, e në harmoni me interesat shtetërore e kombëtare”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›