ZMK: Fitimi i urbanëve rrëzon kërkesën për rritje çmimesh
"Fitimi i kompanive private të linjave urbane në kryeqytet është minimumi 7 milionë dollarë. Ndërsa numri i pasagjerëve që udhëtojnë çdo ditë dhe paguajnë biletën është mbi 185 mijë persona. Ata që udhëtojnë me abone arrijnë në gati 15 mijë pasagjerë, pa përfshirë këtu numrin e personave me status udhëtimi falas". Janë këto të dhënat e bëra publike në një studim të kryer nga Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve, që argumenton se përse qeveria nuk duhet të pranojë kërkesën për rritjen e çmimit të biletave dhe aboneve nga shoqata e transportit urban në Tiranë. Ndërsa hidhen edhe hije dyshimi mbi drejtuesit e Bashkisë së Tiranës për mungesën e transparencës lidhur me këtë shërbim publik. Në studim theksohet fakti se Tirana, është një qytet shumë efiçent për përdorimin e shërbimit të transportit publik, mbështetur kjo në rekomandimet që vijnë nga ekspertë urbanistë. Ata e vlerësojnë Tiranën si një qytet me shërbim kapilar maksimal të udhëtarëve, për shkak të strukturës urbane të qytetit, vendosjes së linjave dhe kërkesës së lartë publike për udhëtim me autobus. ZMK në studim ka përgatitur një model plani logjik të hyrjeve dhe daljeve vjetore financiare për të gjithë sistemin e shërbimeve të transportit urban të udhëtarëve në Tiranë. Aty përfshihet numri total vjetor i udhëtarëve dhe presupozimet e inkasimit të pagesave të biletave, duke përjashtuar grupet që u njihet e drejta e udhëtimit falas. Në llogaritje janë përfshirë edhe fitimet nga abonetë dhe reklamat. Sipas ZMK-së, të ardhurat e përgjithshme llogariten në 21 milionë dollarë. Ndërsa te shpenzimet e përgjithshme janë përfshirë ato për karburante, për mirëmbajtjen dhe kontrollin e mjeteve, për rrogat e stafit, si dhe pagesat e taksave vjetore. Këto në nivele më të larta nga sa ka rezultuar realisht. Në studim shpenzimet e përgjithshme arrijnë në 14 milionë dollarë. Kjo shumë u zbritet të ardhurave të përgjithshme dhe fitimi në total rezulton jo pak, por 7 milionë dollarë. Nisur nga rezultatet e studimit ZMK ka kërkuar ndërprerjen urgjente të procedurave të rritjes së çmimit të biletës dhe të aboneve në transportin urban të udhëtarëve në Tiranë nga ana e Këshillit të Ministrave. Sipas tyre, çmimi prej 20 lekë për biletë është shumë i arsyeshëm dhe i mjaftueshëm. Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve ka kërkuar nga LSI të iniciojë një seancë të hapur debati në Këshillin Bashkiak sa më shpejt të jetë e mundur, për të kërkuar llogari se me ç‘të drejtë përfaqësuesit e bashkisë i kanë kërkuar qeverisë që të rrisin çmimin e biletave dhe aboneve, duke mbështetur kështu kërkesat e padrejta të Shoqatës së Transportit Urban.
Gjithashtu, studimi vlerëson si krejt të papranueshëm dhe jashtë standardeve evropiane parametrat e shërbimit të transportit urban. Një arsye më shumë kjo sipas tyre për të mos pranuar kërkesat për rritje të tarifave për udhëtarët.
Përveç mjeteve tejet të amortizuara në pjesën më të madhe të rasteve, studimi saktëson mosfunksionimin e sistemit të ajrimit dhe kondicionimit në stinë të nxehta apo të ftohta. Aty theksohet mungesa e higjienës apo vonesat jashtë çdo norme në stacionet urbane.
Gjithashtu, studimi vlerëson si krejt të papranueshëm dhe jashtë standardeve evropiane parametrat e shërbimit të transportit urban. Një arsye më shumë kjo sipas tyre për të mos pranuar kërkesat për rritje të tarifave për udhëtarët.
Përveç mjeteve tejet të amortizuara në pjesën më të madhe të rasteve, studimi saktëson mosfunksionimin e sistemit të ajrimit dhe kondicionimit në stinë të nxehta apo të ftohta. Aty theksohet mungesa e higjienës apo vonesat jashtë çdo norme në stacionet urbane.