Pango denoncon Bashkinë e Durrësit: Po shkelet ligji i trashëgimisë
Në Durrës vazhdojnë ndërtimet mbi zonat arkeologjike. Nuk është hera e parë që lëshohet alarmi se çfarë bizneset e ndërtimit po ju punojnë nëntokës arkeologjike që ka ky qytet bregdetar. Rasti më i fundit është verifikimi për shkeljet ligjore mbi trashëgiminë kulturore i takon sheshit të ndërtimit që ndodhet në lagjen nr. 6, rruga “Maliq Muço”, zona B. Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Drejtoria Rajonale e Monumenteve, Durrës duke u mbështetur në hartën e zonifikimit arkeologjik ka konstatuar se vazhdojnë punimet për hapjen e gropës me destinacion objekt shumëkatësh banimi, pra të një pallati. Sipas njoftimit për shtyp, të lëshuar nga Ministria e Kulturës, si pasojë e këtyre gërmimeve është bërë dëmtimi i shtresës arkeologjike dhe i një ndërtese antike me dy mjedise 3x2 metra secila.
“Subjekti LIM-EM nuk ka paraqitur asnjë lloj dokumentacioni pranë Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës ku të kërkohej leja për fillimin e punimeve arkeologjike. Edhe pse zona ku pretendohet të ndërtohet (zona B) është zonë me intensitet të lartë arkeologjik dhe për rrjedhojë ndërhyrjet duhet të kryhen me miratimin dhe pjesëmarrjen e specialistëve, ky aspekt nuk është marrë parasysh nga subjekti kundërvajtës”, - thuhet në njoftimin për shtyp të lëshuar nga Ministria e Kulturës.
Pa pasur asnjë lloj leje për fillimin e punimeve arkeologjike dhe në kundërshtim të plotë me nenet 47, 48, të ligjit 9048 dt. 07.04.2003 i ndryshuar, (Për trashëgiminë kulturore) subjekti privat ka filluar dhe vazhdon punimet. Me këto të dhëna denoncuese, ministri i Kulturës, Ylli Pango, është shprehur se do të ndjekë procedurat ligjore kundrejt subjektit ndërtues, duke zbatuar ligjin për “Trashëgiminë kulturore”.
“Bazuar në ligjin 9048, dt. 07.04.2003 i ndryshuar, për trashëgiminë kulturore është kërkuar disa herë që Inspektorati Ndërtimor Durrës të ndërhyjë për ndërprerjen e punimeve (shkresat nr. 214 dhe 216 prot.), por nuk ka pasur asnjë reagim nga ky institucion. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të ndjekë të gjitha hapësirat që lejon ligji për “Trashëgiminë kulturore” ndaj subjektit në fjalë”, - përfundon njoftimi për shtyp, me të cilin ministria reagon për masë ndaj shkeljes.