E Shtunë, 31 Tetor 2026

NJË LETËR MIQËSORE PËR AMBASADORIN UIDHERS

Duke ju siguruar për vëmendjen time të përhershme, që në fillim po pohoj se e respektoj maksimalisht mendimin tuaj zoti ambasador Uidhers, ashtu siç e lexova në të përditshmen “Panorama”, se “veprimet e Parlamentit mbrëmjen e së hënës, e thënë me sinqeritet, ishin të padenja për një institucion demokratik”.

E kishit fjalën për veprimin që bëri Parlamenti shqiptar duke refuzuar me votë të fshehtë pesë kandidatët e Presidentit për Gjykatën e Lartë, disa prej të cilave ju i shihni si të përshtatshme.

E vlerësoj po maksimalisht mendimin tuaj kur thoshit se “për të qenë i sinqertë, e kam të pamundur të besoj se asnjë nga kandidatët e propozuar nuk u konsiderua i kualifikuar. Tek ata kombinoheshin eksperienca, arsimi, aftësitë, përgatitja dhe trajnimi”.

Për njërin kandidat u shprehet se “njëri prej tyre ishte për nëntë vjet gjyqtar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg”.

Më tej ju vijuat se “deputetët përdorën detaje teknike në ligj për të anashkaluar, madje rrëzuar frymën e parimeve demokratike”.

Unë, zoti ambasador, nisur nga thënia juaj në atë intervistë se “njerëzit, individët, duhet të jenë të lirë të ushtrojnë të drejtat e tyre, të shprehin opinionet e tyre, pa marrë parasysh rrethanat politike”, po shkruaj e po them se nuk hyj fare në vlerësimin e kandidaturave (Po të pyetesha unë, si kriter të parë do të vendosja vetë dhe do të detyroja Parlamentin, që është së pari organ politik ligjvënës, që të vendoste kriter bazë të qenit njeri dhe do të gjykoja mbi veprimet e kandidatëve për në gjykata e prokurori, para vitit 1990, në kanë marrë pjesë në dënime kapitale njerëzish, në kanë marrë vendime politike për pushkatimin, vdekjen apo varjen e kundërshtarëve të komunizmit që në të shumtën e rasteve janë ndëshkuar për delikte verbale…). Por, siç thashë, unë nuk hyj fare në këtë çështje, sepse është jashtë njohjes e mundësive të mia për shkak të punës që bëj.

Pra zoti ambasador, jam i detyruar të respektoj maksimalisht mendimin tuaj për rrëzimin e këtyre kandidaturave nga Parlamenti, veprim që ju e cilësuat si të padenjë.

Duke hyrë në një fushë që i përket moralit, besoj se ndajmë të njëjtin mendim me ju, që pëlqimi a mospëlqimi, në këtë rast, miratimi ose rrëzimi i dekreteve për pesë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, nuk mund të cilësohet si një akt, thjesht, i denjë ose i padenjë, sepse gjithçka që kryhet në përputhje me vullnetin e sovranit, në këtë rast të përfaqësuesve të sovranit, të zgjedhur me votë të lirë, të drejtë, të ndershme e të pranuar nga sovrani, për mua është plotësisht e denjë dhe e përligjur.

Për votën e tyre, në sytë e votuesve që i kanë zgjedhur, parlamentarët paguajnë ose marrin meritën që u përket në zgjedhjet e ardhshme. Të bëhemi të duruar e të presim gjykimin e sovranit për përfaqësuesit e tij në këtë Parlament.

Besoj jemi të një mendimi zoti ambasador për historinë komuniste parlamentare për të cilën ne shqiptarëve nuk na ka ikur ende pezmi e shija e neveritshme, pasi deputetet, atëbotë, ishin kukulla robot të pashpirta, që zbatonin verbërisht urdhrat brutale të diktatorit e të diktaturës.

Së paku, zoti ambasador, për procedurën që ndoqi Parlamenti në mbrëmjen e asaj të hëne, unë nuk kam dëgjuar, as lexuar deri sot asnjë ankesë. Mënyra e votimit iu la në dorë opozitës. Madje, si për ironi, një nga opozitarët e vonë, e sulmoi këtë mënyrë të fshehtë votimi. Pra, ishte për votimin haptas.

Nuk mund të gjykohet me standarde të dyfishta, mund t’i themi ne së bashku këtij opozitari disident të vonë, të vetëlarguar nga pozita e sotme.

Nuk besoj zoti ambasador se ky i vetëlarguar e kishte fjalën për ju, se do të trembej nga ndikimi juaj, e donte të mos ishte pjesë e të padenjëve në atë sallë.

Fuqitë e Presidentit janë të saktësuara në kushtetutë. Po të dojë Presidenti që këto fuqi t’i lërë pas dore dhe të bëhet bisht i pozitës së sotme nga ka dalë, i shumicës së sotme parlamentare që e ka bërë president, ose i opozitës së sotme aktuale, ky s’është faji i pozitës e as i opozitës.

Por edhe parlamentarët shqiptarë nuk mund të qortohen, duke rrëzuar me vullnet të lirë, me votë të fshehtë, kandidaturat e Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë, qoftë edhe me karakteristika e biografi të shkëlqyera. Thjesht, ata, parlamentarët, kanë fuqinë ta bëjnë një gjë të tillë, pra të japin pëlqimin ose mospëlqimin e tyre. Siç qenë të zotët të zgjedhin para do kohësh vetë zotin President. Dhe neve s’na mbetet gjë tjetër veçse jemi të detyruar ta admirojmë fuqinë që kanë parlamentarët tanë, fuqi që vihet në jetë duke shprehur në liri të plotë vullnetin e tyre, sepse askush në Amerikë zoti ambasador nuk besoj se shqetësohet pse Kongresi Amerikan rrëzon ndonjë vendim të Presidentit amerikan, vendim që mund të jetë i shkëlqyer, edhe pse atje edhe Presidenti edhe Kongresi janë bij të sovranit dhe Presidenti nuk lind nga Kongresi, siç ndodh tek ne, nuk zgjidhet nga shumica e Kongresit Amerikan. Por atje nuk besoj se shqetësohet ndokush nëse ndodh kështu. Jam i bindur thellësisht, se ato vendime të Presidentit amerikan, që mund të rrëzohen nga Kongresi Amerikan, po të hidhen në votë këtu tek ne, si në Parlament, si drejtpërdrejt në popull, do të fitonin njëqind për qind të votave, sepse ne e adhurojmë aq shumë Amerikën, sa vështirë të besohet. E adhurojmë aq shumë saqë as antiamerikanët nuk guxojnë të dalin si të tillë, të shfaqen si të tillë, edhe pse unë nuk do t’ua quaja mangësi, nëse do të shfaqnin e manifestonin haptas dëshirat dhe natyrën e tyre.

Këta antiamerikanë natyralë, që ju, natyrisht, i njihni më mirë se unë, se keni fuqi pakrahasimisht më të mëdha njohëse, edhe festën e Presidentit amerikan Bush në Fushë-Krujë (festë e fiksuar edhe në muret e Shtëpisë së Bardhë dhe në memorien e gjithë njerëzimit), deshën ta kthejnë në të kundërtën e saj. Këta antiamerikanë natyralë e historikë, sa merren me sajesa të padenja, unë do të doja t’i shihja me pankarta rrugëve të Tiranës, si bashkëmendimtarët e tyre johipokritë në metropole të tjera evropiane ku policia i shpërndan demokratikisht me zorrën e ujit. Por, këtu tek ne antiamerikanët s’pranojnë të lagen. Hidh gurin e fshih dorën… Mbase do të preferonin një shpërblim të majmë për gurët e hedhur. Sigurisht honorarët për analizat e tyre plot dredha dërdëllimash të mjegullta në një pështjellim ankthioz pështymlëpirës i marrin me qejf të madh. Punë e tyre, sigurisht. Janë shpërblyer e do të shpërblehen gjithnjë e më shumë nga mungesa e vëmendjes nga publiku.

Një pjesë juristësh, zoti ambasador mendojnë se Presidenti ynë ka kompetenca të gjera për sa i përket gjyqësorit. Në rast se ju jeni i mendimit se Presidentit tonë i duhet dhënë mundësia për të emëruar anëtarët e Gjykatës së Lartë pa pëlqimin e Kuvendit, unë do ta mbështesja plotësisht mendimin tuaj, por për këtë duhet të bëhen ndërrimet përkatëse në Kushtetutë. Le të bëhen ndryshimet e duhura, nëse krijohet shumica e nevojshme parlamentare.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›