E Shtunë, 31 Tetor 2026

NGA EPOKA E BOLLEKUT NE ATE TE SKAMJES

Javën e kaluar u ndez një shkëndijë e shpresës në botën e krizës së ushqimit. Duke pritur të korra të majme, Ukraina liroi kufizimet e eksportit. Brenda natës, çmimet globale të drithërave ranë me 10 për qind. Në anën tjetër, tregtarët në Bangkok caktuan vlerën e orizit, rreth 1000 dollarë për ton, një rritje prej 460 dollarësh që prej dy muajve të fundit. E tillë është paqëndrueshmëria e tregjeve të sotshme. Nuk e dimë sa do të rriten çmimet e ushqimit, apo sa poshtë mund të bien ato. Por një gjë është e qartë: Kemi kaluar prej epokës së bollëkut, në atë të skamjes.

Ekspertët pajtohen se për një kohë të shpejtë, çmimet e ushqimit nuk do të kthehen në nivelet me të cilat bota është mësuar. Konsumatorët po ankohen, madje edhe në shtetet e pasura të Evropës dhe të SHBA-së. Por mendoni situatën e atyre që jetojnë me më pak se 1 dollar në ditë, të varfrit e të varfërve të botës. Shumica jetojnë në Afrikë dhe shumica shpenzojnë dy të tretën e pagave në ushqim. Në Liberi, javën e kaluar, dëgjova se njerëzit nuk po blinin më oriz të importuar në qese. Në vend të kësaj, ata, shumë e më shumë po blejnë me filxhan, sepse aq ua mban xhepi. Duhet përmendur se rënia e Liberisë në kaos filloi në vitin 1979, bashkë me kryengritjet për ushqim. Në Bregun e Fildishtë, udhëheqësit politikë më treguan për brengat e tyre se krizat do të mund të shkatërronin përpjekjet e ndërtimit të një demokracie të vërtetë, në një kohë kur, pas orvatjeve me dekada, janë aq afër suksesit. Në Burkina Faso, kryetari Blaise Comparore, më tregoi se i duhet ndihmë urgjente kombit. Gjysma e popullit të tij jeton me një dollar, apo më pak, në ditë, shumica fermerë të vegjël.

Ministri i Jashtëm, Djibril Bassolé, theksoi se krizat e ushqimit janë kërcënim më i madh se terrorizmi. "Kjo bën që populli të dyshojë në dinjitetin e tij", tha ai dhe shtoi: "Çështjet e urisë dhe mbijetesës, por dhe mënyrës se si jetojmë, janë bërë të rëndësishme për komunitetin ndërkombëtar". Mund të jetë tërheqëse t‘i lëmë tregjet të bëjnë magjinë e tyre. Nëse çmimet rriten, mendohet se do të rritet edhe furnizimi. Por ne jetojmë në një botë reale, e jo në botën e teorisë ekonomike. Në luginën Rift të Kenias, buka e Afrikës, fermerët po mbjellin vetëm një të tretën e asaj që kishin bërë vitin e kaluar. Pse, kur mendohej e kundërta, pra që çmimet e larta do t‘i detyronin ata të mbillnin më shumë? Sepse nuk mund të blejnë fertilizues, çmimi i të cilit gjithashtu po rritet vazhdimisht. Të njëjtën gjë e shohim në Mali, Laos dhe Etiopi. Kjo është një recetë për katastrofë. Në fillim të javës së kaluar, në Bernë, i mblodha drejtorët ekzekutivë të agjencive të OKB-së dhe të organizatave udhëheqëse për ndihmë e zhvillim. Ramë dakord për një plan urgjent të veprimit. Urgjenca e parë është ushqimi i të uriturve. Programi Botëror i Ushqimit ndihmon 63 milionë njerëz. Por, për të bërë këtë, i duhen 755 milionë dollarë shtesë, vetëm për t‘i mbuluar çmimet në rritje. Rreth 475 milionë dollarë janë premtuar. Por premtimet nuk mbushin barkun dhe agjencia ka vetëm 18 milionë para të gatshme në duar. Nuk mund të mbesim të bllokuar në këtë krizë. Për të siguruar ushqim për të nesërmen, duhet të veprojmë sot që t‘u japim fermerëve të vegjël ndihmën që u duhet, për t‘i përmirësuar të korrat e ardhshme. Kjo është arsyeja se pse Organizata e Ushqimit dhe Agrikulturës ka kërkuar 1.7 miliardë dollarë për të mbuluar një nismë emergjente, e cila do të furnizonte shtetet e varfra me fara, fertilizues dhe nevoja të tjera të agrikulturave të duhura për ta rritur prodhimin.

Fondi Ndërkombëtar për Zhvillim të Agrikulturës do t‘u japë rreth 200 milionë dollarë fermerëve të varfër në shtetet më të goditura nga çmimet. Banka Botërore po konsideron krijimin e një fondi për përgjigje ndaj krizës botërore për këtë qëllim. Për të koordinuar këtë punë, unë do të themeloj dhe do të udhëheq një Task Force të OKB-së për Krizën Botërore të Ushqimit. Nuk do të lë gur në vend, gjersa nuk përqendroj vullnetin politik në takimin e shteteve G8 në korrik, në Japoni dhe në një konferencë të nivelit të lartë të Organizatës për Ushqim dhe Agrikulturë në Romë në fillim të qershorit, në lidhje me sigurimin e ushqimit. Ne mund të ballafaqohemi me këtë krizë. I kemi mjetet. E dimë ç‘duhet bërë. Duhet ta shohim këtë jo vetëm si problem, por si një mundësi.

Duke udhëtuar nëpër Afrikën Perëndimore, gjeta arsye të mira për optimizëm. Në Burkina Faso, pashë një qeveri, e cila punonte për të importuar farëra që i rezistojnë thatësirës dhe punonte për të menaxhuar më mirë furnizimet e pakta me ujë, e ndihmuar nga shtete si Brazili. Në Bregun e Fildishtë, pamë një kooperativë të femrave që mbanin një fermë pulash të themeluar me fonde të OKB-së. Projekti po mbledh të ardhura dhe ushqim për fshatarët, në mënyra që mund të përsëriten lehtë. Këto janë zgjidhje të rritura në shtëpi, zgjidhje rrënjësore për probleme rrënjësore, saktësisht lloji i zgjidhjeve për të cilat ka nevojë Afrika. Duke vizituar një shkollë fillore që po riparohej në Ouagadougou, i kujtoj këto, gjersa udhëtoj nëpër Afrikë dhe mendoj për burimet e pasura të këtij kontinenti dhe për fuqinë dhe guximin e popullit të tij, aq të dukshëm në qytetet që i vizitova. Nëse vendi im mundi të dalë nga trauma dhe të bëhet fuqi ekonomike, e di që edhe Afrika mund ta bëjë këtë. E vetmja gjë që i duhet është ndihma jonë. Mund të fillojmë, duke bërë hapat e vështirë të shqyrtimit të vendosur të krizave të ushqimit.

Marrë nga "International Herlad Tribune"



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›