E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushqimet që të ngecin në fyt...

Ushqehemi njësoj, por paguajmë më shumë se pak kohë më parë. Ashtu siç ishte parashikuar, çmimet e ushqimeve, fruta-perimeve e të gjitha asortimenteve që konsumojmë gjatë ditës, janë rritur në stratosferë. Këto çmime janë rritur nga 10 deri në 30 lekë. Gjatë një vëzhgimi në disa tregje të kryeqytetit ishte pothuajse e pamundur të gjeje një produkt ushqimor me çmimin që kishte pak javë më parë. Kilovatët e matësit të energjisë u paguan me çmim më të lartë, duke nisur nga muaji mars. Bashkë me energjinë, çmimi i bukës u rrit nga 80 në 100 lekë. Edhe pse një pjesë e mirë e furrave të bukës shesin "bukë masive" 70 apo 80 lekë, pesha reale e saj nuk është 1 kg, por vetëm 800 gram. Për këtë shitet më lirë. Duke marrë shkas nga rritja e çmimit të vajit në tregjet ndërkombëtare, çmimi i këtij produkti edhe në Shqipëri nisi të rritej. Tani një shishe vaj kushton 200 lekë nga 150 lekë që kushtonte më parë. Orizi, mielli, sheqeri, makaronat, produktet e përhershme në tryezat tona janë shtuar nga 10-100 lekë, produkte të veçanta edhe më shumë. Zarzavatet e stinës, si patëllxhani, specat, domatet, qepët, përbërësit kryesorë me të cilët përgatitet dreka apo darka, janë edhe më të shtrenjta. Po ashtu, edhe frutat më të konsumuara si mollët e portokallet. Të pandryshueshme kanë mbetur çmimet e vezëve, të cilat në varësi të madhësisë shiten me 9 lekë, 9,5 apo 10 lekë. Megjithatë, ata që jetojnë pak më larg qendrës, duket se janë edhe më të privilegjuarit. Tregu i fruta-perimeve afër zonës së Medresesë është një nga tregjet me çmime më të lira se pazaret e qendrës. Po ashtu, edhe tregu që ndodhet pranë Uzinës Traktor është edhe më i lirë. Por nga këto mund të përfitojnë vetëm banorët që jetojnë pranë tyre. Pjesa tjetër e qytetarëve shqiptarë e ka të vështirë të blejë produkte në këto tregje në rast se nuk kanë makina për të lëvizur. Familjet shqiptare këto kohë po konsumojnë të njëjtat produkte, por me çmime më të larta dhe me paga e pensione të njëjta. Deri tani nuk është vendosur asnjë kompensim për kategoritë në nevojë, në mënyrë të veçantë për pensionistët. Aktualisht, paga minimale në Shqipëri është 1300 lekë, ndërsa pensioni minimal 10 mijë lekë. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, raporteve të Bankës Shqiptare apo edhe Bankës Botërore, shumica e të ardhurave mujore në familjet shqiptare shkojnë për ushqime. E pandashme nga tryezat tona është buka. Më të përdorshme për konsum të përditshëm mbeten zarzavatet, frutat, perimet, mielli, makaronat, orizi, vaji, bulmeti, mishi. Çmimet më të cilat mund të gjesh djathë cilësor në tregjet masive apo edhe në dyqanet e shumicave të ngritura mes blloqeve të pallateve, variojnë nga 400-500 lekë.

Familjet me të ardhura të ulëta kanë blerë më pak ushqime. Po ashtu edhe pensionistët që mes dy zgjedhjeve ilaçe dhe ushqime, nuk mund të lënë asnjërën, përveçse t‘i kufizojnë në një farë mase të dyja. Sakaq, listat me të cilat një pjesë e qytetarëve marrin produkte në ushqimore, supermarketet e lagjeve apo furrat e bukës do të jenë edhe më të gjata. Ndërsa shitësit do të presin edhe më gjatë derisa të marrin borxhet e akumuluara.

Pensionistët revoltohen:Na kompensoni rritjen e çmimeve, nuk i përballojmë

Sindikata e Pensionistëve shumë e revoltuar që pas rritjes së çmimit të bukës ka deklaruar se do të nisë protestat.

Pensionistët i kanë lënë afat qeverisë për të menduar se si do ta zgjidhë problemin e rritjes së çmimeve për moshën e tretë. Pensionistët kanë kërkuar rritje pensionesh në formën e kompensimit. Sipas tyre, kompensimi aktual që marrin kryefamiljarët për energjinë elektrike dhe bukën, duhet të jetë edhe më i lartë. Po ashtu, ata presin nga qeveria zgjidhje të menjëhershme të kompensimit aktual dhe kompensim për pjesën tjetër të moshës së tretë që nuk janë kryefamiljar. Në të kundërt do të nisin protestat.

Tabela 1

Sa ishin çmimet

Domatet 170-180 lekë

Patatet 40-60 lekë

Patëllxhanët 160-170

Qepët 40

Bizelet 100

Barbunjat 110

Djathë 350-450 lekë

Mish 450-500 lekë

Ullinj 200

Mollë 150-170 lekë

Portokalle 130-140 lekë

Qershi 400-600

Luleshtrydhe 250 gram 250 lekë

Vezë 9-10 lekë

Sheqer 600

Oriz 70

Makarona 500

Vaj 140

Vaj ulliri 150-170

Gjalpi 500

Sa janë çmimet tani

Tabela 2

Domatet 200-220 lekë

Patatet 70-80 lekë

Patëllxhanët 180-200

Qepët 50-60

Barbunjat 130

Lulelakër 160-170

Djathë 400-500 lekë

Mish 450-500 lekë

Ullinj 250

Mollë 200-300 lekë

Portokalle 180-200 lekë

Qershi 700 lekë

Luleshtrydhe 250 gram 250 lekë

Vezë 9-10 lekë

Vaji 230

Vaji 200

Gjalpi 600

Makaronat 80

Orizi 120

Mielli 800


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›